Posta

December 14, 2017 | 10:01

POSTA / Adelina Pjetra: Ankthi i vozitjes me makinë, përballuni me frikën

grua

Përshëndetje, kisha një pyetje për psikologen. Jetoj jashtë Shqipërisë. Kam rreth 7 muaj që kam marrë patentën. Në fillim kam pasur shumë frikë ta ngisja makinën vetëm, por dhe kur kisha njeri pranë, prapë kisha frikë. Pak nga pak fillova ta marr vetëm, por përsëri kam shumë frikë. Më duket sikur do bëj ndonjë gjë gabim, por frika më e madhe është se mos më fiket makina si në rrethrrotullime apo semaforë. N.q.s ndodh kjo, unë hyj në panik, më dridhen këmbët, aq sa nuk arrij të komandoj pedalet, më rreh zemra fort, më djersijnë duart dhe nuk arrij të ndez makinën. Fakti që janë të tjerë mbrapa meje me makina dhe që unë kam bllokuar rrugën, më tmerron. Kjo gjë më ka ndodhur 3-4 herë dhe unë kam marrë frikë. Nuk dua ta ngas vetëm nga kjo gjë se mos më fiket makina. A mund të kem një përgjigje për këtë ju lutem. Ju përshëndes.

Përgjigje:

adelina-pjetra-e-prere

Adelina Pjetra Psikologe Klinike & Psikoterapiste Emdr

Nga ajo çfarë vetë ju keni përshkruar duket qartë se vuani nga Ankthi i Vozitjes (t’i japësh makinës). Kjo frikë që ndjeni nuk mund të hiqet duke e fshehur atë. Prandaj është e nevojshme një ekspozim konstant, nën rrethana të sigurta, me dikë që ti e beson i cili të jetë afër teje. Kjo do bënte që kjo frikë të menaxhohej. Por kur këto rrethana ndryshojnë, ankthi mund të rikthehet si një përmbajtje traumatike në rrënjët e simptomave që akoma nuk janë procesuar. Kjo do kërkonte edhe ndërhyrjen me disa seanca psikologjike. N.q.s ankthi juaj është shfaqur që në momentin e parë që keni filluar t’i jepni makinës, kjo do të tregonte që pas këtij ankthi fshihet diçka tjetër, që sigurisht duhet hulumtuar, një traumë nga e kaluara, një aksident në familjen tënde, apo dikujt tjetër që njeh. Mund të jetë edhe një ngjarje e rëndë e treguar nga dikush tjetër, por që mund të ketë lënë gjurmë tek ti.

Nuk mund të hipotetizoj se çfarë realisht e ka filluar këtë lloj ankthi tek ju, por shikoj që edhe ato pak raste që makina juaj është fikur, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm sa e ka përforcuar ankthin.

N.q.s mundeni, mund ta ndihmoni veten edhe duke kërkuar ndihmë psikologjike, në mënyrë që të fuqizoni aftësitë tuaja për të përballuar situata të sikletshme që mund tju ndodhin gjatë ditës kur ngisni makinën, apo të menaxhoni më mirë ankthin dhe frikën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top