Posta

November 29, 2017 | 13:42

POSTA / Adelina Pjetra: Kontrolli te specialistët e shëndetit mendor duhet bërë kulturë për të gjithë!

1

Mirëmbrëma, letra ime i drejtohet psikologes Adelina Pjetra. Jam një nënë e re dhe kam tre fëmijë. Gjatë verës kam qenë shumë e mërzitur, një mërzi që nuk e dija nga më buronte. Më pas kisha si gjendje ankthi, më dridhej trupi dhe mbahej fryma. Një diçka si top më shqetëson poshtë stomakut dhe afër brinjës (jam konfuze) nga fiksimi i tepërt bëra dhe eko barku dhe më doli në rregull. Mora disa kokrra për ankth dhe nuk e kam me atë dridhjen e trupit, por e ndjej trupin tim sikur të jem e sëmurë. Kjo gjë më është ngulitur në mendje sikur të jem e sëmurë pa shërim. Nuk jam më si më parë, nuk jetoj dot e lirshme dhe e qetë, por sikur më forcon diçka në bark. Faleminderit nëse më ndihmoni.

Adelina Pjetra Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Adelina Pjetra
Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Përshëndetje e nderuar. Nga ajo çfarë keni përshkruar më sipër, por që është shumë pak për të të dhënë një përgjigje konkrete, duket sikur vuani nga çrregullime të ankthit, të cilat për t’i kategorizuar më specifikisht kërkohet të bëhet një vlerësim psikologjik, i cili mund të pasojë me terapi psikologjike ose mjekim medikamentoz. Shpesh kur vuajmë nga ndonjë problem i shëndetit mendor, ajo shoqërohet edhe me simptoma fizike. Kjo bën që individët në 99% të rasteve t’i drejtohen spitalit për ekzaminime fizike, dhe në rastin kur këto analiza dalin në rregull, fillojnë e dyshojnë nëse janë bërë saktë nga stafi mjekësor, ose hipotetizojnë për ndonjë shkak tjetër të mundshëm që mund t’i ketë shkaktuar atë gjendje.

Por shumë rrallë kuptojnë ose mendojnë të bëjnë edhe një kontroll te specialistët e shëndetit mendor. Ky hap duhet bërë kulturë për të gjithë. Nuk është turp të kontaktosh një psikolog, një terapist, një psikiatër. Të gjithë mund të prekemi në një moment të caktuar të jetës tonë nga një problem i shëndetit mendor. Asnjëri nga ne nuk ka imunitet. Por të ndërgjegjësohesh dhe të orientohesh për të ndjekur hapat e duhur drejt shërimit është ndihma më e madhe që mund t’i japësh vetes apo çdokujt që mund të ndodhet në një gjendje të ngjashme me gjendjen tuaj. Ne duhet të mësojmë të kurojmë plagët e shpirtit, në të njëjtën mënyrë siç kujdesemi të kurojmë plagët fizike. Prishja e cilësisë së jetës, mosfunksionimi në përditshmërinë tuaj, gjendja apatike, mos-orientimi ose mos kuptimi i një situate (të gjitha pikat që ju vetë keni radhitur më lart), janë simptoma që i adresohen një psikologu për të marrë trajtimin e duhur.

Asgjë nuk ndodh rastësisht, dhe çdo gjë e ka një shkak, ose një pikë fillimi. Shpresoj që ju të arrini të ndihmoni veten duke pranuar që keni nevojë për ndihmë, dhe duke e kërkuar atë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top