Posta

July 30, 2018 | 9:48

POSTA nga Adelina Pjetra: Bixhozi po shkatërron familjen tonë dhe të vëllait…

Pyetja ime është për psikologen dhe nëse dikush ka arritur të zgjidh 1 situatë të tillë të na japë ndonjë këshillë. Problemi është im vëlla, prindërit mezi e kanë rritur dhe për shkak të problemeve të tij shëndetësore ai u përkëdhel shumë duke iu toleruar çdo gabim i tij dhe tani nuk dimë ç’të bëjmë. Është mbi 30 vjeç, i martuar dhe ai përveçse nuk punon luan Kumar ose lloto pa fund. Ai di vetëm të kërkojë lekë dhe ne motrat apo prindërit e kemi për detyrë ti japim. 

Ai kur fiton 1 herë në vit lloto ato lekë ia jep shokëve apo i shpërdoron, kurrë si ka dhënë babit njëherë lekë dhe pse si duam lekët e tij. Nuk ka njeri që ai njeh dhe si ka kërkuar borxh. Për t’ia dalë vetë mban, prindërit e mi e çuan në Tiranë por prapë babi vazhdon të japë herë pas here lekë. Nusja i punon dhe ne i kemi thënë mos i jep lekë atij por ajo thotë skam çfarë të bëj kur ai i bie murit me kokë se do lekë. Ai është mësuar me lekë dhe i ka rrënuar prindërit dhe kam frikë mos bën ndonjë vetëvrasje. I kemi folur me të mira, apo dhe i kemi bërtitur apo refuzuar si vëlla se ndoshta preket por ai ndihet shumë superior. Nuk dimë çfarë zgjidhje ti japim, kemi menduar ta çojmë jashtë shtetit por nuk kemi njeri. Ndonjë këshillë nga ju apo kush ka dijeni se si mund ta çojmë jashtë shtetit ku nuk ka as motër, baba, grua apo shokë që t’i kërkoj lekë se ndoshta po të jetë vetëm do detyrohet të punojë. Ka kaq shumë për të treguar se ai njeri po na çmend dhe këto që kam shkruar janë pak prandaj ju lutem na ndihmoni me këshilla.

Nga Adelina Pjetra specialiste e liçensuar në BWRT -Therapy EMDR -Therapy

Nga Adelina Pjetra
specialiste e liçensuar në BWRT -Therapy EMDR -Therapy

PËRGJIGJE:

E kuptoj që ndodheni në një situatë të vështirë jo vetëm ju  personalisht por familjarisht. Sjellja e vëllait tuaj, që tashmë shikohet si një varësi nga lojërat e fatit ka prishur ekuilibrat familjarë dhe po shkakton vuajtje.

Më lejo të të jap disa informacione mbi varësinë nga lojërat e fatit, duke ju krijuar një mundësi për tu orientuar më tepër për gjendjen aktuale të vëllait tuaj, por edhe si një formë psikoedukimi për familjen. Në mënyrë që ju të merrni vendimet dhe hapat e duhur për ta kuruar këtë “Patologji”, e cila nuk është më një formë zgjedhje për të kaluar kohën, por është kthyer në një varësi që ka nevojë për të bërë ndërhyrje profesionale dhe për të marrë trajtimin e duhur.

Varësitë mund të krijohen kur një ndjenjë e dëshiruar dhe një sjellje bëhen të fiksuar së bashku. Për shembull, në qoftë se ndjenja e të qenit një fitues është bërë e fiksuar me sjelljen e lojërave të fatit, personi luan me lojërat e fatit në mënyrë që të ndihet si një fitues. Edhe kur ai humbet, fiksimi në mes të ndjenjës si fitues dhe sjelljes së lojërave të fatit do të vazhdojë. Rezultatet e këqija të tilla si humbja e një shume të hollash nuk do ta ndryshojë këtë fiksim që sfidon të gjithë të mësuarin racional.

Një varësi mund të jetë një mënyrë për të mpirë emocionalisht kujtimet apo ndjenjat që janë të vështira për ti toleruar të tilla si zbrazëti, mërzi, izolimi, apo tjetërsimi.

Nuk ka një arsye të veçantë që njerëzit të bëhen të varur .Megjithatë, është e nevojshme të theksohet se varësia nuk është një zgjedhje, por më tepër është një sëmundje, që mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh. Ndoshta lidhja më e zakonshme në mes të atyre që vuajnë nga varësia është një histori e traumave në jetë.

LOJRAT E FATIT JANË:

-MANIPULIM GLOBAL, SUPERSTICION, DHIMBJE- VUAJTJE, PAGJUMËSI, MOS –URI, FRIKË, JERM, ZEMËRIM, KËNAQËSI, SHKËPUTJE PSIKIKE

Për shumë lojtarë patologjik LOJA mund të jetë një strategji përballuese jo funksionale, ose një mënyrë për të kërkuar gjendje emocionale të dëshiruara.

Ja cilat janë disa nga tipologjitë e identikitit të personave që janë të varur nga lojërat e fatit:

  • Eufori, dëshirë e madhe për të bërë efekt tek të tjerët
  • Provokim i plotfuqishëm, të bësh pjesë në aktivitete të rrezikshme ( që emocionet e forta të lojës të tejkalojnë ndjesitë depresive dhe bosh)
  • Konkurrencë
  • Dëshirë për tu rebeluar dhe për ti shkelur rregullat
  • Dëshirë për të pasur pavarësi ekonomike
  • Dëshirë për pranim social
  • Një formë vetë- shërimi
  • Për të ikur nga emocionet e forta të dhimbshme dhe të pa-tolerueshme

Një lojtar i varur është një person, i cili impulsin për të luajtur e ka një nevojë që nuk mund ta ndalojë dot, kur ai ndjen një tension të fortë emotiv.

Në DSM V : Gambling = është  e klasifikuar si patologji e sjelljes

Do ju sugjeroja të kontaktoni një psikolog profesionist , që të fillojë menjëherë trajtimi psikologjik i vëllait tuaj. (Në raste të tilla është e domosdoshme të bëhet edhe ndërhyrje psikologjike tek familjarët  në formë psikoedukimi apo më tepër, në mënyrë që të forcohet rrethi mbështetës për shërimin nga kjo lloj patologjie).

Terapistët që punojnë me varësitë, shikojnë individë që kanë vështirësi në marrëdhënien e tyre me vetë varësinë që kanë. Marrëdhënia që  individi ka me varësinë shpesh herë bëhet lidhja dominante që ka në jetën e tij. Ky atashim është i pashëndetshëm dhe shkakton dëme në marrëdhënie të tjera në jetën e tyre (të punës, familjes, etj).

Ajo që mund të jetë sfiduese për të punuar me varësinë janë pengesat për trajtim. Këto pengesa mund të jenë financiare, të menduarit negativ, shoqëria me turmën e gabuar, apo turpi. Terapistët mund të ndihmojnë  individët që kanë varësi të ndryshme për të adresuar këto pengesa në mënyrë që të arrihet një trajtim i suksesshëm.

Shpresoj që me shpjegimin e mësipërm, ju kam dhënë orientimin e duhur, se si mund ta ndihmoni vëllain tuaj. Duke njohur më mirë çfarë është varësia dhe si ndikon tek një individ , të kërkoni ndihmë është një hap shumë i rëndësishëm. Një ndërhyrje profesionale, nga specialistë në fushën e psikologjisë është e domosdoshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top