Posta

May 1, 2018 | 15:17

Posta nga Adelina Pjetra / Kur vjehrra merr rolin e nënës, çfarë duhet të bëni!

Përshëndetje. Kam vajzën 4 vjeçe e gjysmë dhe ka filluar nuk më pyet për asgjë, me zor e vesh për në kopsht, me zor e vë në gjumë në darkë, nuk më dëgjon që t’i vesh rrobat e gjumit, dhe kur shkoj te prindërit e mi nuk do të vijë. Kur vij nga puna nuk i bën përshtypje fare që erdha, edhe pse ka qëndruar 8 apo 9 orë pa më parë. Paradite ajo shkon në kopsht, pastaj rri me vjehrrën në shtëpi.

a98840_mother-in-law_1-breastfeedingNdonjëherë mendoj se gjithë kjo sjellje e sime bije kështu, ndikohet nga prania e vjehrrës, se ajo e përkrah për çdo gjë, nuk ia prish për asgjë. Edhe kur është sëmurë, shkon e i blen akullore nëse vajza ime ia kërkon, e shumë gjëra të tjera si këto. Nuk po arrij dot ta edukoj fëmijën time prej pranisë së vjehrrës. Unë i flas vajzës për ta mësuar, ajo shkon e ma merr me të mira. Unë i them mos ia lër telefonin, ajo shkon e ia jep. I thosha, mos e laj vajzën çdo ditë kur ishte dimër, se ftohet, ajo vazhdonte prapë derisa kemi pasur grindje të mëdha familjare dhe atëhere kur vjehrra bënte sikur hiqte dorë, prapë vazhdonte ditët në vazhdim me të njëjtin ritëm. Ju lutem, tani jam edhe shtatzënë me fëmijën e dytë, dhe nuk kam shumë nerva, nuk po duroj dot më, e po ia nxjerr vajzës të gjitha, por edhe kështu më duket sikur po largoj vajzën nga vetja ime e po e lë të bëjë çfarë të dojë vetëm prej pranisë së vjehrrës. Nuk mundem pasi vjehrrën në shtëpi do ta kem gjithë jetën. Ajo është munduar që, që e vogël e ka mbajtur vajzën pranë dhe jo me dëshirën time. Ma merrte e ma ushqente kur ishte 5-muajshe dhe ajo ia dha lugën e parë, jo unë, se gjoja ajo unë nuk di sipas saj. Ajo e lante deri 7-muajshe derisa plasi sherri e ia kam marrë prej duarve që ta laja vetë, se nuk ma kishte lënë asnjëherë ta bëja vetë dhe të gjitha këto vetëm për të mos ia prishur qefin vjehrrës. Dhe tani, i duket sikur i ka ajo të drejtat ndaj fëmijës tim e jo unë.

Më besoni, edhe kur kruhet vajza më pyet vjehrri: “pse kruhet kaq shumë”, edhe kur i rriten pak balluket do ndërhyjë, duke më thënë: “kur do ia presësh balluket”, dhe kur e nxjerr fëmijën pasditeve të luajë, më thotë: “a mos i ka të grisura streçet etj, etj., Pse qeshi, pse qan, pse bërtiti, etj. Më qan shpirti çdo natë nga kjo rrethanë. Me respektin e një nëne të dëshpëruar që nuk po gëzon dot fëmijën e vet pa pasur shumë të drejta ndaj fëmijës, vetëm pse jetoj me vjehrrën dhe vjehrrin.

Specialiste e licensuar në Brainworking Recursive Therapy-Uk Terapiste EMDR

Specialiste e licensuar në Brainworking Recursive Therapy-Uk
Terapiste EMDR

Në të gjithë letrën tuaj lexova: ajo nuk dëgjon, ajo nuk e bën gjë, ajo ajo, ajo.

Më falni që po ju pyes në mënyrë direkte, po ju çfarë bëni?

Si fillim le të sqarojmë diçka:

Fëmijët tanë nuk janë aty për të bërë çfarë ne dëshirojmë të bëjnë dhe të sillen dhe të flasin, vetëm se duam të na kënaqin ne. Të plotësojnë dëshirat dhe kërkesat tona pa vendosur në diskutim asgjë. Nëse dëshironi që vajza të jetë më e afërt me ju, filloni ju e para ta bëni këtë gjë. Si? Kur vini në shtëpi nga puna, përqafojeni ju e para dhe i tregoni sa ju ka munguar atë ditë. Pyeteni dhe interesohuni për dëshirat dhe emocionet e saj. Bëhuni një dëgjuese e mirë e fëmijës tuaj. Flitini dhe bisedoni gjatë për bebin që po prisni, bëjeni pjesë të kësaj pritjeje të ëmbël. Në mënyrë që të mos ndihet e “zëvendësuar” apo edhe e pa sqaruar për pjesëtarin e ri që do t’i shtohet familjes.

Në lidhje me gjyshen: – Patjetër që gjyshet kanë rëndësi dhe janë të vlefshme në rritjen e fëmijëve tanë. Por s’duhet të ngatërrohen rolet. Gjyshja nuk mund të jetë kurrë nëna e fëmijës, në çfarëdo forme apo rrethanë të jetës. Ajo gjithmonë do jetë gjyshe. Nëse ju ndiheni që po ju merr rolin tuaj, ndoshta jeni ju ajo që duhet të ri-pozicionohet në postin tuaj. Kjo nuk arrihet duke bërë debate, dhe duke ngritur zërin, por thjesht duke e sqaruar këtë pikë, së pari me veten tuaj, më pas edhe me vjehrrën. Mund t’i thoni: – E di që ju e doni shumë vajzën, dhe kujdeseni shumë për të. Jeni një GJYSHE e mirë, ahhh po, jeni GJYSHJA . Si nënë, unë dëshiroj t’i mësoj dhe shpjegoj disa rregulla fëmijës tim, dhe do doja që si NËNË, fëmija im të më kuptojë dhe dëgjojë. 

Kur dëshironi të shkoni në ndonjë vend me vajzën tuaj, ju ftoj që fillimisht t’i shpjegoni se ku do shkoni, sa do të qëndroni dhe çfarë pret prej saj. Fëmijët duhen para përgatitur për çdo lëvizje apo detyrë që dëshironi të bëhet nga ata. Duke mos njohur çfarë do ndodh, ata mund të bëhen më ankthiozë, nervozë dhe kundërshtues.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top