FB

June 29, 2022 | 8:25

Posta nga Denada Toçe / Kam frikë nga vetmia

Përshëndetje, znj. Denada. Unë jam Ada, 33 vjeçe, parukiere në Tiranë. Prej 10 muajsh jam lidhur me një djalë që quhet Redi dhe ndihemi vërtetë mirë bashkë. Marrëdhënia jonë është rritur: që në fillim ndiheshim mirë bashkë. Kemi të njëjtat interesa dhe duket se dhe projektet që kemi për jetën tonë përputhen… Besoj se Redi është njeriu i duhur, por me thënë të drejtën, mendoja të njëjtën gjë edhe për ish-in. Si mund të zbuloj se jemi vërtet për njëri-tjetrin dhe nuk është thjesht një dëshirë e imja për të mos qenë vetëm? Kam nevojë për mendimin tuaj! Me respekt, Ada

Nga Denada TOÇE, psikologe këshillimi

E dashur Ada! Më vjen mirë që ju shpreheni se keni dëshirë të mos mbeteni vetëm. Por më shumë se dëshirë, uroj të mos jetë frikë. Ndodh që në gjendje frike, apo ankthi, merren vendime jo shumë të përshtatshme. Ndaj, është e udhës të reflektoni më shumë rreth arsyeve se përse jeni lidhur bashkë me njëri-tjetrin. Ju thoni se ndjeheni mire bashkë, keni projekte dhe interesa që përputhen. Duket se ky është një fillim shumë i mirë, dhe 10 muaj janë të mjaftueshëm për të kuptuar nëse partneri është i përshtatshëm për ju ose jo. Në këto kushte, ju gëzojuni lidhjes, prisni që e nesërmja të rrisë marrëdhënien dhe çdo hap që vjen pas kësaj ta hidhni së bashku, duke mos krijuar asnjë pritje prej frikës se mos mbeteni vetëm.

Fakti që një marrëdhënie e shkuar nuk ka funksionuar, nuk do të thotë se edhe marrëdhëniet e tjera nuk do të funksionojnë. Redi nuk është i njëjti person. Besoj se ju tashmë mund ta bëni dallimin. Por edhe sikur një marrëdhënie të përfundojë, apo të mos jetë e përshtatshme, vendimi për të mos qenë më me partnerin aktual, do të vijë natyrshëm, si pasojë e problemeve që lindin duke mos u përputhur me synimet, parimet apo pritshmëritë tuaja. Duke u nisur kryesisht nga meraku për të mos mbetur vetëm, mund të zgjasni lidhje që nuk janë të përshtatshme për ju. E thënë kështu, merrni kohën tuaj të dy, gëzojuni njëri-tjetrit dhe prisni më të mirën të vijë prej ndjenjës që ndani bashkë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top