FB

July 14, 2022 | 9:10

Posta nga Denada TOÇE / Si ta kapërcej trishtimin?

Përshëndetje psikologe! Për rreth një vit jam diagnostikuar me një çrregullim të humorit që karakterizohet nga pagjumësia, trishtimi i tepërt, humbja e interesit për çdo gjë që bëj, shqetësim i brendshëm: Nuk flas, nuk qesh, nuk bëj shaka, etj. Nën mbikëqyrjen mjekësore marr edhe disa ilaçe që kam mundur t’i zvogëloj ngadalë. Pastaj papritmas simptomat e humorit rishfaqen. Do të doja të dija: a është e mundur të shërohem plotësisht nga «çrregullimi i humorit» dhe të kryej aktivitetet e mia normale pa ilaçe? Faleminderit!

Nga Denada TOÇE, psikologe këshillimi

Të qenit në Çrregullim të Humorit, mund t’ju bëjë të ndiheni të pafuqishëm dhe të pashpresë. Por ju nuk jeni. Së bashku me terapinë dhe nganjëherë ilaçet, ka shumë që mund të bësh vetë për ta luftuar. Si analiste sjelljeje, mbi të gjitha besoj se ndryshimi i sjelljes suaj – aktiviteti juaj fizik, stili i jetës, dhe madje edhe mënyra juaj e të menduarit – janë të gjitha mënyra natyrale për të arritur rezultate, për të menaxhuar vështirësitë me humorin. Por përpara se të flasim për to, është e rëndësishme të krijoni pritshmëri reale dhe të vendosni objektiva reale në raport me gjendjen tuaj dhe arritjet. Stresi apo vështirësitë e shëndetit mendor, nuk janë një barrë që hiqet me dorë, as një grip nga i cili shëroheni mbas dy ditësh, por një lëndim psikologjik, mendor, që kërkon trajtim të vazhduar me veten, deri sa të fortësoni dhe vlerësoni mekanizma të rëndësishëm dhe shumë të vlefshëm te vetja juaj, të cilat për momentin nuk arrini t’i shikoni apo perceptoni objektivisht.

Së pari është e rëndësishme të krijoni një rutinë ditore. Ju ndihmon të filloni dhe vazhdoni ditën. Gjeni më shumë aktivitete që DONI sesa ato që DUHET, më pas gradualisht filloni të krijoni terren për aktivitete të cilat do të duhet të bëhen për të arritur atë që doni. Gjëja e parë që prek depresioni është rutina, ndaj dhe vendosni orare dhe përcaktoni një rutinë.

Pasi të keni vendosur rutinën, brenda kësaj axhende, vendosni qëllime të vogla dhe të arritshme që të ndjeheni mirë. Më pas rrisni sfidën e qëllimeve gradualisht.Krijoni një rutinë gjumi për të marrë orët e mjaftueshme, por me orare regjimi. Mos u merakosni pse ju vjen gjumë në drekë, thjesht vendosni orare brenda rutinës tuaj. Kini respekt për lodhjen që ndjeni dhe vendosni atë si prioritet në axhendën e ditës. Koha e gjumit mund të jetë edhe e pakët, por rëndësi ka të jetë cilësore.Mos harroni të hani shëndetshëm. Mos e kufizoni veten në shumëllojshmërinë e ushqimeve, thjesht krijoni një marrëdhënie në po të njëjtën rutinë. Endorfina çlirohet me aktivitetin fizik, ndaj mos harroni të bëni aktivitet fizik çdo ditë. Ecja është shumë e mirë. Mbani mend, rezoluta dhe qëllime të vogla, të arritshme. Edhe nëse dështoni në to, vjen shumë shpejt e nesermja, pa u shqetësuar, provojeni nesër sërish. Të gjithë ne kemi vështirësi të punojmë kur nuk jemi në humor ose të shkojmë në shkollë ose të shkojmë në angazhime të tjera të ngjashme, pra të marrim përgjegjësi. Ju këshilloj të merrni përsipër të bëni aq punë sa mund të jetë komode për ju. Mos u ndjeni të obliguar të punoni me kohë të plotë nëse nuk ia dilni dot. As mos kini turp të punoni vullnetarisht, sepse është një përvojë mjaft e bukur nëse e provoni dhe do të ndjeheni shumë mirë nëse e praktikoni. Provoni të ndërmerrni disa ose të gjitha hapat e mësipërme, dhe pritini gradualisht ndryshimet. Nga përvoja, rezultatet janë mjaft të mira.

Mos u dekurajoni, ju sërish do të keni momente të vështira me humorin, por ju çdo ditë e më e fortë do të ndjeheni. Edhe fakti që keni kërkuar ndihmë, tregon forcën dhe vullnetin tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top