Posta

December 2, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / A duhet t’i jap të drejtë bashkëshortes sime?

Jemi një çift që kemi 10 vite martuar dhe kemi një djalë 9 vjeç. Është bërë zakon tashmë që të dielave në mëngjes ai vjen në shtratin tonë. Por kjo ka filluar të më shqetësojë. Kurse ime shoqe e sheh si diçka normale. Ajo më kundërshton sa herë i them që kjo që po bëjmë është e gabuar për intimitetin tonë. Nuk e di, e kam gabim unë apo ime shoqe?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Jam shumë kënaqur që më drejtoni një problem dhe pyetje të kësaj natyre. Është kënaqësi për mua t’ju orientoj drejt asaj që rekomandohet në të tilla raste. Është e rëndësishme që ne të shpenzojmë kohë me fëmijët tanë, sidomos kur ajo është cilësore më shumë se sasiore. Është gjithashtu e rëndësishme që ne t’u japim dashuri fëmijëve në të gjitha mënyrat e mundshme, mjafton që ato të jenë të shëndetshme në edukimin dhe mbarëvajtjen e tij.

Nëse i referohemi ardhjes në krevat të fëmijës vetëm një ditë të javës, atëherë ky nuk është një problem shumë i madh, sepse unë do thosha që ka fëmijë që vijnë çdo natë në krevatin e prindërve ose çdo mëngjes, dhe ky është një problem serioz.

Unë nuk e di arsyen e vërtetë se përse fëmija vjen në krevat dhe këto mund të jenë dy: Vjen se ka nevojë (mund t’ju shohë pak gjatë javës dhe mund të jetë i kënaqur që jeni me të aty). Vjen se është mësuar kështu nga stimulimi që i ka bërë e ëma që në fillim. Nuk e di këtë gjë, por bëjani pyetjen vetes dhe çfarëdolloj përgjigjeje t’i jepni, e këshillueshme është që fëmija të flejë dhe të zgjohet në krevatin e tij, madje duhet të marrë lejë nëse ndonjëherë mund të vijë në krevatin tuaj, por kjo mund të ndodhë ndonjëherë. Jo shpesh dhe vetëm atëherë kur fëmija qëndron për shumë pak kohë.

Në rastet kur ne si prindër stimulojmë këtë sjellje, atëherë priremi ta mbajmë fëmijën në një moshë shumë të vogël, të pengojmë ritmin e tij të rritjes, ndoshta mund ta kthejmë edhe në sjellje foshnjore.

Shpesh fëmijët (në mënyrë figurative) me këtë sjellje duan të qëndrojnë në “barkun e nënës” dhe refuzojnë të rriten, të sillen si fëmijë shkollorë në këtë rast, të kenë vështirësi me fitimin e autonomisë. Këto sjellje krijojnë varësi, të cilat janë të pashëndetshme në raport me edukimin e fëmijës dhe përballimin e këtij të fundit të jetës në vazhdim. Ai një ditë duhet të përballet edhe me vetminë, dhe kjo fillon që në shtratin e tij dhe jo të prindërve. Siguria që prindërit janë aty për ta mbështetur mjafton.

Edhe kur fëmija është sëmurë, edhe kur sheh një ëndërr të keqe, shkoni në krevatin e tij dhe qetësojeni me shumë dashuri dhe mund t’i thoni që ishte vetëm një ëndërr, ose shpejt do të shërohesh dhe ne do të kujdesemi. Kjo është e mjaftueshme për fëmijën. Pastaj, po ju ku e keni vendin më vonë, në divan? Shpresoj që jo. Mendoj se duhet të ruani fronin e shtratit tuaj me shumë rigorozitet dhe autoritet (me argumentet përshtatës).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top