Posta

June 4, 2020 | 8:06

Posta nga Denata Toçe / A është fëmija im me autizëm?

Përshëndetje. Dua të ndaj me ju çfarë më tha doktori për vajzën time 17-muajshe. E nxori me autizëm të lehtë, sepse vajza nuk flet asnjë fjalë dhe nuk tregon objektet që do me gisht, por kupton shumë fjalë që i themi ne. Tregon çdo perime ose frut me gisht, kur i lexoj libra ose gjymtyrët e trupit i di, por jo të gjitha. Kur i tregova mjekut që vajza i di këto, ai më tha që kisha unë probleme që nuk e kuptoja këtë ecuri. Nuk e di por më ka traumatizuar kjo situatë.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje e dashur lexuese. Në radhë të parë, dua t’ju falënderoj që ndatë me lexuesit këtë shqetësim, pasi shumë nëna gjenden në situatën tuaj. Është shumë e rëndësishme që në çdo vizitë që bëni te mjeku pediatër, të mund të interesoheni dhe të vëreni kujdesshëm nëse ka ndonjë shqetësim që i përket fëmijërisë së hershme. Fëmijët me autizëm mund të shfaqin që herët simptomat e tyre, kur aktorët e rrugëtimit përgjatë rritjes së tyre janë të mirë-informuar dhe të kujdesshëm.

Asnjëherë nuk është shumë herët për të qenë shumë të kujdesshëm në vërejtjen e çfarëdolloj simptome të mundshme (atë që prindërit e quajnë shqetësim lidhur me një vështirësi të fëmijës.) Jo çdo fëmijë që nuk flet ka autizëm, por jo çdo fëmijë që flet mund të përjashtohet nga autizmi. Ka fëmijë të cilët janë verbalë, pra flasin, por nuk komunikojnë. Mund të thonë shumë fjalë, të njohin dhe emërtojnë artikuj dhe njerëz të ndryshëm, por nuk arrijnë të marrin pjesë në një bashkëveprim të komunikimit social, pra në një bashkëbisedim. Nga ana tjetër, ka fëmijë që nuk tregojnë me gisht që herët, por nuk janë pjesë e spektrit, ashtu sikurse ka edhe fëmijë të cilët mund të tregojnë se çfarë duan me anë të gishtit, dhe sërish janë pjesë e spektrit.

Me anë të kësaj analize të thjeshtë, dua t’ju vendos përballë njohurive më komplekse dhe më objektive rreth mënyrës se si mund të zbulojmë nëse fëmija juaj është pjesë e riskut për të qenë në të ardhmen pjesë e diagnozës të ASD apo jo?! Këtë përgjigje ju mund ta merrni duke iu drejtuar një specialisti të fushës: psikolog zhvillimi apo klinik, i specializuar apo kualifikuar në fushën e vlerësimit dhe identifikimit të hershëm të vështirësive të zhvillimit të fëmijëve, sipas protokolleve përkatëse të vlerësimit. Nuk mjafton një vizitë e thjeshtë te doktori, por një vizitë informative me prindërit dhe fëmijën, me karakter “hetues” të prindërve rreth fëmijës, me karakter vëzhgues dhe testues të fëmijës, duke prekur gjithë fushat e zhvillimit dhe sjelljen e tij.

Kështu do të mund të kemi një tablo më të plotë, shkencore, ku të dhënat nuk përftohen vetëm nga një sy i lirë, por nga një matës protokollar. Vetëm kështu do të mund të shikojmë nëse fëmija arrin të ketë ndonjë apo më shumë simptoma që e vendosin në risk të çrregullimit të ASD. Sugjerimi im, drejtohuni pranë specialistit dhe kryeni një vlerësim sa më herët të jetë e mundur. 

Njihet tashmë shkencërisht, me evidenca që shtrihen në këto dekadat e fundit se, identifikimi dhe trajtimi i hershëm i simptomave të ASD te fëmijët, jep rezultate efektive mbi zhvillimin e këtyre të fundit. Te fëmijët që kanë simptoma të lehta, mund të shkojë deri në mëkëmbjen e tyre.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top