Posta

March 3, 2020 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / I dashuri më shfaqi shenja racizmi, tani më kërkon të shkoj të jetoj me të

 

Jam e dashuruar me një grek prej një viti tashmë. Ai më ka kërkuar të shkoj të jetoj me të, por unë refuzova sepse pashë ca shenja racizmi tek ai dhe u preka. Dhe unë jam pak kundra politikës së tyre, por gjithnjë në këtë pikë do ziheshim. Dhe kjo ishte arsyeja pse u largova, por në drejtimet e tjera gjithçka ishte shumë mirë mes nesh. Familja ime është kundër. Ju çfarë më këshilloni, të shkoj tek ai, apo të tërhiqem një herë e mirë duke ndjekur këshillën e familjes? Jam vërtetë shumë e mërzitur sepse nuk po marr dot një vendim, pasi kam frikë në çdo zgjedhje. 

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Dy partnerë qëndrojnë me njëri-tjetrin jo se janë të kundërt, sikurse dhe dëgjojmë mitin e njohur “të kundërtat funksionojnë”. Ata qëndrojnë se duhen, sepse kanë mendime, qëndrime dhe besime të ngjashme. Sepse jetët e tyre kanë drejtim të ngjashëm. Të kundërtat ndahen në fakt, sikurse ndahen nga njëra-tjetra dy rrugë me drejtime të kundërta.

Mendoj se ky është një fillim i mbarë për të kuptuar nëse personi që ju kërkoni të ndani jetën, më së shumti i plotëson këto elementë. Kujdes! Përpiquni të mos i shikoni gjërat bardh e zi, të mendoni se mosplotësimi i një prej elementëve i hedh poshtë të gjithë të tjerat, vetëm nëse për ju është thelbësor, primar, atëherë vlen të merrni vendimet e duhura për ardhmërinë tuaj. Nëse për ju elementi i racizmit, cenon integritetin tuaj si person dhe në lidhje, atëherë vlen të mendoni se çfarë pamje do të ketë ardhmëria juaj bazuar në këto karakteristika.

Prindërit janë aktor të rëndësishëm në jetën tuaj, por duhet gjykuar me gjakftohtësi se sa i rëndësishëm është miratimi apo mendimi i prindërve tuaj në marrëdhënien tuaj ndërpersonale. A ndikon në mirëqenien tuaj shpirtërore, jetike mirëqenia ose jo e prindërve? Ju mund të merrni vendime mjaft të shëndetshme nëse vlerësoni realisht, me objektivitet, të mirat e kësaj lidhje.

Unë ju ftoj të mos shikoni racizmin si të izoluar më vete, por të lidhur ngushtë me marrëdhënien tuaj që keni me këtë fenomen dhe se çfarë do të sillte kjo në marrëdhënien tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top