FB

March 26, 2021 | 8:15

Posta nga Denata Toçe / Jam e zhgënjyer nga mikja ime

Më vjen keq që i shkruaj këto radhë, por ngushëllimi për rastin tim do të më shërbente. Mikesha ime e ngushtë, shoqja me të cilën ndaja gjithçka dhe nuk kursehesha për asgjë, një ditë papritmas harroi se ekzistoja. Harroi se isha unë ajo me të cilën ndante jetën e saj të vështirë, sociale, ekonomike dhe shpirtërore. Isha unë që e këshilloja gjithmonë për mirë dhe nuk prisja asgjë në këmbim përveçse të shihja lumturinë në sytë e saj. Ishim shumë të lidhura me njëra-tjetrën, më shumë se me motrën. Mirëpo, një herë të vetme që nuk munda ta ndihmoj nga ana ekonomike, sepse ashtu gjendesha në atë kohë, ajo ndryshoi. Fillova të ndihesha keq. Dimë sekretet e njëra-tjetrës. Në tetor u lidh me një djalë dhe që javën e parë u fejua dhe u martua. Mua as llokumin nuk më dha. U lëndova. Një njëri që të gjendet në rastet e vështira, besoj duhet të jetë afër edhe në gëzime. Nuk po gjej qetësi me veten!

Psikologe Këshillimi

Përshëndetje e dashur lexuese. Më vjen keq që gjendeni në një situatë si kjo. Është e natyrshme që ju të ndjeheni e zhgënjyer dhe të mendoni se kjo situatë ju ka lënduar, duke humbur një mikeshë të mirë. Në fakt do të duhet ta shikojmë situatën me më shumë racionalitet, pra të jemi objektiv. Duket se gjatë marrëdhënies suaj ju keni konsumuar shumë energji dhe mund, duke ofruar mbështetje dhe këshillim për shoqen tuaj.

Kjo është një cilësi shumë e vyer e juaja dhe si e këtillë dua t’ju përgëzoj se janë të rrallë miqtë që gjendjen pranë në kohë të vështira. Mbështetja ekonomike është një tjetër situatë. Këtu ju jo vetëm që jepni një kontribut, por mbi të gjitha zhvendosni një të ardhur tuajën te një person tjetër, duke prekur mirëqenien edhe të familjarëve apo personave me të cilën e ndani ekonominë. Por edhe sikur të preknit vetëm mirëqenien tuaj, sërish kjo ju vendos në vështirësi. Parimisht mendoj se, nëse dikush ka mundësi të kontribuojë te miqtë e tij, është e udhës ta bëjë, por çdo mbështetje ka një limit, të cilin sërish e vendosni ju.

Sërish, konstatoj edhe këtë herë se ju e keni ofruar ndihmën ngahera. Në të dyja rastet, pra si me mbështetje sociale por edhe ekonomike, ju keni qenë aty. Uroj që edhe ajo të ketë qenë për ju, sepse marrëdhënia është bashkëndarëse. Duket sikur deri në momentet e mbështetjes ju jeni shoqe mjaft të lidhura, por pyetja ime është, do të mjaftonte vetëm një refuzim mbështetje ekonomike për të prishur një miqësi kaq të ngushtë si kjo që thoni ju? A mjafton kaq pak për të prishur këtë marrëdhënie që ju mendoni se është kaq e ngushtë?

Unë mendoj se jo, ndaj do të duhet të rivlerësoni marrëdhënien me të dhe vlerën që ka për ty. Sa për faktin që ndjeheni keq se mund të keni shkaktuar ndonjë gjë, unë mendoj se ju nuk mund të jeni përgjegjëse për veprimet e dikujt tjetër.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top