FB

June 12, 2021 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Ndarja po dëmton marrëdhënien baba-bir

Po ju shkruaj për vëllain tim. Si shumë të tjerë, edhe ai pati fatin e keq të divorcohej, por fatkeqësia e tij më e madhe po ndodh pas divorcit. Nga martesa lindi një fëmijë (sot është 7 vjeç). Kanë kaluar gati 3 vjet nga divorci dhe djali është mbushur me urrejtje, duke krijuar një ikonë shumë të keqe për të si dhe për gjyshin dhe gjyshen (prindërit e mi). Ai është nervoz dhe i pasjellshëm me ne.

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

 

Kur djali vjen te ne në ditët që ka caktuar gjykata, ato dy javë i kalojmë duke i mbushur mendjen se nuk jemi ashtu siç ai mendon dhe se interesohemi shumë për të. Shumë herë mërzitem, është shumë e dhimbshme kur shoh djalin të sillet në mënyrë të tillë, ndërkohë që nga vëllai im, por dhe nga ne të tjerët atij nuk i ka munguar asgjë. Kam biseduar rreth kësaj situate me tim vëlla dhe më ka thënë se ka biseduar me ish-bashkëshorten që ajo të mos ndikojë te djali për sjelljen që ka, pasi pasojat do jenë të gjitha te djali, sidomos ato psikologjike. Si duhet të veprojë vëllai im që djali të mos sillet ashtu? Si mund të më ndihmoni me ndonjë këshillë? Dua të theksoj se nga ana e ish-bashkëshortes së vëllait, komunikimi për të mirën e djalit është zero. Ju shkrova pasi nuk mund ta shoh vëllanë në këtë situatë duke e ditur se ai po bën ç’është e mundur që djalit të mos i mungojë gjë. Faleminderit për mirëkuptimin.

Divorci është një proces i tërë me disa faza, të cilat ndihmojnë ose jo që marrëdhënia mes partnerëve të jetë relativisht e shëndetshme për fëmijët. Përpara se të shkruaj këtë, do të duhet të sqaroj se sikur të ishte divorci më i mirë i mundshëm i vëllait tuaj me ishpartneren, sërish pasojat e divorcit te fëmijët janë të pashmangshme. Djali është 7 vjeç dhe si rrjedhojë ende bota e tij është e mbushur me një botë ëndrrash, të bukura dhe me besimin se asnjë gjë e keqe nuk mund ta gjejë atë dhe prindërit e tij. Me këtë besim dhe me këtë ndjenjë sigurie, mund ta kemi më të thjeshtë të kuptojmë traumën me të cilën përballet fëmija.

Bota e tij e sigurisë është tronditur, kështu që vlera e një marrëdhënieje pozitive në këtë proces, është themelore. Ajo që zakonisht inkurajohet dhe rekomandohet nga ne psikologët dhe nga të gjithë ekspertët e divorcit, është se si të mund të jetë ky proces sa më i përshtatshëm të jetë e mundur, në favor të fëmijëve. Për të qenë në kontribut të gjendjes emocionale dhe psikologjike të fëmijëve, është shumë e rëndësishme që partnerët të mund të rehabilitojnë marrëdhënien e tyre gjatë dhe post divorc.

Edhe pse në gjykimin tonë njerëzor lehtësisht mund të mendojmë “si mundet prindërit të jenë kaq të papërgjegjshëm”, sërish, nga përvoja, dëshmoj se divorci mbars shumë lëndime psikologjike dhe emocionale te partnerët, që shpesh i pajis ata me mekanizma që e bëjnë të vështirë marrëdhënien mes tyre dhe si rrjedhojë bashkëjetesën me fëmijët. Në këto kushte rekomandohet që ky proces, mbi të gjitha ky proces gjatë dhe post divorc të kalojë në hallkat e këshillimit profesional, për të parë interesin më të lartë të fëmijëve. Partnerët, prindërit janë aktorët kryesor në mirëqenien e fëmijës. Ky i fundit ka pësuar “tronditje” emocionale dhe çdo kontribut intruziv i prindërve do të vendoste fëmijën në një pozicion shumë të vështirë.

Tashmë fëmija mendon se faji është i tij, me mendjen e tij ende shumë naive, kështu që prindërit, të dy palët në këtë rast do të duhet të jenë të kujdesshëm. Meqenëse jeni ju ata që keni shkruar, do ju rekomandoja që vëllai juaj së pari, të ftojë fëmijën në kohën që kanë së bashku të gëzohen në lojëra, aktivitete që kanë bashkërisht dhe në detyrime prindërore. Të mos marrin kohë që të merren me intruzivitet e mundshme që mund të ndodh mes nënës dhe atij. Mbi të gjitha, edhe pse mund të ketë një frymë jo favorizuese ndaj jush, të mund të flitet me parametrat e një respekti për nënën e fëmijës.

Edhe sikur kjo e fundit të ketë problemet e saj, është nëna e djalit. Së dyti, të mund të ftohet në komunikim “paqe-sjellës” për të rehabilituar këtë marrëdhënie, nëse marrëdhënia tashmë ka sjellë divorcin formal dhe shpirtëror. Vëllai dhe nëna të jenë prindër të fëmijës për një kohë shumë, shumë të gjatë, dhe çdo ditë që kalon, vonon këtë marrëdhënie të shëndetshme: komunikim asertiv dhe veprime pranuese. Vëllai juaj duhet të përgatitet se mund të ketë shumë frustrim, urrejtje dhe refuzime nga nëna, për arsye të cilat nuk do t’i gjykoja në asnjë rast, por e rëndësishme është fryma e pranimit të kësaj situate te nëna ashtu siç është dhe të favorizohet e ardhmja për hir të fëmijës, prindërit të cilin do të duhet ta bëjnë bashkë, me apo pa letrat e martesës.

Që të kontribuoni te fëmija nuk mjafton plotësimi i gjithçkaje, përkundrazi, plotësimi i nevojave të vërteta dhe reale janë ato më të rëndësishmet.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 158

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top