Përshëndetje. Jam një ndjekësja juaj prej shumë kohësh. Ju përgëzoj për këshillat sidomos për fëmijët. Kam dy vajza 9 vjeçe dhe 6 vjeçe. Një ditë, teksa ishin duke luajtur me kukulla e me lojën mama dhe bebe, vajza e madhe në lojë e sipër i uli pantallonat dhe mbathjet (pa i bërë gjë). U trondita shumë kur e mora vesh dhe kur e pyeta vajzën e madhe, më tha që e bëra pa dashje. Ngaqë nuk ndihesha mirë dhe doja të kuptoja më shumë, bisedova me të dyja vajzat dhe u thashë: “më thoni anët negative dhe pozitive të këtij veprimi” për të kuptuar më shumë. (Unë u kam folur dhe u kam thënë që asnjë mos lejoni t’ju prekë në vendet intime, pasi ajo është vetëm juaja). Ju lutem, a mund të më jepni ndonjë këshillë si të veproj?
Përshëndetje e dashur nënë. Ju keni vepruar mjaft mirë duke komunikuar me vajzat mbi faktin se nuk duhet të preket nga të tjerët në vendet intime. Më vonë ato do të dinë më shumë mbi organet seksuale. Por një gjë është e rëndësishme në këtë situatë: kurioziteti seksual që ka vajza e madhe mbi seksualitetin, edhe pse është ende e vogël. Është e udhës që ta ruani qetësinë kur ndodhin këto ngjarje dhe prindi është i pranishëm, sidomos nëse imiton procesin e masturbimit.
Ne nuk do të donim që fëmijët të ndihen keq mbi veprimet e tyre seksuale. Ato ndihmojnë në formimin e identitetit seksual dhe personal. Ju mund t’i komunikoni vajzës suaj rëndësinë që veprime të kësaj natyre nuk është e udhës të bëhen me njerëzit e shtëpisë, siç mund të jetë motra në rastin tuaj dhe mbi të gjitha, mirëkuptojani kuriozitetin që ajo ka. Lejojeni fëmijën që t’ju bëjë pyetje – nëse ka – të çfarëdolloj natyre dhe premtojini se do t’i ktheni përgjigje sipas moshës, me fjalë të thjeshta. Dhe mos harroni: vajza juaj e madhe është në periudhën e parapubertetit.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 155
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.