FB

September 14, 2026 | 11:30

Lira Gjika: “Mbylle gojën” të ndalohet me ligj në shkolla dhe kopshte!

Pediatrja e njohur Lira Gjika ngre shqetësimin për mënyrën se si komunikojnë të rriturit me fëmijët, duke kërkuar që shprehja “mbylle gojën” të ndalohet me ligj në institucionet shkollore dhe parashkollore.

lira-gjika-shkolla

Përmes një reagimi, Gjika argumenton se përdorimi i kësaj shprehjeje nuk është thjesht një mënyrë e ashpër komunikimi, por mund të shkaktojë te fëmija ndjenja kërcënimi dhe turpi.

“Kur i thuhet një fëmije ‘mbylle gojën’, ai jo vetëm ndihet keq, por ndihet i kërcënuar dhe i turpëruar njëkohësisht”, shprehet pediatrja. Sipas saj, kjo mënyrë komunikimi është bërë pjesë e përditshmërisë dhe përdoret në familje, shkolla, ambiente publike dhe në marrëdhëniet mes të rriturve dhe fëmijëve, shpesh pa u konsideruar si problematike.

Gjika e lidh këtë çështje edhe me përdorimin e fjalës “pusho”, e cila, sipas saj, nuk duhet të përdoret në institucionet shkollore dhe parashkollore. Ajo thekson se, pavarësisht ndalimeve, shprehje të tilla vijojnë të jenë pjesë e fjalorit të përditshëm.

Pediatrja apelon për një ndryshim në mënyrën e komunikimit me fëmijët, duke e konsideruar të domosdoshme përmirësimin e fjalorit që përdoret në familje dhe në institucionet arsimore.

“Ka ardhur koha, madje jemi vonë, për të përmirësuar fjalorin, sepse janë fjalët ato që krijojnë e zhvillojnë mendimin. Njeriu mendon në bazë të fjalëve që përdor”, argumenton Gjika.

Sipas saj, përdorimi i një fjalori të kufizuar dhe autoritar e vështirëson zhvillimin e të menduarit dhe ndërgjegjësimin për pasojat që mund të kenë fjalët dhe mënyra e komunikimit.

Në fund, Gjika u drejtohet prindërve, mësuesve, edukatorëve dhe të gjithë të rriturve, duke i ftuar të shmangin shprehje të tilla në komunikimin me fëmijët.

“Përpiquni prindër, mësues, edukatorë dhe të rritur në përgjithësi, t’i shmangni këto shprehje”, apelon pediatrja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top