Posta

November 3, 2018 | 8:10

POSTA nga Denata Toçe / Vuaj nga ankthi… Frika te njerëzit është një domosdoshmëri për të përballuar rreziqet

Përshëndetje, po ju drejtohem juve të revistës Psikologjia, për ankthin që më mundon prej shumë kohësh. Arsyeja është se ndodh rrallë kur jemi disa persona në bisedë e sipër skuqem në fytyrë, filloj të djersij dhe humbas atë komunikim apo humorin që kisha pak më parë dhe kjo vazhdon për disa minuta. Më vë shumë në siklet dhe sa herë më ndodh kjo situatë, e ndjej dhe gjej ndonjë arsye të shmangem prej aty. Shqetësim tjetër kam pasi jam dhe kryefamiljar dhe më duhet të flas në një ceremoni dasme së afërmi, gjë që më vë shumë në ankth.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje i dashur lexues. Frika te njerëzit është e pranishme si një domosdoshmëri për të përballuar rreziqet. Është pjesë e spektrit të emocioneve tona dhe si e këtillë vlen të pranohet natyrshëm te ne. Por, kur frikërat tona na pengojnë të përballojnë situatat e jetës së përditshme, atëherë ajo ka marrë përmasat e fobisë, ose çrregullimit të ankthit. Sigurisht që për të përcaktuar nëse frika apo ankthi që ju përjetoni është përtej parametrave të emocioneve tipike që përjeton individi, do të duhet të përfshiheni një marrëdhënie profesionale, duke iu nënshtruar shërbimit psikologjik.

Aty do të kuptoni më mirë se çfarë e shtyn frikën tuaj të arrijë përmasa të cilat pengojnë të përditshmen tuaj. Ndoshta mendime irracionale që lidhen me situata sociale që ju i përjetoni si vlerësim absolut mbi veten tuaj. 

Ndoshta ju e shikoni si absolutizëm faktin se ajo që mund të thoni ose mund të bëni në prezencë të të tjerëve do të duhet të jetë me vlerë, ose ndryshe përbën dështim. Këto janë faktorë irracionalë që e vështirësojnë jetën tuaj emocionale dhe kësisoj, e rrisin nivelin e frikës duke shkaktuar ankth të fortë dhe fobi ndaj situatave sociale të cilave ju përpiqeni t’i shmangni. 

Megjithatë, duket se përpjekjet tuaja për të përballuar situatat sociale është prezentë dhe kjo është një forcë e mirë për të progresuar drejt ndryshimit pozitiv. Pranimi i vështirësisë dhe kërkesës për ndihmë është një fillim i mirë. Dhe siç thonë, fillim i mirë është gjysma e punës.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 132

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top