Posta

March 4, 2017 | 10:18

POSTA/ Nuk ndihem gati ta mirëpres këtë fëmijë, por burri nuk më lejon abortin

1

Jam një vajzë 24 vjeç, e martuar dhe kam një vajzë 21 muajshe. Jam shtatzënë me fëmijën e dytë, 3 muaj e 20 ditë tani. Është një shtatzëni pa plan, e pritur shumë keq nga unë. Kam diskutuar shumë herë abortin me tim shoq edhe nuk pranon, sa më tha në qoftë se do të bësh abort do ndahesh me mua. Jetoj jashtë shtetit pa dokumenta edhe e kam të vështirë të bëja një kërkesë të vetme për abort.

 Tani po shkruaj diçka rreth martesës sonë. Jemi martuar para dy viteve e gjysmë dhe burri donte të kishim një fëmijë. Ndërkohë unë nuk isha dakord, doja një vit më vonë të kalonim pak kohë me njëri-tjetrin. Nuk më dëgjoi fare bëri si deshi e që muajin e parë ngela shtatzanë. Në rregull, linda vajzën nuk u mërzita meqë ai kishte shumë dëshirë për një bebe. Pas lindjes së vajzës i kam thënë: unë e bëra një fëmijë kur doje ti, tjetër do bëjmë kur të dua unë. Nuk dua të bëj fëmijë afër e afër, kështu që do marr kokrra. Nuk më ka lejuar të pi kokrra, thotë nuk mbetesh shtatzënë. Edhe përgjigja ime ka qenë në qoftë se mbetem shtatzënë unë do bëj abort. Edhe më thoshte ti për të bërë se për të bërë e ke, më mirë bëje tani. Unë s’jam dakord të bëj një fëmijë të dytë pa dëshirën time. Nuk ndihem gati për një fëmijë tjetër. Edhe në këto dy vite e gjysmë nuk e kam pasur kurrë mbështetjen e tij, të më nxjerrë një herë nga shtëpia në fundjavë, apo të dalim bashkë me çupën. Në këto tre muaj shtatzënë vetëm e mërzitur kam qenë,  gjithë kohën qaj sa mendoj edhe të vras veten, se nuk po mundem më të vazhdoj me këtë shtatzëni. Më janë bërë fiksim gjithë debatet me bashkëshortin, përgjigjet e tij edhe që nuk dua të bëj një fëmijë tani. Nuk ndihem gati. Dua një përgjigje të sinqertë …

Përgjigjie nga psikologia:

Adelina Pjetra Psikologe Klinike

Adelina Pjetra
Psikologe Klinike

E dashur nënë e re,

E kuptoj shumë mirë si ndiheni dhe çfarë mendimesh ju kalojnë në këto momente në kokë. Në të gjithë këtë tregim që ju keni bërë, personat më të pafajshëm janë fëmijët tuaj. E kuptoj që ndiheni e nënvlerësuar, që nuk ju kanë marrë në konsideratë, që shumë vendime janë marrë për ju pa miratimin dhe pëlqimin tuaj. Ju jeni shprehur që në të dyja shtatzënitë, nuk jeni ndjerë e gatshme për t’i mirëpritur ato. Dhe kjo papërgatitje duke i shtuar dhe mos mirëkuptimin nga ana e bashkëshortit tuaj, ju ka shtuar më tepër ankthin, stresin duke më lënë të kuptoj që ndoshta që pas shtatzënisë së parë mund të keni qenë në një depresion post-partum , e cila ka mbetur e patrajtuar. Ardhja e një shtatzënie të dytë në këtë situatë, ju ka rënduar edhe më tepër gjëndjen tuaj psikologjike. Duke ju sjellë këto mendime negative për veten, që unë e shoh si një situatë alarmi.

Sinqerisht (meqenëse më kërkuat një mendim të sinqertë), ju lutem konsultohuni me një Psikolog sa më parë.Gjithashtu, është shumë e rëndësishme (edhe pse e them dhe do ta them shumë herë këtë) , të komunikoni patjetër me bashkëshortin tuaj . Mundohuni t’i shprehni të gjitha këto që keni shkruar në këtë mesazh, duke i shpjeguar çfarë po përjetoni dhe po mendon tani. Kërkojini ndihmë dhe mbështjetje. Ju lutem mos neglizhoni dhe rolin e familjes tuaj ( prindër, motra, vëllezër), ato duhet të jenë në dijeni të gjendjes tuaj . Të ndash problemin/shqetësimin me dikë të dashur është një hap për të lehtësuar barrën që mbani mbi supe. Ata duke ju njohur më mirë ju dhe bashkëshortin tuaj mund t’ju ofrojnë një ndihmë të vlefshme dhe të menjëhershme.

Mund të kisha shkruar shumë, SIKUR, PSE dhe ÇFARË në këtë përgjigje, por mendoj që në rastin tuaj fokusimi në gjëndjen aktuale është më i rëndësishëm.

Mundohuni të qetësoni veten, mos shikoni vetëm errësirën rreth jush, stresi që ju po kaloni i transmetohet dhe fëmijës suaj. Tashmë jeni një nënë dhe misioni i nënës në jetë i kapërcen të gjitha barrierat, të gjitha problemet, sepse ka diçka shumë më të rëndësishme se vetja jonë dhe ato janë “fëmijët tanë”. Gjej forcën brenda teje dhe sfidoje këtë moment. Kërko ndihmë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top