Posta

August 28, 2017 | 9:15

POSTA/ Si të afrohem sërish me të dashurin?

1Përshëndetje e nderuara psikologe Denata. Kam nevojë për një këshillë. Jam në një lidhje prej një viti e gjysmë dhe gjërat i kemi bërë edhe familjare. Në fillim ai sillej shumë mirë me mua, takoheshim më shpesh. Tani flasim shumë pak, një herë në ditë. Ai gjen gjithmonë pretekstin e punës dhe thotë se është shumë i lodhur. As xheloz nuk bëhet më. Kur e pyes nëse më do, ai më thotë “Po”, vetëm se nuk e shpreh. E ndiej që jemi larguar, ndoshta edhe nga largësia fizike. Ju lutem më jepni një këshillë si të afrohem sërish me të. Ju faleminderit.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Në një marrëdhënie do të duhet të parashikojmë edhe kuptojmë që kurba e saj ndryshon me kalimin e viteve, në rastet tipike, kur nuk kemi pastaj të bëjmë me rastet e mundshme të një marrëdhënieje të jashtme nga marrëdhënia mëmë. Do të duhet të përqendroheni te pritshmëritë tuaja të lidhjes që prej fillimit. Përpara se të bëni një vlerësim të situatës, është e udhës që të zhvisheni nga “zinxhirët” e mendimit se të gjithë e dinë, sidomos familjarët. Shikoni me arsye dhe objektivitet nevojat tuaja, pritshmëritë, partnerin tuaj dhe pasi të bëni vlerësimin se ku qëndrojnë balancat midis çfarë doni dhe çfarë keni realisht, është koka e KOMUNIKIMIT. Siguroni një kohë të përshtatshme me partnerin që t’ia komunikoni shqetësimin tuaj. Është e thjeshtë ta nisni dhe bitisni duke iu drejtuar partnerit mbi atë që ai bën apo më mirë të themi mbi atë që ai nuk bën. Kjo nuk do ta çonte bisedën në një komunikim të shëndetshëm, pasi me siguri që partneri juaj mund të ketë një mendim tjetër. Ajo që dini është më shumë drejt vetes suaj, pra çfarë ju bëni apo nuk bëni, çfarë ju ndjeni, çfarë ju shikoni dhe si e gjykoni. Filloni t’i tregoni hapur se si jeni ndjerë me të kur jeni njohur, si ia keni kaluar deri tani dhe çfarë ndryshimesh vëreni. Filloni t’i shprehni hapur atë që më shkruani edhe mua, se ndjeni se nuk po kaloni më shumë kohë komunikimi së bashku dhe se si ndjeheni keq që nuk jeni më afër, si më parë. Kërkojini atij se si e shikon këtë situatë dhe nëse ka diçka që mund të bëni ju për këtë gjë. Më pas kërkojini nëse ai ka një ide se si mund të jeni më të angazhuar me njëri–tjetrin, por pa i ngarkuar ndonjë faj specifik. Kini kurajën t’i kërkoni nëse ai vet ka diçka për të cilën kërkon t’jua thotë, por nuk e ka gjetur dot kurajën. Këto dhe shumë të tjera vlejnë që të mund të afroheni më shumë në intimitet bisede dhe të kuptoni më shumë që më pas të merrni vendimin e duhur, nëse do të duhet ta vazhdoni rrugëtimin së bashku ose jo. Shumë prej nesh mendojnë se fundi i një marrëdhënieje është fundi i tij, por në fakt nuk është kështu. Në rastin më të mirë, është fundi i një marrëdhënieje që nuk arrin të zhvillohet, sikurse ju do të donit dhe ajo nuk meriton më shumë kohë nga jeta juaj e vlefshme, por meriton të konsumohet deri sa ta kuptoni dhe ta pranoni atë. Nëse nga biseda kuptoni se është thjesht një ngarkesë rutinë e jetës së përditshme, që kërkon të përballesh me lloj-lloj tallazesh dhe kjo ndonjëherë të shkëput nga disa prioritete në marrëdhënie, atëherë ndërtoni një plan së bashku se si mund të kënaqeni me njëritjetrin. Kërkoni pa hezitim dhe ndryshime të vogla që mund t’ju gëzojnë, një udhëtim, një darkë, një festë të vogël në shtëpi në intimitet, etj. Gëzojuni njëri-tjetrit pa hezitim se jeni të rinj dhe keni energjinë e jetës në duart tuaja. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top