Prindër, përpiquni që fëmijëve deri në moshën dy vjeç mos t’i përdorni celularin, TV apo kompjuterin, qoftë për ta ushqyer apo për të parë përralla e lojëra në të. Por edhe pas moshës dy vjeç duhet kujdes. Përdorimi i mjeteve elektronike deri në moshën dy vjeç bën vetëm dëm.
Nga Lira Gjika, mjeke pediatre
Përdorimi i mjeteve elektronike, provokon atë që shkencëtarët e quajnë “autizëm virtual”. Fëmija fillon t’i mësojë fjalët dhe të folurën jo më nga njerëzit, pra nëna, babai dhe të afërmit e tjerë, por nga sendi.
Fjala dhe e folura janë “produkte” sociale, ato mësohen dhe zhvillohen nëpërmjet komunikimin njeri me njeri. Kur të rriturit e prishin këtë rregull dhe e lënë fëmijën vetëm me sendet, ai nuk ka rrugë tjetër, mbetet i vetëm në botën virtuale të “sendit që flet”. Në këto mosha të brishta, ai nuk e zhvillon fjalën dhe të folurën si një marrëdhënie njeri më njeri.
Të qëndruarit vazhdimisht me mjetet elektronike, pengojnë te fëmija zhvillimin e të gjitha strukturave që realizojnë procesin e komunikimit dhe të folurës. E folura është eksperienca dhe eksperimenti më i fuqishëm që e bën njeriun njeri.
Kujdes prindër, padashur po i gjymtoni fëmijët tek e folura dhe komunikimi. Fëmija sapo lind vëzhgon nënën që të sigurohet, të zhvillojë të folurën dhe të zhvillojë komunikimi. Ky proces është i lidhur me nënën me kontaktin me të, me shikimin dhe zërin e saj. Në këto moment fillon e ndërtohet themeli i psihës së fëmijës për t’u rritur e bërë vetja. Prandaj evitoni celularët, kompjuterat dhe TV. Njeriu është qenie kohore dhe fëmija si i tillë duhet ndihmuar që sa vjen në këtë botë.
Proceset e sigurisë dhe të të folurit po nuk u ndërtuan në këtë periudhë të jetës, pra 0-2 vjeç më pas gjithçka mbetet në dorë të rastësisë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.