Këshilla & Arsye

October 23, 2016 | 16:35

“Prit edhe pak”, një ushqim i përditshëm, për të mbajtur shpirtin gjallë

Aspak s’e kisha menduar se do të botoja tani edhe një libër tjetër me vjersha, në një kohë kur i kam kaluar të 80-të vitet dhe kur, siç i thotë Nilo Milto, Sotir Gurrës “ata andej nga varrezat po na e bëjnë me sy”.

Po ja që, poezia ndonjëherë u kthyeka në mënyrë jetese, domethënë, në një ushqim të përditshëm, për të mbajtur shpirtin gjallë. Ky ushqim u mblodh javë për javë e muaj për muaj dhe pa u kuptuar, u mbush një fletorkë e tërë.

Dhe kështu, duke rënë fjala për ushqimin, që dikujt ky emërtim për poezinë mund t’i duket banal, m’u kujtua një mendim i Bodlerit, se “Gjithë universi i dukshëm nuk është gjë tjetër veçse një magazinë imazhesh dhe shenjash, të cilave imagjinata do t’u japë një vend dhe një vlerë relative: është një lloj kullote, të cilën imagjinata duhet ta hajë dhe ta transformojë”.

Unë, mesa duket, jam mësuar në këtë kullotë si ai kau plak, që ha dhe ripërtyp, megjithëse dhëmbët i janë shkurtuar. Edhe kjo ripërtypje është një lloj transformimi. Kjo më sjell në mend diçka të largët.

Im atë kishte një ka, që e mbajti edhe të plakur. Kur e shihte që kulloste në livadh, thoshte: “Ha bar, i shkreti, po dhëmbët i janë shkurtuar, se ngaherë përtypet”. Ishte ky një ka ahuri dhe e thërrisnim me emrin Kazil. Edhe kur u plak dhe nuk mund të lëronte, im atë nuk e theri për ta bërë pastërma. “Të rrojë sa të rrojë”, thoshte ai.

Dhe një ditë, kaut i shkanë këmbët e plakura në një monopat shkëmbor në Poçravë, – kodër mbi fshatin Menkulas, përtej lumit të Devollit, – dhe ra. Im atë thoshte “vdiq”. Ku është element i universit, dua të them edhe kjo vdekje. Dhe “universi” shqiptar ka një kullotë aq të pasur, sa edhe imagjinata më e ndezur do të nginjej dhe do të velej, duke kullotur.

Mbase kjo më ka shtyrë të nxjerr në dritë edhe këtë libër me titullin “Prit edhe pak”, që do të thotë se ende nuk e kam kullotur livadhin. Po ka edhe një arsye tjetër. Mendova që këtë përmbledhje vjershash t’ia kushtoj gruas sime, Sadijes, e cila ka mbi gjysmë shekulli që ecën krah meje. Për vargjet e mia ajo vuan pothuajse si unë.

Shënim i autorit, Dritëro Agolli

prit-edhe-pak-dritero-agolli

 

Titulli: Prit edhe pak

Autori: Dritëro Agolli

Gjinia: Poezi

Shtëpia botuese: BOTIMET DRITËRO

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top