Një filozof i vjetër ka thënë se “Vlera e mësuesit dhe kupa qiellore nuk mund të maten kurrë”. Vetëm një mendje e ndritur mund të njehsojë vlerën e pafund të mësuesit me kupën qiellore, që nuk ka as fillim dhe as fund. Ndonëse ky vlerësim mund të mos jetë plotësisht i merituar për çdo mësues a profesor, por për shumicën e tyre besoj se po.
Ne mësuesit dhe profesorët kujtojmë se kemi monopolin e vlerësimit të nxënësve dhe studentëve tanë, por harrojmë se çdo ditë jemi në provë e provim para tyre. Ata na vlerësojnë me aq objektivitet e vërtetësi, sa as vetë nuk arrijmë ta imagjinojmë. Nxënësit dhe studentët janë pasqyra ku ne duhet të shikojmë veten çdo ditë.
*Prof. Dr. Ethem Ruka
Nëse ne pedagogët, para se të dalim para studentëve, nuk përgatitemi si të ishte mësimdhënia e parë e jetës, nëse nuk shfrytëzojmë si duhet lirinë tonë akademike për të pasuruar çdo vit atë që i ofrojmë auditorit, nëse në shpjegim mbetemi skllav i leksionit të shkruar dhe nuk bëjmë dot pa të, atëherë nuk e bëjmë si duhet detyrën tonë.
Nëse ne pedagogët gjatë ligjërimit nuk arrijmë të rrokim gjithë vëmendjen e studentëve, nuk thithim drejt vetes shikimet e tyre, nuk kemi emocionin e një artisti që del për herë të parë në skenë, nuk bindim, por imponojmë, nëse e bëjmë të thjeshtën të vështirë në vend që të vështirën të bëjmë të thjeshtë e të kuptueshme, atëherë nuk e bëjmë si duhet detyrën tonë.
Nëse ne pedagogët nuk falim dashuri, të mos presim dashuri nga studentët, nëse nuk falim buzëqeshje, përballë do të kemi vetëm fytyra të ngrysura, nëse nuk i respektojmë studentët, të mos presim respekt prej tyre, nëse nuk respektojmë dinjitetit e tyre, por e nëpërkëmbim atë, atëherë nuk e kemi bërë si duhet detyrën tonë.
Nëse ne pedagogët, pavarësisht nga mosha, nuk zbresim dot në moshën, interesat e psikologjinë e studentëve tanë, kemi humbur një pjesë të dimensionit tonë si mësimdhënës.
Nëse ne pedagogët, kur hyjmë në auditor, nuk harrojmë dhimbjet sëmundjes, nëse nuk harrojmë shqetësimet tona, si lodhja, stresi, problemet familjare e shoqërore, atëherë nuk e kemi bërë si duhet detyrën tonë.
Nëse ne pedagogët, qofshim kërkuesit apo profesionistët më të mirë në fushat tona, nuk e konsiderojmë veten në radhë të parë mësues të mirë, nuk e ushtrojmë si duhet detyrën tonë.
Nëse ne pedagogët nuk kemi oratori e intonacionin e duhur në të folur, nuk kemi rrjedhë logjike, nuk kemi qartësi, shkruajmë keq, nuk kemi dorë për të skicuar e vizatuar, nuk kemi shije për të mbajtur veten, nëse kemi marrë qoftë edhe një pikë alkool para mësimdhënies, nuk jemi aspak mësimdhënës të mirë.
Ne nuk mund t’u mësojmë gjithçka studentëve tanë, por duhet t’u mësojmë atyre si të mësojnë e mendojmë në mënyrë vijon nga faqja 1 kritike e të pavarur. Nëse ne pedagogët nuk jemi në gjendje të vëmë në lëvizje fuqinë mendore të studentëve për të dalluar prirjet e tyre, nëse nuk edukojmë shpirtin e kërkimit e inovacionit, nëse nuk edukojmë punën në ekip, atëherë nuk e kemi bërë si duhet detyrën tonë.
Nëse ne pedagogët ngremë zërin dhe nuk jemi të aftë të kalojmë me elegancë e pak humor gabimet e vogla të studentëve, nëse leksionet tona kanë në sfond zhurmën e tyre, nëse nuk u japim mundësinë studentëve të bëjnë pyetje e të diskutojnë, atëherë nuk e kemi bërë si duhet detyrën e tonë.
Nëse ne pedagogët i favorizojmë studentët në vlerësim nisur nga pozita sociale dhe ekonomike e prindërve të tyre, duhet të pranojmë se heshturazi jemi të gatshëm për përfitime të padrejta e korruptive, gjë që është e dënueshme.
Nëse ne pedagogët i dallojmë studentët në vlerësim nga paraqitja e jashtme, origjina, gjinia, ngjyra, besimi, bindjet politike apo kritere të tjera diskriminuese, kemi dhënë shembullin më të keq për shkeljen e dinjitetit e të drejtave të njeriut dhe kemi vrarë besimin e studentit të barazia e shanseve për të ardhmen.
Nëse ne pedagogët bëjmë shantazh mbi studentët në provime, nëse shkëmbejmë notën në këmbim të privilegjeve materiale apo shpirtërore, atëherë nuk duhet ta quajmë veten pedagogë dhe porta e auditorit duhet të jetë e mbyllur përgjithmonë për ne. Nëse…
* Ish-ministër i Arsimit dhe i Shkencës, sot rektori i universitetit “Luarasi”
Burimi Gazeta Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.