Ankthi që shpërthen përpara një provimi, një interviste apo një performance nuk është thjesht një reagim i rastësishëm emocional, por një proces kompleks që ndërthuret midis faktorëve psikologjikë dhe socialë. Në thelb, ai lidhet me mënyrën se si individi e percepton veten në raport me pritshmëritë, vlerësimin dhe gjykimin e të tjerëve.

Sipas Sigmund Freud, ankthi është një sinjal i brendshëm që paralajmëron për një kërcënim, jo domosdoshmërisht fizik, por shpesh simbolik, siç është rreziku i dështimit apo i humbjes së vlerës personale. Në kontekstet performuese, ky “kërcënim” lidhet me frikën e mos përmbushjes së standardeve, qofshin ato personale apo shoqërore. Në perspektivën socio-psikologjike, një rol kyç luan mënyra se si individi e vlerëson situatën. Richard Lazarus, përmes teorisë së tij të vlerësimit kognitiv, argumenton se emocionet burojnë nga interpretimi që i bëjmë ngjarjeve. Kur një provim apo intervistë perceptohet si kërcënim dhe jo si sfidë, sistemi emocional aktivizon ankthin si mekanizëm mbrojtës. Ky interpretim nuk është i izoluar, por formohet nga përvojat e mëparshme, nga vetëbesimi dhe nga normat sociale që përcaktojnë çfarë konsiderohet sukses apo dështim.
Nga ana tjetër, Albert Bandura thekson rëndësinë e vetë-efikasiteti, pra besimi i individit në aftësinë e tij për të përballuar situata të caktuara. Kur ky besim është i ulët, edhe situatat relativisht të zakonshme mund të perceptohen si kërcënuese, duke rritur nivelin e ankthit. Në të kundërt, individët me vetë-efikasitet të lartë kanë më shumë gjasa ta interpretojnë të njëjtën situatë si mundësi për të treguar aftësitë e tyre.
Një dimension tjetër i rëndësishëm është ai social. Erving Goffman e përshkruan jetën sociale si një “skenë” ku individët performojnë role përpara të tjerëve. Në këtë kuptim, provimet, intervistat apo performancat janë momente ku “imazhi” i vetes është në rrezik. Ankthi lind nga frika se kjo performancë mund të mos përputhet me pritshmëritë e audiencës, duke rrezikuar identitetin social të individit. Ky presion rritet edhe më shumë në shoqëri ku suksesi matet fort përmes arritjeve akademike apo profesionale. Po ashtu, Leon Festinger, përmes teorisë së krahasimit social, shpjegon se individët e vlerësojnë veten duke u krahasuar me të tjerët. Para një provimi apo interviste, mendimet për performancën e të tjerëve mund të intensifikojnë ndjenjën e pasigurisë dhe të rrisin ankthin, sidomos kur individi beson se është më pak i përgatitur apo më pak i aftë.
Në këtë mënyrë, ankthi nuk duhet parë vetëm si dobësi personale, por si një reagim i natyrshëm ndaj një kombinimi faktorësh: perceptimi i kërcënimit, niveli i vetëbesimit dhe presioni social. Ai është, në një farë mënyre, një pasqyrë e ndërveprimit midis botës së brendshme psikologjike dhe strukturave të jashtme sociale që formësojnë pritshmëritë dhe vlerat tona.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

