FB

May 12, 2026 | 20:00

Pse marrëdhëniet dështojnë?

Marrëdhëniet shpesh dështojnë jo për shkak të mungesës së dashurisë, por sepse ndërtohen mbi iluzione dhe pritshmëri të rreme. Pjekuria qëndron në pranimin e tjetrit ashtu siç është, dhe në guximin për të qenë vetvetja, pa u përpjekur të përshtatesh me fantazinë e dikujt tjetër.

alda-bircaj-okokok

Pas shumë vitesh, dëgjova “Προσωπικές Οπτασίες” (“Vizionet Personale”) të Katsimichaion.

“Ndoshta as unë nuk isha ajo që ëndërroje.” Dhe diku aty përmblidhet e gjithë e vërteta e marrëdhënieve në një fjali të vetme. Në marrëdhënie nuk takohen thjesht dy njerëz…, takohen dy fantazi. Takohen dy histori që secili mbart brenda vetes për mënyrën se si duhet të jetë tjetri. Dhe, diku në mes, qëndron një njeri i vërtetë, që shpesh mbytet nën peshën e këtyre pritshmërive.

“Vizionet personale” janë materiali me të cilin ne e ndërtojmë tjetrin para se ta njohim: ai do të më kuptojë pa fjalë, do të më zgjedhë gjithmonë, do të më shërojë plagët që të tjerët lanë pas, nuk do të largohet, nuk do të lodhet, nuk do të ndryshojë.

Dhe kur tjetri nuk e përballon dot rolin që i kemi dhënë, ne themi: “Ti ndryshove.”

Jo! Ai thjesht rrëzoi fantazinë tonë.

Shpesh, zhgënjimi në marrëdhënie nuk lind sepse tjetri “nuk është i mjaftueshëm”, por sepse ne i kërkuam të veshë një “kostum” që nuk ishte i tij. Dhe kështu, në vend që të pyesim: “Kush je ti?”, pyesim: “Pse nuk je ai që prisja?”

cift-komunikim-zenke1

Pjekuria në një marrëdhënie fillon atëherë kur arrin ta shohësh tjetrin pa skenar: me kundërthëniet, kufijtë dhe momentet kur ai nuk të mbulon, nuk të shpëton, nuk të konfirmon.

Dashuria nuk ka të bëjë me konfirmimin e iluzioneve. Ajo ka të bëjë me mbijetesën e marrëdhënies pas shembjes së tyre. Dhe nëse ka diçka që ia vlen të mbash nga kjo këngë, është kjo:

Nuk dështove sepse nuk ishe ajo që ëndërronte tjetri. Dështove vetëm nëse nuk guxove të jesh ajo/ai që je.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top