Në fokus

November 11, 2017 | 8:00

Pse ndihemi mirë kur bëjmë mirë?

1

Njohja e vetvetes është shumë e rëndësishme, sepse na ndihmon të ndërtojmë sigurinë në vetvete, na ndihmon të përballojmë jetën pa u tërhequr prej saj. Gjithashtu na ndihmon ta kuptojmë tjetrin më lehtë, si dhe të kemi një vetëvlerësim më pozitiv dhe real. Njeriu e njeh veten, jo vetëm duke parë brenda saj, por edhe nga mënyra se si e shohin të tjerët, e kështu, ai mund të krijojë atë njohjen më të thellë. Mosnjohja e vetes ose e unit personal dhe aq më tepër injorimi i tij, herët a vonë e fut njeriun në një qorrsokak emocional.

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Duke punuar për të njohur veten, dhe për ta arritur këtë nivel, ka kaq shumë për të thënë, saqë nganjëherë duket pothuajse si një racë e ndryshme e qenies njerëzore. Ai që angazhohet në njohjen e vetes dhe të tjetrit është një njeri që ka marrëdhënie të mira me veten, por dhe komunitetin apo miqtë. Është ai që i jep më shumë rëndësi vlerave të brendshme shpirtërore e intelektuale dhe jo paraqitjes së jashtme. Është ai që di ta respektojë dhe ta pranojë tjetrin ashtu siç është. Kështu që, njohja e vetes nuk mund të mos japë fryte përballë të tjerëve. Njohja e tjetrit në situata të ndryshme e sigurisht për t’i qëndruar pranë e për të bërë mirë, kërkon vullnet, angazhim dhe njohje të situatës, që i vihet përballë, por dhe mjete e ngjyra. Kështu ndodh edhe me njohjen e vetes. Kjo nuk mund të arrihet për një kohë të shkurtër, e nuk mund ta bëjmë vetëm, pa përfshirë edhe të tjerë. Jam e sigurt se të paktën një herë në jetë kemi provuar një ndjenjë shumë të bukur, pasi kemi ndihmuar dikë për të zgjidhur një problem apo për të kaluar një moment të vështirë. Nuk nevojiten veprime të ekzagjeruara, shpesh mjafton edhe vetëm një buzëqeshje për t’i dhuruar harmoni atij që kemi përballë.

Të ndihmojmë një të moshuar duke i mbajtur çantën me ushqime, ta ndihmojmë të kalojë rrugën; të përqafojmë një mikeshë në një moment dëshpërimi, ta inkurajojmë e mbështesim para një mbledhjeje të rëndësishme pune, ta mbështesim në një zgjedhje, ta këshillojmë; të ndihmojmë mamanë në kuzhinë apo duke larë enët, të bëjmë punët e shtëpisë; të ndihmojmë dikë duke ditur të dëgjojmë problemet e tij e më pas ta këshillojmë se si të veprojë… apo edhe thjesht duke ndenjur në heshtje e ta ndihmojmë me një buzëqeshje inkurajuese, janë të gjitha gjeste që në njëfarë mënyre na bën të ndihemi edhe vetë mirë. Shprehje të tipit “Unë jam këtu” të thëna në momentin e duhur mund të ndihmojnë të tjerët më shumë se sa mijëra fjalë.

Pse të ndihmojmë të tjerët na bën të lumtur?

Jo vetëm sepse ne, qeniet njerëzore e kemi brenda nesh, në ADN-në tonë, dhe sepse ndihemi të kënaqur, por edhe sepse nga këndvështrimi shkencor ndodh realisht diçka në mendjen tonë kur ndihmojmë dikë. Pa u thelluar shumë në detajet mjeko-shkencore, në trurin tonë ka disa substanca kimike që aktivizohen kur bëjmë një gjest të mirë për tjetrin. Kur ndihmojmë dikë, hormonet e stresit, në njëfarë mënyre çaktivizohen, duke ndikuar pozitivisht te një tjetër lloj hormonesh, ato të lumturisë. Ja sepse jemi të kënaqur pasi ndihmojmë dikë. Kjo është mënyra më e thjeshtë e shpjegimit. Studimet thonë se, kur meditojmë për gjërat e mira që gëzojmë në jetë dhe kur shfaqim mirënjohje për mirësinë që na tregojnë të tjerët, mund të ndihemi goxha më mirë. Por, gjëja më e rëndësishme nga të gjitha, është se të mirat që ne u bëjmë të tjerëve të jenë gjithmonë spontane, të sinqerta, pa qëllime të këqija. Në të kundërt, çdo gjë që keni bërë deri tani do të shkatërrohet paevitueshmërisht.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com