Ndonjëherë duket sikur t’i japësh fëmijës atë që dëshiron në momentin që duan, është gjëja më e lehtë për të bërë. Megjithatë, ndodh e kundërta. Edhe pse fëmijët mund të ndjehen momentalisht të kënaqur dhe mund të duket sikur problemi është zgjidhur, në planin afatgjatë, kjo sjellje e vazhdueshme sjell një sërë pasojash që mund të ndikojnë seriozisht tek ta kur të rriten.
“Bright Side” tregon pse nuk duhet t’u siguroni fëmijëve në mënyrë sistematike gjithçka, si dhe arsyet pse prindërit shpesh e përvetësojnë këtë zakon dhe pasojat që kjo sjell tek të vegjlit.
Nga lind nevoja për t’u dhënë fëmijëve gjithçka që ata kërkojnë?
Në përgjithësi, prindërit që kanë tendencë t’u japin fëmijëve gjithçka që duan, e bëjnë këtë nisur nga ndjesia e fajit dhe e mungesës së kohës së mjaftueshme për t’ua kushtuar atyre.
Kur prindërit ndjejnë se nuk po bëjnë një punë aq të mirë sa mund të bënin si prindër, ose se po dështojnë në aspekte të caktuara të prindërimit, shfaqet ndjesia e fajit.
Nisur nga ndjesia e fajit, mund të fillojmë të mendojmë për zgjidhje të gabuara.
Arsyet e kësaj ndjesie mund të jenë të ndryshme, por një nga më të zakonshmet është mungesa e kohës. Siguria se, si prindër, po humbni momente të vlefshme me fëmijët tuaj, që nuk po përkushtoheni sa duhet, ose që për shkak të mungesës së kohës nuk ekziston një lidhje prind-fëmijë. Sidoqoftë, në këtë mënyrë nuk do të jeni në gjendje të rregulloni ose kompensoni atë që ju mungon. Në të vërtetë nuk do t’u bëni ndonjë të mirë, por përkundrazi, do t’i dëmtoni seriozisht në të tashmen dhe në të ardhmen.
Pasojat e lehtësimit të gjithçkaje për fëmijët.
Pasojat e lehtësimit të gjithçkaje për fëmijët tanë (ose dhënia e gjithçkaje që ata dëshirojnë) janë të ndryshme, por të rëndësishme dhe mund të shihen si në planin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.
Frustrimi dhe toleranca e ulët ndaj tij.
Kur fëmijët marrin gjithçka që duan vetëm duke e kërkuar, ata nuk e kuptojnë kuptimin e fjalës “jo”. Kur fëmijëve u thuhet “jo”, ata mund të zhgënjehen që nuk marrin atë që duan, por e kuptojnë se nuk mund të kenë gjithçka që duan në një moment të caktuar, se nganjëherë do t’u thuhet jo, dhe kështu ata do të fillojnë të mësohen me zhgënjimin, ta trajtojnë dhe ta kontrollojnë atë.
Nëse nuk e dinë se çfarë do të thotë zhgënjim ose çfarë do të thotë të marrësh një “jo” si përgjigje, në të ardhmen, kur të rriten dhe të përballen vetëm me jetën, ata nuk do ta dinë se ndonjëherë do të ketë dyer që mbyllen ose njerëz që nuk do të jenë të gatshëm t’i ndihmojnë dhe në ato raste, zhgënjimi i tyre do të shumëfishohet.
Nuk do ta dinë vlerën e punës dhe të përpjekjes.
Nëse në çdo kohë, në çdo situatë dhe në çdo rast, fëmijët marrin atë që duan pa ndonjë vështirësi, atyre nuk u mësohet rëndësia e përpjekjes dhe punës. Fëmijët mësojnë se thjesht duke hapur gojën dhe duke thënë: “Unë dua”, dhe do të mendojnë se do të jetë gjithmonë kështu. Nga ana tjetër, ne e dimë që nuk është kështu, dhe se kur të rriten gjërat nuk do të jenë kaq të thjeshta.
Mund të përjetojnë ankth.
Nëse këta fëmijë të vegjël duan dhe marrin gjithçka, atëherë nuk po mësojnë vlerën themelore të durimit dhe pritjes. Kjo është arsyeja pse, kur gjërat nuk shkojnë siç kanë planifikuar dhe kur nuk marrin atë që kërkojnë pikërisht në atë moment, mund të shfaqet ankthi që shkaktohet nga padurimi, i ndjekur nga të qarat dhe hidhërime të mëdha.
Mund të shfaqet depresioni.
Ndërsa fëmijët rriten, niveli i kërkesave që ata bëjnë do të rritet dhe do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’i përmbushur ato. Nëse kjo ndodh dhe dëshirat e fëmijëve nuk plotësohen, ata do të përjetojnë diçka të panjohur siç është zhgënjimi. Kjo mund të shkaktojë sjellje agresive nga ana e tyre dhe mund t’i transformojë ata në të rinj të pakënaqur dhe të dëshpëruar.
Zhvillimi i një personaliteti intolerant.
Fëmijët e dinë zhgënjimin dhe kuptimin e refuzimit në moshë të vogël, por kur kjo nuk ndodh për shkak të plotësimit sistematik të kërkesave të tyre, ata bëhen intolerantë. Ata nuk do të jenë në gjendje të trajtojnë zhgënjimin e tyre (pasi nuk e kuptojnë se si ta trajtojnë atë) dhe nuk do të tolerojnë që të refuzohen. Ata bëhen jo fleksibël.
Tronditje të vazhdueshme.
Fëmijët që janë mësuar të kenë gjithçka, gjithmonë do të duan më shumë sepse e dinë se mund ta marrin atë. Sapo të ngulitet ky zakon, hidhërimet do të jenë të vazhdueshme nga pakënaqësia.
Varësia.
Si rezultat i të pasurit prindër të vetëkënaqur që sigurojnë të gjitha lehtësitë e mundshme, fëmijët nuk do të arrijnë të zhvillojnë pavarësinë dhe për këtë arsye nuk do të jenë në gjendje të mbajnë veten për një mori gjërash: ata do të jenë të varur nga prindërit e tyre. Fëmijët që nuk kanë mësuar të bëjnë një përpjekje për të marrë atë që duan ose kanë nevojë nuk do të mjaftohen me veten.
Pasojat e lehtësimit dhe sigurimit të gjithçkaje për fëmijët rezulton në individë që nuk dinë si të trajtojnë zhgënjimin, të cilët nuk kanë aftësinë e vendosur për të bërë përpjekje për të arritur një qëllim, të cilët kanë prirje drejt ankthit dhe depresionit, dhe që kanë një personalitet intolerant dhe të varur.
Prandaj, është e rëndësishme dhe thelbësore të mësojmë t’u themi “JO” fëmijëve, pavarësisht zemërimit që mund të shkaktojë kjo.
Burimi / Panorama Online
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.