FB

November 19, 2021 | 9:51

Psikologia apelon: Vëmendja ndaj shëndetit mendor në vendin tonë është domosdoshmëri dhe urgjencë!

*Nga Pranvera Paplekaj (Martinaj), psikologe në qytetin e Lezhës

 

Tragjedia e ndodhur me 8-vjeçarin në fshatin Grexalli të qytetit të Fierit ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar, por edhe më gjerë. Kjo ngjarje, që nuk besoj të ketë njeri që të mundet të flasë për të, dhe pa u përfshirë emocionalisht. Si pasojë, nëse e lë veten të lirë për të folur apo komentuar mbi këtë ngjarje të tmerrshme, mund të thuash çdo gjë. Çdo gjë që të nxjerr goja apo thotë zemra është e falshme, tek mendon fytyrën engjëllore të Mateos të mbuluar nën tokë me dheun më të pavend në botë dhe familjarët e tij.

Prej tre ditësh çdo njeri tjetër që është informuar mbi këtë ngjarje, jam ndjerë dhe vazhdoj të ndihem e lënduar, e tmerruar dhe shumë në ankth për fëmijët e mi dhe të gjithë fëmijët në botë, duke menduar se vlen vetëm një minutë kohë në një moment të tmerrshëm të jetës, për të hedhur poshtë të gjitha minutat e tjera, orët, muajt dhe vitet që je kujdesur për fëmijën tënd.

1Ndërkohë, duke lexuar në portale të ndryshme, komente pafund ku njerëzit kërkojnë dënime nga më të ndryshme ndaj abuzuesit si: dënimin me vdekje, varje ndaj abuzuesit, burgim të përjetshëm etj., etj.

Unë gjatë gjithë kohës kam menduar çfarë mund të ishte bërë me përpara se kjo gjëmë të ndodhte. Si shpjegohet p.sh. kur i vidhen një banori në fshat pesë pula dhe i gjithë fshati reagon, merr masa, secili fillon dhe siguron më mirë pulat e tij!

Si shpjegohet që i gjithë fshati lajmërohet se filani ka një qen të rrezikshëm dhe të gjithë reagojnë, janë shumë më të kujdesshëm dhe vigjilent ndaj fëmijëve?

Po, po, këto të dyja shpjegohen besoj, por ajo që për mendimin tim është fatale, që vazhdon ende të mos shpjegohet, është se të gjitha ata persona, fëmijë dhe gra, janë abuzuar dhe përdhunuar brenda këtij fshati të vogël në Fier, e aq më tepër nga i njëjti person, dhe, shoqëria, instancat nuk reagojnë, por heshtin?

Heshtin sa kohë që mbyllin në darkë derën e shtëpisë dhe të gjithë anëtarët e familjes i kanë brenda dhe të sigurtë, ata vazhdojnë të heshtin, ndërkohë që pedofili qetësisht po përgatit viktimën e radhës?

Ju lutem, jo më kaq neglizhent ndaj problematikave të shëndetit mendor, ndaj sëmundjeve dhe çrregullimeve mendore. Kur në zonën tuaj, informoheni se keni persona me problematika të shëndetit mendor, sepse, ju siguroj, nga pak kemi të gjithë pa përjashtim. Por, kur kemi persona me problematika të thella, sëmundje, çrregullime të rënda mendore, reagoni, jo duke e stigmatizuar apo sulmuar atë, por duke kërkuar që personi të merret në trajtim, të mos lihet në mes fëmijëve tanë si ujku mes deleve, dhe nëse ndodh kjo, nuk është faji i abuzuesit, në asnjë mënyrë jo. Është faji ynë, i neglizhencës dhe indiferentizmit tonë të tepruar.

Si mendoni, “Çalamani” i ndodhur mes kalamajve tanë, e kishte fajin, jooooo!

Përse?

Sepse ai ka trokitur shumë, shumë herë dyerve të fshatit, dhe nga pak ka treguar se nëse ju nuk më jepni ndihmën që më duhet, unë do vazhdoj pa u ndalur dhe nuk do ju jap as shpjegim për veprimet e mia… dhe e bëri fakt.

Nuk duhej në asnjë mënyrë të ecnin me hap fshatarët dhe organet kompetente, dhe të prisnin derisa engjëlli Mateo, të na jepte lamtumirën në këtë formë në në këtë moshë. Por, pas abuzimit të parë, ata duhej të reagonin ndaj këtij personi të rrezikshëm.

Ju lutem, ndërgjegjësohuni për shëndetin mendor, sikurse bëni për atë fizik. Nuk është më turp, nuk është tabu të thuhet haptas “se unë vuaj nga X çrregullim, se motra ime, vëllai im, kushëriri im vuan nga një çrregullim mendor”.

Është dhimbje e madhe të pranosh të dërgosh anëtarin e familjes në spitalin psikiatrik për trajtim, por ëshët po aq e vërtetë, dhe shumë dhimbje ka madhe, por KURRË TURP, madje është diçka që për mendimin tim kërkon shumë cilësi njerëzore që ta bësh.

Kur gjatë punës kam klientë, që vlerësoj që e kanë të nevojshme qoftë vetëm një konsultë me psikiatrin, dhe gjatë seancës ua sugjeroj këtë, reagimi i tyre i parë nuk është aspak i këndshëm, por e vlerësojnë pasi sugjerimi im është bërë fakt.

E përsëris, “nuk është më turp vajtja tek psikologu, psikiatri, neurologu dhe çdo profesionist tjetër i shëndetit mendor. Siç ka trupi dhimbjet dhe hallet e ndryshme të organeve të ndryshme si dhe specialistin përkatës për çdo pjesë, po ashtu edhe truri i njeriut ka nevojë për këtë ndërhyrje të specializuar.

Mos heshtni dhe neglizhoni kur gjëma i ndodh fqinjit tënd, sepse nesër mund të na vijë radha secilit prej nesh!

Gjatë punës time jam ndeshur gjithashtu me raste shumë të rënda, p.sh: “kur babai ka përdhunuar të bijën”, por kurrë nuk kam zgjedhur rrugën e lehtë duke heshtur, por kam guxuar dhe kam nderuar profesionin dhe dinjitetin tim ndaj tij, për të shpëtuar jetën e viktimës, dhe do ta bëj gjithmonë, sepse viktima nuk e mbron dot veten, ai/ajo ka nevojë për mua, për ty!

Heshtja dhe neglizhenca jonë në këto raste, i kushton jetën dikujt tjetër.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top