Psikofakt

November 1, 2016 | 7:39

Pyetja më e pabesë në botë

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Sigurisht që, siç u them shpesh studentëve të mi për t’i nxitur të bëjnë pyetje, nuk ekzistojnë pyetje idiote, sepse, nëpërmjet një pyetjeje, njeriu kërkon të mësojë diçka të re, të dobishme, dhe se, ç’është e vërteta, vetëm përgjigjet mund të jenë idiote. Sidoqoftë, ekzistojnë pyetje të shumëllojta, por edhe nga më të çuditshmet, nga më të paparashikueshmet, që e vënë personin, të cilit i drejtohen, në pozitë të vështirë, sepse e detyrojnë të bëjë një zgjedhje edhe kur ai nuk e dëshiron një gjë të tillë. Një pyetje e tillë frustruese është, për shembull, “Cili është shkrimtari apo filozofi, kompozitori apo këngëtari, piktori apo skulptori, aktori apo sportisti juaj i preferuar?”, ndërkohë që ju mund të keni disa shkrimtarë, filozofë, kompozitorë, këngëtarë, piktorë, skulptorë, aktorë apo sportistë të preferuar, të kohëve të mëparshme ose të sotme, të këtij a të atij vendi etj., etj

E njëjta pyetje frustruese mund të bëhet përsa u përket veprave të dikujt, për shembull, “Cili është romani, traktati, opera etj., etj. e aksh shkrimtari, filozofi, kompozitori etj., etj. që ju preferoni?”. Sidoqoftë, nga të tëra pyetjet e kësaj kategorie që kam dëgjuar të më bëhen ose që t’i bëhen dikujt tjetër, më frustruesja, më e pabesa, më e çmendura përherë më është dukur dhe përherë do të më duket ajo që më është bërë kur isha çilimi dhe që ende u bëhet çiliminjve të sotëm, a thua se bëhet fjalë për një gjë e gjëzë, pra, pyetja e “famshme”: “Kë ke xhan më shumë ti, mamin apo babin?”. Ndonëse sapo kam hyrë në moshën e tretë (e treta e vërteta, mbasi të katërt nuk ka), më kujtohet që, në vogëli, edhe mua, edhe dy vëllezërve të mi, jo rrallëherë, dikush nga farefisi apo nga komshinjtë, na drejtonte me zë të ëmbël, por me një kënaqësi në mos gati të mbrapshtë, të paktën provokuese, pyetjen e sikletshme: “Kë ke xhan më shumë ti, mamin apo babin?”. Sa herë e kam dëgjuar këtë pyetje, sa herë e dëgjoj akoma, sidomos në prani të të dy prindërve, kam vërejtur e përherë vërej se sa në siklet vihet fëmija që duhet t’i përgjigjet asaj! Ka prej tyre që ngurrojnë gjatë para se të thonë: “Mamin”, por duke i hedhur një vështrim si prej fajtori “Babit”; të tjerë, thonë së pari “Mamin”, pastaj shtojnë “Babin”, para se t’u çelet fytyra duke thënë më fund: “Edhe mamin, edhe babin!”; gjithsesi, e përfytyroj se para çfarë dileme i vë kjo pyetje ata në atë moshë të njomë aq të brishtë sa më duket e pamundur që ajo të mos lërë ndonjë gjurmë tek ata, gjurmë që mund të ketë ndikimin e saj në momentin e krizës së adoleshencës. Gjithsesi, nuk kam për ta harruar kurrë përgjigjen që im bir, ende vocërrak, të cilit aso kohe ende nuk ishte shfaqur autizmi, i dha një fqinji që i bëri pyetjen më frustruese, më të pabesë, më të çmendur që mund t’i bëhet një kalamaku në prani të së ëmës dhe të të atit: “Dua…, dua…, dua mabin!” – i tha ai. Im bir kishte gjetur kështu zgjidhjen ideale: duke bashkuar rrokjen e parë të fjalës “mami” me rrokjen e dytë të fjalës “babi”, na kishte përfshirë të dyve, nënë e atë, në një fjalë, në një koncept. Na kishte lidhur edhe më fort me njëri-tjetrin. Që të na mbante në zemër përgjithmonë. Sikur ta parandiente se tërë jetën do të kishte nevojë për të dy ne.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top