Radiografi

January 13, 2021 | 8:10

Radiografi / Anila Denaj, GRUAJA e Financave

Supet e saj nuk mund të jenë të brishta, edhe pse pesha që mban mbi shpatulla është shumë e madhe. Të mbash Financat dhe Ekonominë, nuk është fort e lehtë, edhe pse buxheti i shtetit shqiptar, me shifra modeste në bursën globale, herë i kalon dhe herë nuk i kalon të 5 miliardë dollarët. E megjithatë ajo vetë thotë se puna që bën nuk është më e vështirë nga çfarë ka bërë para saj, dhe nisur prej këtej, ajo ka vërtetë vështirësitë e saj, jo të jashtëzakonshme, por krejt të përballueshme. Dhe nëse të ngacmon kureshtja e kërkon të ballafaqosh shifrat, nuk ka nevojë të jesh ekspert me gradë shkencore për të kuptuar se gjithçka po ecën në një kurbë ngjitëse.

Nga Orjona TRESA

Gjithsesi, ajo thotë se të qenit ministër është një përvojë unike për të. Edhe pse në fakt kjo ka një kosto të lartë, sepse balancat punë dhe jetë sociale, janë zhbërë domosdoshmërisht. Por, ndërsa është pjesëmarrëse aktive në tavolinën ku merren vendimet e mëdha për kombin, a qoftë për familjen e vogël që e pret në shtëpi, e sheh gjithashtu si një mundësi e shkëlqyer për të ecur përpara, duke tërhequr gjithçka pas vetes.

Përshëndetje zonja Denaj. Uroj të jeni mirë së pari. Më lejoni ta nis këtë intervistë me një opinion tuajin si ministre, pas emocioneve dhe solidaritetit që tregoi konferenca e donatorëve, duke dhuruar jo pak për Shqipërinë. Si do të ndikojë kjo mbështetje në ekonomi, marrë parasysh pozitën si pjesë e qeverisjes?

Dëshiroj të them më së pari se Shqipëria dhe qeveria e saj, së bashku me partnerët europiane, Turqinë e vendet e rajonit, dëshmuan në 17 shkurt në Bruksel se janë në gjendje të mbledhin 94 shtete në një tryezë donatorësh, brenda një afati kohor tejet të shkurtër. Në këtë aspekt, më shumë sesa shuma e granteve dhe kredive, kjo konferencë dëshmoi imazhin e vendit tonë në botë, mobilizimin që krijoi ngjarja e dramatike e 26 nëntorit, por edhe punën e shkëlqyer të qeverisë shqiptare. Konferenca e donatorëve, pa dyshim ishte një sukses i madh, si për sa i përket shumës së granteve, ashtu edhe shumës së premtuar në formën e kredive, të cilat në rastet e fatkeqësive, janë kredi të buta. Sigurisht ky sukses i atribuohet së pari Kryeministrit Rama, i cili që nga data 26 nëntor vuri të gjitha energjitë e tij në funksion të mbledhjes së ndihmave për rindërtimin nga kjo fatkeqësi e madhe shkatërruese për popullin shqiptar, si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në aspektin ekonomik.

Shqipëria, duke kaluar gradualisht nga një shtet shumë i varfër në një shtet me të ardhura mesatare, ka pësuar ndër vite edhe një ndryshim të strukturës së financimeve. Në fillim ndihmat e huaja në formën e granteve zinin një pjesë më të madhe dhe kreditë tregtare një pjesë më të vogël të financimeve. Ndërsa sot, kreditë tregtare zënë pjesën më të madhe, dhe më pak grantet e pastaj kreditë e buta.

Në këtë prizëm konferenca e 17 shkurtit përbën një ndryshim tendence me rëndësi. Kam dëgjuar të flitet shumë se nuk na dhanë grante, por kredi dhe se nuk duhet të gëzohemi. Ky është një koncept i gabuar, si nga pikëpamja politike, ashtu edhe në aspektin teknik. Fakti që u treguan të gatshëm të na japin kredi të gjithë diferencën që nuk u grumbullua nga grantet, së pari është një shenjë e madhe besimi ndaj gjithë proceseve dhe reformave të kryera dhe së dyti këto para në momente të caktuara kohore do të hyjnë në ekonominë shqiptare me një kosto më të ulët se kreditë tregtare dhe do të jenë një mundësi e madhe për ringritjen e ekonomisë së vendit.

Duhet të kemi parasysh se Shqipëria u godit mu në zemër të saj, pikërisht në Durrës e Tiranë ku banon pjesa më e madhe e popullsisë dhe ku është e përqendruar 70% e ekonomisë së vendit. Qeveria ka angazhimin maksimal që këto fonde të përthithen plotësisht dhe të përdoren në mënyrën më të mirë të mundshme.

Si ka qenë kjo situatë për dikasterin që ju drejtoni? A ka qenë periudha më e vështirë krahasuar me angazhimet e mëhershme?

Pa dashur të përsëris diçka të njohur, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë është një institucion sfidues dhe me një gamë të gjerë angazhimesh, të cilat përmbledhin shumë fusha. Në një vit tashmë në krye të kësaj ministrie, them se jam përpjekur të jap shumë nga përvojat e mia në sistemin financiar, ashtu si dhe kam mësuar shumë. Si çdo sipërmarrje e re, edhe të qenit ministre ka vështirësitë e veta, por jo të jashtëzakonshme apo të papërballueshme. Viti që lamë pas bëri një ndryshim në jetën time profesionale dhe personale.

Edhe më herët kam pasur angazhime të vështira, të cilat me punë të përkushtuar kam arritur t’i përballoj me sukses. Në përvojën time si Drejtore e Përgjithshme e Bankës “Procredit” në disa shtete, jam përballur me kultura të reja, nga të cilat kam mësuar shumë. Këto përvoja pune më kanë ndihmuar më pas ta shoh botën, njerëzit rreth meje dhe punën që kam bërë me një sy tjetër. Sado e vështirë dhe me shumë sakrifica, puna si ministre ka një dimension profesional shumë të lartë. Më është dhënë mbështetja e një mazhorance dhe besimi i Kryeministrit, të cilin dua ta falenderoj sërish.

Si ministre dhe eksperte kam një “sëmundje” të vjetër profesionale… (qesh), ndaj dhe më lejoni të them disa shifra. Viti 2019, përtej situatave të përgjithshme në vend ka qenë jo shumë i qetë, kujtoj 6-mujorin e parë me shumë protesta dhe më pas me dy tërmete. Por pavarësisht këtyre është arritur një rritje ekonomike pozitive rreth 3%, ku u sigurua niveli më i lartë i të ardhurave në vite në buxhetin e shtetit. Të ardhurat totale në 2019 ishin 463 miliardë lekë kundrejt 449 miliardë në 2018 dhe kundrejt 327 miliardë në 2013. Rimbursimi i TVSH-së arriti në 230 milionë Euro për 2019 kundrejt 126 milionë që ishte në 2018. Synimi ynë është që fenomeni i mosrimbursimit të TVSH-së të mos ekzistojë më në praktikën tonë fiskale. Numri i të punësuarve nëpërmjet zyrave të punës u rrit ndjeshëm me afro 19 mijë persona… megjithatë nuk dua t’ju lodh me shifrat… (qesh)

A mund të cilësohet një sfidë, të cilën e meritonit?

Kur flasim për sfida, nuk mund të thuhet i meriton apo jo? Pyetja më e drejtë do ishte: a i përballon apo jo? Sfidat janë për njerëzit që kanë aftësinë fizike, shpirtërore dhe kapacitet mendor për t’i përballuar. Jam shumë e nderuar që m’u dha kjo mundësi profesionale dhe ky besim që të bëj diçka për njerëzit dhe vendin tim. A jam lodhur? A jam mërzitur ndonjëherë? A ka pasur gjëra që mund të bëheshin edhe më mirë? Patjetër që po. Por kurrë nuk kam menduar që bëra gabim që e pranova këtë pozicion. Të qenit ministër është një përvojë unike. Të jesh në tavolinën ku merren vendimet më të rëndësishme për ty dhe të ardhmen e fëmijës tënd dhe të jesh pjesë e këtyre vendimeve është një mundësi e shkëlqyer. Përgjegjësia është shumë e madhe dhe këndvështrimi nuk duhet të jetë as dritëshkurtër dhe as i ngushtë, por vizionar dhe në perspektivë.

Çfarë regjistroni në skedarët e kohës si përvojat më të mrekullueshme?

Në fakt, unë e konsideroj veten me fat. Kam pasur mundësinë të realizoj gjëra që përtej sfidës më kanë rritur profesionalisht dhe personalisht. Një përvojë e mrekullueshme, si fillim, ishte kur nga bankat e shkollës fitova konkursin për të qenë pjesë e stafit të “Fefad Foundation”, i cili u krijua nga mbështetja financiare e qeverisë gjermane nëpërmjet KfW dhe GIZ, ish-GTZ). Të ishe një nga 6 fituesit dhe punonjësit e parë midis 200 e më shumë personave që morën pjesë, ishte një emocion i madh. Më tej, jam bërë menaxhere dege në një moshë fare të re, vetëm 25 vjeçe. E kështu me radhë, kur fillova eksperiencën ndërkombëtare në Europën Lindore, në Amerikën Latine dhe në Afrikë. Por, puna si ministre patjetër që do të mbetet e pashlyer në kujtesë dhe ndoshta përvoja më unike e gjithë jetës sime.

Sa kohë ju merr puna në 24 orë?

(Mendohet)…Nuk di çfarë kohe më mbetet jashtë pune. Kjo është një “sëmundje e përgjithshme”,pasi është e vështirë të ruash një balancë mes punës dhe jetës personale. Megjithatë familja ime është mbështetja kryesore dhe gjithmonë kam mirëkuptimin e tyre.

Si jeni si lidere?

Si drejtuese, besoj, jam e balancuar. Jam një person shumë i hapur dhe e mirëpres mendimin e të tjerëve për procese dhe projekte, të cilat sjellin zhvillim pozitiv. Gjithmonë mundohem të kuptoj dhe jo të paragjykoj. Delegoj dhe kontrolloj. Në këto kushte zhvilloj edhe besimin, edhe delegim më të thellë. Por e di që jam e vështirë, kur nuk kam bindjen e duhur për diçka. Jam edhe pak vlonjate…(qesh)

Një drejtues duhet të jetë një menaxher i zoti apo…

Një drejtues dhe një ministër janë pak të ndryshëm. Një menaxher i sheh gjërat në kuadrin e kompanisë që ai menaxhon. Një ministër është funksion i dyfishtë, bën politika dhe menaxhon, pra drejton institucionin, por zbaton edhe politika që dalin jashtë mureve të ministrisë. Ndonjëherë ajo që ti menaxhon dhe shpenzon nuk gjykohet nga analiza e thjeshtë kosto/përfitim. Shteti, qeveria, politika janë aty për të bërë më të mirën e mundshme për shumicën e njerëzve dhe ndonjëherë për të bërë të pamundurën për një njeri të vetëm. Ajo që është detyrë e shtetit, është detyrë e shtetit dhe duhet bërë. A ka mundësi shteti t’i bëjë të gjitha në kohën që kërkohet? Presioni kohë është i vështirë, por ka prioritete që duhet të vendosen. Të dyja gjërat duhet të ecin paralelisht për të pasur rezultate konkrete, dhe ky vit ka pasur jo pak sfida kohe dhe prioritetesh.

Autoritare apo e butë?

Dukem e butë nga larg, por ata që punojnë afër meje mendojnë të kundërtën. (qesh)

Bëni miq?

Si natyrë jam njeri që bëj miq, por mbi të gjitha ruaj miqësitë. I kam ruajtur miqtë e vjetër, si brenda dhe jashtë vendit, dhe ndonëse e ngarkuar shumë me punë, asnjëherë nuk e kam lënë këtë aspekt jashtë vëmendjes. Miqtë e mirë nuk masin frekuencën e komunikimit, por cilësinë e tij.

Barazinë gjinore, si e perceptoni?

Kam punuar gjithmonë me ekipe me shumë bashkëpunëtore femra, dhe për këtë ndihem mirë. Nuk ka qenë qëllim në vetvete për mua, dhe nuk e bëj për të plotësuar ndonjë kuotë gjinore. Nuk kam asnjë lloj paragjykimi apo paramendimi për aspektin gjinor, pasi mendoj se aftësia nuk pyet për “flokët e gjata apo të shkurtra”. Sigurisht jam kundër diskriminimit të grave të afta.

Koha për familjen…

Dua të pranoj se nuk kam shumë kohë për familjen, por kam mirëkuptimin dhe mbështetjen e familjarëve të mi për mungesat e shpeshta në shtëpi. Sa herë që më jepet mundësia, sigurisht, e shfrytëzoj për të qëndruar me ta, sidomos me djalin tim. Mundohem t’i bëj të gjitha nga pak, të kujdesem për veten, të dal për një kafe apo ndonjë pazar të dielave, por koha tashmë është shumë e kufizuar.

Figura e femrës…

Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejtohet nga 5 femra profesioniste. Edhe në bankë, bordi ishte përbërë nga femra. Edhe qeveria aktuale ka një numër të konsiderueshëm, thuajse 50%. Kjo nuk do të thotë se përtej Tiranës ky nuk është një problem. Barazia gjinore është një luftë e gjatë, e cila vazhdon edhe në vendet më të zhvilluara se Shqipëria. Barazia gjinore do të arrijë të vendoset plotësisht kur femrat të kenë fituar pavarësinë ekonomike. Prandaj edukimi arsimor, punësimi dhe paga e barabartë me burrat për të njëjtat aftësi, janë betejat e luftës për barazinë gjinore.

Figura si nënë…

Qëndrimi me orë të gjata në punë është shumë i vështirë për t’u shmangur plotësisht. I përkushtohem djalit në një kohë të caktuar çdo ditë dhe pastaj për të mbyllur gjërat që duhet, sakrifikoj nga koha e gjumit. Për fat, një ndihmë të madhe me djalin ma japin edhe familjarët e mi. Me djalin komunikoj gjatë ditës. Një foto, një emoji, një telefonatë e shkurtër nuk mungon kurrë pasditeve. Si çdo fëmijë tjetër në moshën e tij merret shumë me teknologjinë dhe internetin. Bëjmë plane udhëtimi, të cilat për fat të keq shpesh mbeten vetëm plane. Do të doja të kisha më shumë kohë të lirë për djalin, por tashmë jemi mësuar të dy.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0684022192
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top