Pika referimi

October 19, 2016 | 9:34

Rëndësia universale e zgjedhjeve amerikane, rasti i Shqipërisë

Nga Dritan Hoti Petagog

Nga Dritan Hoti
Petagog

Këndvështrimet e ndryshme përkundrejt natyrës dhe rolit te misionit të Amerikës në histori, konvergojnë në një pike te përbashkët: Shtetet e Bashkuara janë një vend i veçantë. Veçantia buron nga historia, pasi në ndryshim nga shtetet e tjera të mëdha të kësaj bote, të cilat kanë pas tyre një të shkuar të gjatë, ndonjëherë edhe mijëvjeçare, SHBA-të kanë lindur pak më shumë se 2- shekuj më parë, si rrjedhojë janë ende të prirura nga dinamika rinore, emigracioni dhe optimizmi. Ekscepsionale për nga gjeografia përkundrejt fuqive të tjera që vërtiten përreth orbitës të megakontinentit euro-aziatik, Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre gjendeshin në një situatë të cilën mendimtari francez Raymon Aron e cilësonte si “ishulli-kontinent” ( l’Ile –continent, R.Aron: La republique Imperiale, Paris 1973). Unike për nga vlerat e saj, nuk ishte Amerika ajo që shpiku konceptin e lirisë, të të drejtave të njeriut, të parlamentarizmit, por ishin SHBA-të të cilat në ndryshim me kombet historike evropiane, në të cilat teoritë e reja mbi demokracinë nuk ia ndalon dot të tejkalonin filozofinë autentike të të bërit filozofi, bën që të triumfonte versioni më i arrirë i demokracisë liberale me moton: “ Barazia në liri”, e metamorfozuar, për sa i përket politikës së jashtme, në një vizion mesianik të veçantë, e mishëruar në përcaktimin e Madeleine Albright si “ kombi i domosdoshëm” në historinë moderne të njerëzimit. Pjesëmarrja e SHBA-ve në Luftën e Parë Botërore i detyrohej ndër të tjera edhe motivit gjeopolitik. Amerika nëpërmjet saj projektonte ruajtjen e lirisë se deteve si dhe mbrojtjen e Evropës nga ndonjë fuqi armiqësore. Mirëpo zhgënjimi i pësuar, rrjedhojë e të cilit ishte rikthimi ne izolacionizëm, ndërlidhet me mangësinë e pritshmërive të prodhuara nga Konferenca e Versaille-s (1919-1920). Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, prodhoi shkatërrimin e Gjermanisë, Italisë si dhe reduktoi pozitën e Britanisë së Madhe dhe Francës duke e vendosur Evropën në mëshirën e Rusisë Leniniste. Për më tepër, shfaqja e armiqësisë ideologjike e shpallur nga Bashkimi Sovjetik vendosi në rrezik vizionin e shpresuar të një bashkëjetese ndërkombëtare. Si rrjedhojë, SHBA-të thurën aleanca në mbrojtje të paqes, inkurajuan dekolonializimin, stimuluan konsolidimin e demokracive industriale të Perëndimit dhe Japonisë si dhe kontribuuan në ndërtimin e organizatave ekonomike ndërkombëtare. Triumfi në Luftën e Ftohtë i detyrohej mbi të gjitha superioritetit të vlerave të sistemit politik të saj përfaqësues. Në botën e pas-luftës së ftohtë sfidat ideologjike nuk ekzistonin më, ndërkohë që përballjet gjeo-strategjike tashmë shumë herë më të rrezikshme, janë rishfaqur vrullshëm. Në një botë të cilën H. Kissinger e emërton “ jo thjesht një botë e fuqive multipolare, por një botë e realiteteve kontradiktore gjithnjë e më shumë në rritje”, një lloj dileme e tillë ushqen debatin intelektual në SHBA: A mund të paqtohet filozofia amerikane, e cila ka ushqyer edhe normat e politikës së saj të jashtme me fizionominë dhe sfidat e botës aktuale?

Ja pra se si në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale, pesha e politikës së jashtme të Amerikës, duke mbajtur parasysh prirjet e epokës sonë, është esenciale. Kandidatët garues për Shtëpinë e Bardhë, D. Trump dhe H. Clinton nuk është se kanë shumë pika të përbashkëta për nga formimi, bindjet socio-politike e perceptimet intelektuale, eksperienca administrative si dhe në politikën e jashtme. D. Trump me një ligjëratë politike, të gjykuar jo rrallë-herë si populist nëpërmjet së cilës, synon the “ White working-Class (klasa punëtore e bardhe), tradicionalisht konservatore. Trump i përket traditës më radikale të republikanëve amerikanë, politikisht i djathtë për nga pikëpamja sociale, ekonomikisht liberal. Në kampin tjetër rival, kandidatja H. Clinton, avokate nga formimi, senatore si dhe ish-sekretarja amerikane e shtetit 2009-2013, e cila regjistron në repertorin e saj, jo më pak se 45 vite eksperienca të ndryshme politike. Slogani i saj i fushatës është “Stronger together” (më të fortë së bashku). Më pak konservatore se rivali i saj, e prirur nga bashkëpunimet ndërkombëtare, partizane e liberalizmit ekonomik, në shërbim të komunitetit. Hillary Clinton projekton të rikonceptojë modelin social pa cenuar ndërkohë liritë ekonomike individuale të amerikanëve. Ndërsa Trump predikon një politikë të jashtme të pastër izolacioniste, Hillary Clinton, e bindur se SHBA-të nuk kanë ndërmend dhe nuk duhet të ndryshojnë mënyrën e perceptimit të misionit të tyre në botën aktuale, ajo i qëndron linjës se prezenca dhe përgjegjësia amerikane është e domosdoshme për fatin e mbarë botës. Ajo nuk ngurron të shigjetojë “qëndrimet dhe deklaratat ikonoklaste” të rivalit të saj përkundrejt Rusisë si dhe ndonjëherë të Koresë së Veriut. Veçantia e Amerikës konsiston gjithashtu edhe në përsosmërinë e funksionalitetin e sistemit demokratik. E konceptuar mençurisht që në gjenezën e tij prej baballarëve-themelues, kjo demokraci jo më shume se 200-vjeçare, transformimeve epokale qoftë ne sensin pozitiv, qoftë atë negativ, të historisë së njerëzimit, i është përgjigjur me përsosmërinë e normave dhe standardeve të veta, duke qëndruar edhe 2 shekuj si demokracia më e plotë e planetit. Cilido qoftë fati i zgjedhjeve ku tendencat favorizojnë në mënyrë të arsyeshme kandidaten demokrate H. Clinton, por në një skenar imagjinativ, pra një Trump president nuk do të kishte rrugë tjetër veçse t’iu përshtatej e t’iu shërbente vazhdimësisë amerikane, duke përfshirë edhe doktrinat e politikës së jashtme. Jo më kot Barack Obama, pak kohë pasi u bë president i Amerikës: “Jam lideri i fuqisë më të madhe demokratike të botës, duke patur edhe kufizimet e veta”. Në një botë të globalizuar në të cilën komunikimi i menjëhershëm dhe teknologjia shkurtojnë distancat, ku një pjesë e së cilës është përkapur nga luftërat, betejat apo përpjekjet e mëdha në ndërtimin e identiteteve të reja kombëtare, jo rëndësia e zgjedhjeve presidenciale, por aleanca e domosdoshme e botës shqiptare me SHBA-të po përgatitet të hyjë në një fazë të re edhe më të konsoliduar. Shqiptarët si komb, mund të “mburren” me të drejtë se në 100 vitet e fundit, por në mënyrë më të prekshme 25 vitet e fundit, me përkrahjen vendimtare të SHBA-ve: kundërvënia e presidentit Wilson ( Paris 1920) makinacioneve të përsëritura të real-politikës së kabineteve evropiane pas shpinës së kombit shqiptar, në emër të një vizioni dhe harmonie të re ndërkombëtare; kontributi në përmbysjen e komunizmit, çlirimin dhe mandej pavarësimi i Kosovës si dhe përshpejtimi në pranimin në NATO janë rezultat i investimit të mirëfilltë amerikan për shqiptarët duke i vendosur ata në anën e duhur të historisë. Kësisoj çështja shqiptare përbën një rast disi atipik të evolucionit të saj. Kombet e ndërgjegjshme të prira nga elita të mençura patriotike, e kanë shfrytëzuar momentin e duhur historik maksimalisht. Rasti i shtetit të Izraelit flet vetë, elitat e popullit hebre me dhënien jetë dhe udhë shtetit të Izraelit e pajisën atë me fizionominë e shtetit-komb, i mbështetur mbi strukturat e duhura demokratike si dhe inovacionin teknologjik duke i mbrojtur e përfaqësuar kauzat e tij nga pozita e një vendi partner. Në rastin e çështjes shqiptare intervencioni amerikan rezultoi si vendimtar në mundësimin e triumfit të aspiratave të kombit shqiptar. Peng i së shkuarës së tyre në kuptimin e plotë të fjalës, që nënkupton mendësinë e të funksionuarit e tok me të investimin që ka kondicionuar aktivitetin e tyre socio-politik përkundrejt sfidave të çështjes shqiptare, një pjesë domethënëse e elitave politike në Shqipëri tentuan t’i “rezistojnë” kontributit amerikan për ndërfutjen e mekanizmave në dhënien trajtë e formë të një shteti normal të së drejtës në Shqipëri.

Sfida madhore e Shqipërisë, e cila mbetet burim kryesor i tërësisë së çështjes shqiptare, në një mjedis ndërkombëtar në të cilin shtetet e ekuilibrave të brishtë janë të rrezikuar deri në themelet e tyre, është jo sovraniteti si nocion i mirëfilltë, por performanca në konstituimin e një shteti funksional të së drejtës, epiqendra e të cilit është implementimi i duhur i Reformës në Drejtësi. “Patronazhi” amerikan, duke mbajtur parasysh kompleksitetin e interferencave dhe koniunkturave të jashtme dhe të brendshme, në këtë stad, ngelet gjithnjë i qenësishëm. Zgjedhjet presidenciale në SHBA përbëjnë një eveniment të një rëndësie universale, ndërsa për kombin shqiptar aleanca me SHBA-në është ekzistenciale, pasi filozofia dhe aksioni diplomatik amerikan nuk do të ndryshojë shumë, cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve të nëntorit.

Burimi: Mapo

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top