Studim

June 7, 2018 | 14:51

Rezana Konomi: E drejta e informimit dhe problematikat në zbatimin e saj

E drejta e informimit është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe ligji material, i cili siguron bazën e mjaftueshme dhe instrumentet përkatëse për realizimin e kësaj të drejte. Bazuar në kuadrin ligjor, çdo person ka të drejtë të kërkojë informacion për dokumentet zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve shtetërore dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore, pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet. Natyrisht, siç do e drejtë, edhe kjo e drejtë ka disa kufizime, të cilat në çdo rast duhet të jenë të parashikuara nga ligji dhe refuzimi për t’u informuar duhet të jetë i arsyetuar.

Prof. As. Rezana Konomi, Zv. Rektore KU "Luarasi"

Prof. As. Rezana Konomi, Zv. Rektore KU “Luarasi”

Natyrisht që midis transparencës, të drejtës për informim dhe ruajtjes së të dhënave personale, ka një fill shumë të hollë dhe një pikëprerje, e cila në disa raste mund të sjellë shpërpjesëtim midis të drejtës dhe detyrimit. Nëse do t’i referohemi kuadrit ligjor, akteve ligjore dhe nënligjore, gjithçka është e përqasur me aktet komunitare dhe në dukje nuk lë shteg për keqinterpretim. E gjithë problematika që ka lindur dhe çdo mosmarrëveshje për këtë çështje, lidhet me zbatimin e këtij kuadri, në drejtim të kompetencave lëndore: cili organ duhet, sa është përgjegjësia, duhet apo nuk duhet të jepet një informacion apo dokument zyrtar, etj., pikëpyetje të tilla, të cilat kanë sjellë atë që shpesh të kemi mosmarrëveshje.

Nga praktika, përveç refuzimit nga organet e administratës publike për të informuar publikun apo dhe kufizimet e vendosura nga ligji në ushtrim të kësaj të drejte, rezulton se shumë pak njihet nga publiku e drejta që ata kanë për t’u informuar me dokumente zyrtare apo me veprimtarinë e organeve të administratës publike, sidomos kur ka të bëjë jo vetëm me çështje me interes ngushtësisht privat, por më së shumti për çështje që lidhen me interesa publike.

Duke qenë se mos informimi për këtë të drejtë të garantuar nga kushtetuta dhe ligji, si dhe ndërgjegjësimi për ushtrimin në mënyrë aktive të kësaj të drejte, është një mangësi që duhet korrigjuar dhe menduar në mënyrë serioze. Natyrisht që përfshirja në kurrikulat e gjithë sistemit arsimor, është vetëm njëra nga mënyrat për njohje. Ndërgjegjësimi për të qenë aktive në ushtrimin e saj duhet të jetë pjesë e sensibilizimit me fushata të mirëfillta që nga auditorët dhe deri tek administrata publike.

E drejta dhe detyrimi është një raport dypalësh, ku njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën dhe mos ushtrimi nga njëra palë sjell mos përmbushje të drejtash apo detyrimesh nga pala tjetër. Për këtë arsye është e domosdoshme të punohet me të gjithë faktorët dhe aktorët në mënyrë që realizimi i kësaj të drejte të mund të bëhet efektiv. Në funksion të transparencës për t’i bërë të njohur publikut se si taksat e tyre përdoren, se si financat publike realizojnë investime me interes publik, është shumë i domosdoshëm informimi.

Duke qenë se shpesh nuk realizohen të drejtat dhe nuk përmbushen pritshmëritë që publiku ka kundrejt organeve të administratës, vetëm për faktin se disa të drejta nuk njihen, e bën të nevojshme që edukimi të fillojë që nga bankat e shkollës, që nga sistemi parauniversitar dhe më tej akoma. Nëse edukimi fillon që në shkollë, publiku ndërgjegjësohet për ushtrimin dhe mënyrën se si mund t’i realizojë këto të drejta të garantuara në ligj.

Vetëm në këtë mënyrë organet e administratës do të rrisin përgjegjësinë kundrejt publikut dhe përgjegjshmërinë për të ushtruar detyrimin që kanë në zbatimin e ligjeve, të cilat janë vërtet të mira dhe cilësore, por moszbatimi i tyre drejt, bën që ato të mbeten vetëm disa stoqe letrash pa asnjë vlerë dhe aspak në funksion të shtetit ligjor dhe përmirësimit cilësor të jetës së njerëzve.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top