Harrojeni për pak simetrinë perfekte të ndarjes në qendër. Në vitin 2026, flokët zhvendosen anash dhe bashkë me ta rikthehet një nga elementet më elegante të stilimit: ndarja anësore.

E frymëzuar nga estetika preppy, nga eleganca e viteve të shkuara dhe nga rikthimi i siluetave më të strukturuara, kjo tendencë sjell një pamje më të butë, dinamike dhe të kuruar. Nga pasarelat te tapetet e kuq, ndarja anësore po rikthehet si një mënyrë e thjeshtë për t’i dhënë karakter çdo prerjeje – nga bob-i te flokët e gjatë dhe me onde. Në thelb, ky trend është një kundërpërgjigje ndaj minimalizmit shumë të rregullt të viteve të fundit. Flokët nuk duhet të duken të ngrirë në vend; përkundrazi, lëvizja, tekstura dhe vëllimi natyral janë pjesë e look-ut.
Sharmi mbretëror
Estetika preppy është një nga shtysat kryesore pas rikthimit të ndarjes anësore. Ajo sjell në pamjen moderne elemente të stilit universitar, kostumeve të strukturuara, këmishave klasike dhe elegancës britanike. Edhe estetika e familjes mbretërore britanike ka ndihmuar në rikthimin e këtij imazhi. Prerjet klasike me ndarje anësore të Prince George janë bërë një referencë e dukshme e këtij stili: të rregulluara, por jo tepër formale, me një vijë të pastër dhe volum të kontrolluar. Sot, ky frymëzim nuk është më vetëm për flokët e meshkujve. Ndarja anësore po interpretohet edhe në look-et e grave, duke krijuar një kontrast interesant mes prerjeve moderne dhe elegancës tradicionale.
Një truk i thjeshtë për të ndryshuar formën e fytyrës
Përtej tendencës, ndarja anësore ka edhe një avantazh praktik: mund të funksionojë si konturim vizual i fytyrës. Zhvendosja e vijës së flokëve nga qendra krijon një diagonale që mund të shtojë vëllim në njërën anë, të zbusë linjat e nofullës dhe të balancojë vizualisht përmasat e fytyrës. Për këtë arsye, stilistët mund ta përshtatin thellësinë e ndarjes sipas formës së fytyrës, dendësisë së flokëve dhe prerjes së zgjedhur. Një ndarje e lehtë anësore mund t’i japë elegancë një bob-i klasik, ndërsa një ndarje më e theksuar krijon volum dhe një efekt më dramatik te flokët e gjatë.
Bukuria e një stili që nuk duket i sforcuar
Një tjetër arsye për suksesin e trendit është lehtësia e stilimit. Në vend të flokëve të ngurtë, të fiksuar me produkte të rënda, versioni i 2026-s favorizon teksturën natyrale dhe lëvizjen. Mjaftojnë disa shtresa të buta, një balluke anësore ose disa onde të lehta për ta transformuar pamjen. Produktet e stilimit përdoren me masë: spraj teksturues, serum për shkëlqim dhe produkte të lehta për volum janë më të përshtatshme se dyllët dhe lakrat shumë të forta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

