FB

December 16, 2021 | 8:20

Roli i familjes për varësitë

“Familja e personit me varësi, është thellësisht e përfshirë, pasi ky realitet shkakton konflikte dhe emocione që janë të vështira për t’u menaxhuar”. | Adela Shwatz

Familjet që ushqejnë varësinë e një anëtari promovojnë sjellje dhe dinamika që synojnë të fshehin ose mohojnë problemin. Këto janë familje jofunksionale dhe shpesh thellësisht të pakënaqura. Profesori Marcus Caldas, nga Universiteti Deusto (Spanjë), argumenton se sekreti dhe fshehtësia në kontekstin familjar rrisin varësinë.

Por përse flasim për rolin e familjes te varësitë dhe jo për individin që ka zhvilluar varësinë? Shpesh është mjedisi në të cilin jemi zhytur që, me vetëdije apo pavetëdije, favorizon fillimin dhe mirëmbajtjen e një varësie. Caldas e përshkruan familjen si një sistem, në të cilin veprimi ose mosveprimi i secilës palë prek të tjerët. Në mënyrë të ngjashme, roli i familjes te varësitë është vendimtar, sepse struktura e përgjithshme prek anëtarët individualë.

Shpesh këto familje gënjejnë dhe mohojnë, për të fshehur situatat e alkoolizmit ose varësisë nga droga. Kjo qasje shpesh përfundon duke shkaktuar efektin e kundërt, i cili është forcimi i varësisë.

Roli i familjes te varësitë

Familjet që përforcojnë varësinë e një anëtari shfaqin modele specifike të sjelljes. Në përgjithësi, i konsiderojnë “normale” qëndrimet që nuk janë aspak të tilla ose, ndërsa njohin situatën, preferojnë ta injorojnë atë. Është e mundur të gjesh disa tipare në familjet që janë të varura nga varësitë. Ndër to gjejmë:

IMPULSIVITETI DHE MUNGESA E KONTROLLIT. Shpesh veprojnë të motivuar nga emocionet e momentit, zakonisht zemërimi. Stimujt minimalë mund të shkaktojnë reaksione joproporcionale.

DËSHIRA NUK KA KUFI. Anëtarët e këtyre familjeve pretendojnë sikur bëjnë me çdo kusht çdo gjë që duan. I shohin kufijtë si negativë, rrjedhimisht nuk arrijnë t’i vendosin ato as tek të tjerët.

NEVOJA PËR KËNAQËSI TË MENJËHERSHME. Në përgjithësi ekziston një tolerancë e ulët në frustrimin që shfaqet me vështirësinë e madhe në shtyrjen e kënaqësive. Duan të marrin menjëherë atë që dëshirojnë.

SJELLJET E KARAKTERIZUARA NGA PAQËNDRUESHMËRIA. Familjet që ushqejnë varësinë shpesh kanë vështirësi të mëdha në realizimin e planeve dhe projekteve. Ato priren të braktisin programet, dashuritë, miqtë, etj.

PAKËNAQËSIA E VAZHDUESHME. Ata nuk janë individë të lehtë për t’u pëlqyer. Sapo marrin diçka, humbasin interesin për të.

NUK E DUROJNË HUMBJEN. Humbja, e çfarëdo lloji qoftë, kthehet në një katastrofë me përmasa të mëdha. Madje shkojnë aq larg, sa të detyrojnë situatat më shumë se sa të pranojnë, se kanë humbur diçka.

Fshehja dhe mohimi

Dy burimet e përdorura nga familjet që ushqejnë varësitë janë fshehja dhe mohimi në fusha të ndryshme të jetës. Është mjaft e zakonshme, për shembull, që varësia e njërit prej prindërve të bëhet një temë tabu. Askush nuk duhet ta diskutojë ose ta përmendë atë. Thjesht “ndodh” dhe kaq. Është gjithashtu e zakonshme që anëtarët e familjes të fshehin sjellje të caktuara, të tilla si një marrëdhënie klandestine, ose të zhvillojnë sjellje që të tjerët nuk i dyshojnë. Po kështu, ka dëshira të fshehta të tilla si shkatërrimi i familjes, arratisja ose fshehja e sjelljeve të dhunshme seksuale. Sekretet bëhen aq sekrete sa të shndërrohen në një mohim të vërtetë. Është njësoj si të gënjesh veten duke e marrë gënjeshtrën për të vërtetë. Sjellja e simuluar bëhet një zakon dhe ne arrijmë të “normalizojmë” sjelljet që nuk janë të tilla.

Kaosi psikologjik

Një panoramë e tillë gjeneron kaos në një nivel emocional, mendor dhe sjellor. Situatat më delikate kalojnë në heshtje, ndërsa ato më të parëndësishmet bërtiten me zë të lartë. Dëshpërimi dhe parehatia shpesh kthehen në një dëshirë të tepruar për kontroll. E gjithë ajo që është e mirëfilltë bëhet burim turpi dhe gënjeshtre. Është e zakonshme që sekretet dhe mohimet të rrotullohen rreth personit që ka varësi. Lind një logjikë, ku personi nuk i kryen me të vërtetë veprimet ose pasojat e veprimeve të tij nuk konsiderohen serioze. Logjikat e tjera përjashtohen. Nëse në familje ka fëmijë, mohohen pasojat e kësaj dinamike mbi universin e tyre emocional.

Varësitë janë fenomene komplekse, të cilat nuk kufizohen në konsumimin e një substance ose në përsëritjen e një sjelljeje të detyrueshme. Roli i familjes te varësitë ka të bëjë me stilin e jetës dhe promovimin e modeleve të sjelljes. Nëse ruhet një kontekst i fshehtësisë dhe mohimit, jemi të dënuar të zhytemi gjithnjë e më thellë në probleme.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top