Mësuesi ka qenë dhe mbetet figura qendrore në shkollë, ai është vëzhgues, eksplorues, lexues i mirë, tregimtar, është gjithmonë një hap para të tjerëve. Qëllimi kryesor i mësuesit është të krijojë njerëz që janë të aftë të bëjnë gjëra të reja, dhe jo thjesht të përsërisin ato që kanë bërë brezat e kaluar. Puna e mësuesit është përcaktuar si një nga detyrat më të vështira dhe më me përgjegjësi, është një punë që kërkon për të arritur rezultate maksimale, kërkon bashkëpunim me nxënësit, ku angazhimi i nxënësve duhet të jetë sa më i madh pasi që vet nxënësit janë ata që marrin njohuri dhe dituri.
Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia Larti
Mësuesi dhe nxënësi janë një dyshe e lidhur ngushtë me njëri-tjetrin gjatë viteve të shkollimit, ku mësuesi është drejtues dhe nxënësi duhet punuar nën drejtimin e mësuesit përvetëson njohuri, shkathtësi dhe shprehi. Mësimdhënia është proces që planifikohet, drejtohet dhe organizohet nga mësuesi me pjesëmarrje aktive të nxënësit, ku përdoren metoda, teknika ndërvepruese, zhvillohen aftësi, shkathtësi si dhe ndodh formimi tërësor i personalitetit të nxënësit. Procesi mësimor zhvillohet duke u mbështetur në metoda dhe teknika bashkëkohore, ku nxënësi mëson duke reflektuar, vlerësuar, zbuluar dhe zgjedhur probleme. Metodat mësimore kanë rëndësi të veçantë në teorinë dhe praktikën e punës mësimore, pasi që ato përcjellin tërë ecurinë e zhvillimit të procesit mësimor. Metodat mësimore si proces të veprimeve të përbashkëta të arsimtarit dhe të nxënësit në mësim janë struktura të përmbajtjes didaktike të organizuar dhe planifikuar drejt organizimit të zhvillimit të procesit mësimor në përvetësimin e diturive, shkathtësive, si dhe përsëritjes dhe përforcimit të tyre, më qëllim të përgatitjes së nxënësve për jetë dhe punë.
Të kuptojnë dhe vlerësojnë artin e mësimdhënies / Mësimdhënia
Mësimdhënia është veprimtari e organizuar, sistematike, krijuese e interaktive, institucionale ose joinstitucionale me qëllim të zotërimit të përmbajtjeve të përcaktuara, përvetësimin e njohurive, shkathtësive dhe shprehive, dhe aftësimin e nxënësve për punë të mëtejshme dhe të vazhdueshme. Qëllimi i mësimit është zhvillimi dhe krijimi i një personaliteti të nxënësit kritik, të lirë, të pavarur, kreativ, human, të arsimuar, i cili është i hapur për të gjitha ndryshimet progresive aktuale dhe në të ardhmen, si në vetvete ashtu edhe në shoqërinë në të cilën jeton dhe vepron.
Problemet e mësimdhënies
Problemi nuk është pengesë. Ai është një synim që dikush do ta arrijë, por që në fillim nuk di se si. Problemet në mësimdhënie janë të shumta, por për ta bërë më të lehtë kuptimin dhe zbatimin e tyre, ato janë ndarë në katër lloje:
Problemet e metodave të mësimdhënies – në përgjithësi kanë të bëjnë me zgjidhjen dhe organizimin e veprimtarive për të arritur një synim. Synimi i mësuesit për zhvillimin e të kuptuarit është i qartë, ky nuk është problem i vetëm që ka ai. Nga zgjedhja e drejt apo jo e metodave të mësimdhënies varet shumë procesi i të nxënit të nxënësve dhe përfundimisht cilësia e të nxënit. Përdorimi sa më adekuat i metodave të mësimdhënies dhe përdorimi i llojllojshëm i tyre, ndërrimi sa më i shpeshtë i aktiviteteve brenda ditëve, përkatësisht brenda orës mësimore, përshtatja e tyre, nivelit përkatësisht zhvillimit psikofizik të nxënësve, përshtatja e tyre, lëndës, njësisë së caktuar mësimore, është tregues i cilësisë së të nxënit si synim përfundimtar i mësimdhënësit.
Problemet e motivimit – kanë të bëjnë me përfshirjen e nxënësve në procesin e të nxënit. Në klasat e ulëta, problemet e motivimit nuk janë aq të theksuara sa në shkollën e mesme. Nxitja për çështjet e caktuara tek adoleshentët nuk është gjë e lehtë, por mësuesi do ta realizojë atë, duke bërë pyetje që nxitin të menduarit e nxënësve dhe duke i bërë ata pjesëtarë aktivë të mësimit.
Problemet të menaxhimit – një lloj i tretë problemesh bëhet i qartë kur në klasë ka zhurmë dhe mësuesja afrohet te ata dy nxënës që po pëshpërisin. Problemet e menaxhimit kanë të bëjnë me krijimin dhe ruajtjen e një klime që çon në nxënie të efektshme. Mësimdhënia e planifikuar mirë dhe motivimi mund t’i pakësojnë problemet e drejtimit të disiplinës, por të nxënit mund të ndërpritet për shkak të mungesës së pjesëmarrjes së përgjegjshme ose të respektit. Problemi më i zakonshëm i menxhimit ka të bëjë me faktin që nxënësit duhet të mësohen të flasin me radhë. Kjo është edhe arsyeja pse “ngritja e dorës” është një praktikë universale, në të gjitha shkollat. Ajo që kërkohet shpesh, për të parandaluar veprimet e tilla nuk është dënimi, por një mjedis që e orienton veprimtarinë e drejt të nxënit. Praktikat e mira të menaxhimit të klasës lidhen me parandalimin e sjelljeve jo të mira, formale pozitive të ndërhyrjes dhe pasojat jo dënuese (si një bisedë më nxënësin, pas mësimit përzgjedhjen e problemit), përpara se të kalohet në dënim.
Problemet e vlerësimit – kanë të bëjnë me vlerësimin e saktë të të nxënit. Vlerësimi ndërmjet provimeve apo testimeve është vetëm një nga format e tij, por vlerësimi përmbanë edhe shumë forma të tjera që përfshijnë vlerësimin e detyrave të shtëpisë, mbledhjen e reagimeve dhe informacionit gjatë mësimit dhe vënien e notave nëpër provime, tema, projekte dhe punime të tjera. Vlerësimi është sot një temë shumë dinamike në fushën e arsimit dhe për këtë qëllim, janë hartuar strategji dhe janë përpunuar metodologji të ndryshme, për të arrituar saktësinë më të madhe në gjykimet për vlerën e tyre. Është e rëndësishme që mësuesi të kuptojë se në jetën e vërtetë të klasës, dallimet midis problemeve, metodave të mësimdhënies, menaxhimin, motivimin dhe vlerësimin, pothuajse asnjëherë nuk janë ndarë qartë dhe prerë. Në mësimdhënien e vërtetë këto lloj problemesh do të dalin më shpesh si theksime ose si përparësi, sesa si ndarje kategorike.
Rekomandime për prindërit, mësuesit dhe shtetin
Për prindërit:
•Së pari të kenë marrëdhënie të mira më fëmijet e tyre e pastaj me mësimdhënësit. Komunikimi dhe raportet e mira mes prindërve dhe fëmijëve janë të rëndësishme pasi që përmes komunikimit prindërit kuptojnë nëse fëmijët e tyre kanë ndonjë paqartësi apo problem gjatë mësimdhënies. Ato duhet të jenë gjithmonë të gatshëm për t’iu ofruar ndihmë dhe mbështetje për çdo gjë që fëmijët kanë nevojë. Duhet të bashkëpunojnë më mësimdhënësit, të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe në këtë mënyrë janë në kontakt për fëmijët e tyre se çfarë bëjnë në shkollë, të mbështesin synimet e njëri-tjetrit etj.
Për mësimdhënësit:
•Duhet të jenë profesionist, të përpiqën të krijojnë një atmosferë miqësore me nxënësit në klasë, duhet të përpiqën të përfshijë në mësim të gjithë nxënësit. Mësuesit duhet të di se dhuna fizike dhe psikike përkitazi fëmijëve nuk është zgjidhje e drejtë, ata duhet të dinë të përdorin metoda të tjera të ndëshkimit të cilat nuk dëmtojnë nxënësin në asnjë mënyrë, por e ndihmon atë të përmirësohet duke i kuptuar gabimet dhe duke mos i përseritur ato. Për një mësimdhënie të suksesshme duhet të caktojnë se cilat metoda dhe teknika janë të përshtatshme gjatë mësimdhënies, duhet të mendojnë se di për ta menaxhuar klasën, të respektojë ndryshimet kulturore-etnike të nxënësve në klasë. Mësimdhënësi duhet po ashtu të përshtat mënyrën e administrimit të mësimdhënies me aftësinë e nxënësve, se sa munden të mësojnë.
Për shkollën:
•Mësimdhënie e sukseshshme zhvillohet edhe kur kolektivi brenda shkollës kanë marrëdhënie të mira ndërkolegiale, bashkëpunimi duhet të jetë në nivel si dhe duhet që fëmijëve t’u krijojnë një ambient të ngrohtë, që fëmijët të ndihen të mirëseardhur çdo herë. Prindërve të fëmijëve duhet t’u ofrohet mirëseardhje, dhe vazhdimisht të organizohen takime mes prindërve dhe mësimdhënësve kur është e nevojshme. Bashkëpunimi i mirëfilltë i tyre është autori kryesor që ndikon në zhvillimin e aftësisë dhe dëshirës për të mësuar te fëmijët.
Për shtetin:
•Shteti duhet të bëjë të pamundur që të plotësojë kushtet e shkollës. Shkollat duhet të jenë të pajisur se pari me karrige dhe tavolina të mjaftueshme, e më pas me kabinete, laboratore dhe salla të ndryshme. Të gjitha këto kushte janë të nevojshme dhe duhet të jenë të plotësuar në të gjitha shkollat, sepse në mungesë të kushteve mësimi nuk mund të zhvillohet ashtu siç duhet dhe mund të ketë mangësi gjatë arsimimit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.