Një studim i ri sugjeron që të kesh një partner shumë narcisist dhe antagonist shoqërohet me kënaqësi më të ulët në përgjithësi në marrëdhënie. Megjithatë, ky tipar i personalitetit nuk shkakton domosdoshmërisht rënien e kënaqësisë me një ritëm më të shpejtë me kalimin e kohës.

Gjetjet sfidojnë idenë popullore se marrëdhëniet romantike me individë narcisistë fillojnë jashtëzakonisht të kënaqshme përpara se të përfundojnë në mënyrë të pashmangshme në mosfunksionim.
Shkencëtarët Gwendolyn Seidman dhe William J. Chopik kryen këtë hulumtim për të kuptuar më mirë se si tiparet specifike të lidhura me narcizmin ndikojnë në marrëdhëniet romantike gjatë periudhave të gjata. Narcizmi është një tipar personaliteti i karakterizuar nga një ndjenjë e ekzagjeruar e vetërëndësisë dhe një nevojë e thellë për vëmendje të tepruar.
“Shumica e hulumtimeve mbi narcizmin përqendrohen te vetë partneri narcisist. Megjithatë, shumë teori se pse narcizmi është i dëmshëm ndërpersonalisht theksojnë efektet e tij të mundshme te partnerët e narcisistëve, jo vetëm te vetë narcisistët. Ky studim dokumenton se si këto tipare mund të ndikojnë në kënaqësinë e marrëdhënies së të dy partnerëve me kalimin e kohës”, tha autorja e studimit Gwendolyn Seidman , një profesoreshë e asociuar e psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.
“Këto teori përqendrohen gjithashtu në ndryshimet midis efekteve afatshkurtra dhe afatgjata të narcizmit në marrëdhënie. Narcistët kanë tendencë të lënë përshtypje pozitive në njohjen e parë, por janë të prirur ndaj sjelljeve shkatërruese në planin afatgjatë. Një qëllim i këtij studimi ishte të përcaktohej nëse narcizmi prodhon një trajektore në rënie në kënaqësinë e marrëdhënies së partnerit.” Studimi u botua në Journal of Personality.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

