Këshilla & Arsye

February 15, 2018 | 11:32

Sa bukur të shkruash me dorë!

Të shkruash me dorë në një copë letër ul ankthin dhe ndihmon që të jemi më optimistë e pozitivë. Nga këndvështrimi metabolik, e shkruajtura me dorë është një ritual, i cili njësoj si meditimi, e bën aktivitetin elektrik të trurit që të vibrojë. Valët cerebrale shtohen në hapësirën e trurit dhe zbresin gradualisht nga një frekuencë prej 12 ciklesh çdo sekondë në 8, sjellje tipike e gjendjes së qetësisë. Por të shënoni diçka në letër është mbi të gjitha një stimul që mund të riekuilibrojë sistemin limbik cerebral, në veçanti amigdalën, zona ku ‘fshihet’ vetëbesimi dhe gëzimi për jetën. Kohët e fundit, shkrimi me dorë po bëhet edhe një “praktikë mbështetëse” gjatë mbajtjes së një diete ose për të përmirësuar qëndrimin.

Për të fituar vetëbesimin dhe optimizmin

Gjestet ritmike të kaligrafisë, ndjekja e një modeli shkrimi (pjerrtas apo gërma të mëdha) e kap mendjen, duke lehtësuar peshën e mendimeve të ankthit, të cilat, shpesh janë shkaktarët e paqetësisë dhe mendimeve negative. Jo vetëm. Siç e shpjegon një studim psikologjik i bërë në Universitetin e Indianës: ushtrimet e kaligrafisë favorizojnë aktivizimin e kores prefrontale të trurit, ajo që organizon emocionet dhe është e orientuar ndaj zgjidhjes së problemeve. Ushtrimet e gjata të bukurshkrimit, që koordinon lëvizjet e vogla të duarve dhe të gishtave rritin vetëkënaqësinë, dialogun e brendshëm pozitiv, sasinë e endorfinës. Dhe ky miks faktorësh është i domosdoshëm për të rritur vetëbesimin dhe entuziazmin. Megjithatë ekspertët sugjerojnë se terapia e të shkruarit duhet bërë në një vend pa zhurmë, të qetë, të veçuar nga pjesa tjetër e shtëpisë apo e ambienteve me njerëz.

 

Shkrimi i dobishëm për dietën

Për të shkruar me dorë janë të nevojshme lëvizje të caktuara që stërvisin vëmendjen, përqendrimin, aftësinë për të programuar gjestet. Kjo gjë forcon autoefikasitetin, aftësinë për të synuar me vendosmëri drejt objektivit, në këtë rast: për t’u dobësuar.

Një studim i bërë nga “Psychological Science” nxori në pah se ata që ia dalin të shprehin me një grafikë të bukur marrëdhënien e tyre me ushqimin, keqfunksionimin ushqimor, vështirësitë, gëzimet që shoqërojnë fazën e dietës, kanë më shumë mundësi për të gjetur qetësinë e duhur për të plotësuar programin e dobësimit. Në momentet e irritimit dhe të nervozizmit, ushtrohuni duke shkruar me dorë tekste qetësuese. Për shembull: kopjoni ngadalë germat e alfabetit katër herë, duke bërë të mundur që shkrimi të jetë i bukur e i kuptueshëm.

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top