Mirëqenie

October 1, 2020 | 8:10

Sa më shumë vaksinim kundër gripit, aq më pak infektime me Covid-19

Vazhdojmë të dëgjojmë se të gjithë duhet të vaksinohemi kundër gripit sezonal për të zvogëluar rreziqet që lidhen me Covid. A është vërtet kështu? Me sa duket po.

Zbulimi italian

Sipas disa studimeve, ai më i fundit i botuar nga Qendra e Kardiologjisë Monzino në Milano, vaksina e gripit do të ndihmonte për të frenuar pasojat e Covid-19.

Virusi i gripit dhe SARS-CoV-2 kanë rrugë të ngjashme transmetimi dhe disa simptoma të përbashkëta, shkruajnë autorët, por ato janë shumë të ndryshme për sa i përket ashpërsisë dhe vdekshmërisë në rast infeksioni dhe për sa i përket grupmoshave të prekura. Gripi infekton kryesisht fëmijë dhe adoleshentë, ndërsa Covid-19 prek kryesisht të moshuarit.

Një shpjegim i mundshëm mund të jetë që të rinjtë kanë një sistem imunitar më reaktiv të forcuar nga ekspozimi ndaj agjentëve viralë ose antigjeneve që përmbahen në shumë vaksina pediatrike, të tilla si kundër fruthit, e lisë së dhenve, rubeola, hepatiti B dhe virusi i papillomës. Prandaj, vaksinat janë në gjendje të shkaktojnë mekanizma pozitivë të përgjigjes imune “jo specifike”, duke përmirësuar kapacitetin e reagimit të sistemit imunitar në tërësi.

Çfarë ndodh nëse vaksinoheni më shumë

Në mënyrë të veçantë, vaksina e gripit para së gjithash do të ishte thelbësore në uljen e ngarkesës në spital në rastin e një vale të dytë të Coronavirus. Por jo vetëm. Në periudhën e izolimit, hulumtimi milanez tregoi se rajonet italiane me një shkallë më të lartë të mbulimit të vaksinimit të gripit në popullatën mbi 65 vjeç treguan më pak infeksione, më pak pacientë të shtruar në spital, si dhe numër më të ulët të pacientëve në terapi intensive dhe që ndërruan jetë nga Covid-19.

Sipas disa parashikimeve të bëra, vetëm një rritje e vogël e mbulimit të vaksinimit do të kishte shmangur rreth 2 mijë vdekje nga Coronavirusi. Në veçanti, një rritje prej vetëm 1% në mbulimin e vaksinimit për moshat mbi 65 vjeç, e cila është ekuivalente me rreth 140 mijë doza më shumë në nivel kombëtar, mund të kishte shmangur 78,560 infeksione, 2,512 shtrime në spital, 353 shtrime në terapi intensive dhe 1,989 vdekje nga Covid-19. Për këtë arsye “do të ishte e rëndësishme të inkurajohet sa më shumë që të jetë e mundur çdo aktivitet që mund të çojë në një rritje të mbulimit të vaksinimit, veçanërisht tek personat e moshës mbi 65 vjeç” shpjegoi Dr. Mauro Amato.

Pse të vaksinoheni kundër gripit sezonal

Studimi krahasoi, Rajon pas Rajoni, nivelet e mbulimit të vaksinimit tek personat mbi 65 vjeç me numrin e infeksioneve dhe tre indekse të tjerë të ashpërsisë klinike të sëmundjes: numri i shtrimeve në spital për Covid-19, numri i pacientëve të shtruar në kujdes intensiv dhe numri i vdekjeve nga infeksioni. Të gjitha analizat konfirmuan që nivelet e përhapjes dhe ashpërsia e virusit Sars-CoV-2 janë në përpjesëtim të kundërt me normën e vaksinimit kundër gripit: më pak vaksina, më shumë Covid-19.

Megjithëse nevojiten studime të mëtejshme për të konfirmuar hipotezën, studimi ofron një bazë shtesë shkencore për rekomandimet e të gjitha autoriteteve shëndetësore, duke filluar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, të cilat po nxisin popullatën që t’i nënshtrohen, veçanërisht këtë vit, vaksinimit kundër gripit.

 

 

Burimi / https://quifinanza.it/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top