FB

June 29, 2022 | 8:00

Sa vlen një pushim? Rëndësia e pushimeve verore

Vera ka mbërritur. Është koha për pushime me familjen ose miqtë, mundësia ideale për të ngadalësuar ritmin e vrullshëm të jetës së përditshme. Sidoqoftë, nëse jeni si shumica e njerëzve, ndoshta nuk do të jeni në gjendje t’I shijoni plotësisht të gjitha përfitimet e sezonit të relaksimit, duke humbur, edhe këtë vit, shansin më të mrë për të pushuar neuronet tuaja të lodhura dhe për të fituar shëndetin.  

Në fakt, sipas asaj që del nga një studim i fundit amerikan, tre në katër punëtorë nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë plotësisht periudhën e tyre të pushimeve. Punonjësi mesatar përdor vetëm gjysmën e pushimeve që ka në dispozicion, madje edhe ata që përdorin të gjithë lejen e zakonshme, shpesh kanë tendencë të qëndrojnë në kontakt me zyrën përmes kompjuterëve, tabletëve ose celularëve. Në të vërtetë, 61% e të anketuarve raportuan se vazhdojnë të punojnë edhe me pushime. Arsyet janë: frika e të mbeturit pas të gjërave që kanë për të bërë, e humbjes së gradimit të dëshiruar, apo edhe punës. Me pak fjalë, punonjësit kanë frikë se pushimet do t’u kushtojnë. Përkundrazi, e kundërta është e vërtetë: nuk është se po bëjnë një pushim që do t’u kushtojë për sa i përket mirëqenies. Kalimi i kohës larg punës, shkollës, stresit të një jete të ngarkuar, është në fakt thelbësore për rigjallërimin e shëndetit mendor. Duke i mohuar trurit një pushim, aftësia për të menduar në mënyrë krijuese dhe për të zgjidhur probleme komplekse automatikisht do të zvogëlohet. Mendja jonë mendon më qartë kur ndalemi dhe na duhet pak kohë për t’u çlodhur.Në këto momente, depërtimi arrin: papritmas një ide krijuese ose një zgjidhje për një problem të vështirë flakëron në kokën tuaj. Kjo është për shkak se energjitë mendore nuk janë më të përqendruara në gabimet e djeshme dhe as të angazhuara për ndërtimin e angazhimeve për nesër. Mendimet imagjinare dhe inteligjente vijnë zakonisht kur e lini mendjen të lirë të imagjinojë dhe të largohet nga rutina e përditshme.

Pse pushimet bëjnë mirë për trurin?

Lobi frontal (i përfshirë në proceset e arsyetimit, planifikimit, vendimmarrjes dhe gjykimit) funksionon më kreativisht kur truri nuk është i lodhur dhe nuk është i ngatërruar me mendime të shumta. Po si? Mendja, kur nuk është e përfshirë në angazhime, detyra dhe probleme, i lidh rastësisht idetë dhe i konsolidon ato me njohuritë e mëparshme, duke formuar mendime të reja, të cilat ndihmojnë për të arritur zgjidhje optimale për qëllimet e dikujt. Për më tepër, trupi dhe truri nuk janë të pajisur për të përballuar periudhat e stresit kronik dhe kanë nevojë për pushime për t’u rimbushur. Kur është nën stres kronik, trupi çliron hormonin kortizol dhe nivelet e kortizolit, që janë shumë të larta, mund të dëmtojnë hipokampusin, një zonë e trurit përgjegjëse për të mësuarin dhe funksionet e kujtesës. Ulja e stresit është çelësi për të përmirësuar performancën njohëse. Ushtrimet, gjumi më i mirë dhe më shumë, kalimi i kohës me miqtë dhe fillimi i aventurave të reja janë strategji të shkëlqyera për uljen e stresit. Dhe cila është koha më e mirë, nëse jo pushimi i verës, për të bërë të gjitha këto gjëra?

Po përgjatë vitit?

Sidoqoftë, pushimet e verës nuk janë të mjaftueshme për trurin. Edhe gjatë vitit ato janë po kaq të rëndësishme, në mënyrë që të alternohen momentet e punës me momentet e pushimit dhe “detoksifikimit”, përfshirë dhe atë nga teknologjia. Në ditët e sotme teknologjia ka hyrë plotësisht në jetën tonë; jemi të lidhur gjithë kohës dhe, ndonjëherë, madje edhe me më shumë se një pajisje njëkohësisht. Ky “qejf” i teknologjisë mund ta vërë trurin tonë në telashe për arsye të ndryshme. Së pari, detyrat si kontrolli i postave elektronike ndërsa jeni duke shkruar një raport ose duke iu përgjigjur një mesazhi, ndërsa jeni ulur në një takim, janë intensive për trurin, pasi ai nuk është krijuar për të bërë shumë gjëra në të njëjtën kohë. Së dyti, duke e detyruar mendjen të kalojë shpejt nga një detyrë në tjetrën mbingarkon lobin ballor, duke zvogëluar produktivitetin dhe efikasitetin e saj. Së fundmi, sipas disa studimeve të fundit, shumë kohë në internet i bën njerëzit të ndjehen më të vetmuar, të shqetësuar dhe të depresionuar. Pra: zgjidhni të fikni telefonin tuaj celular dhe të kaloni më pak kohë para pajisjeve të kompjuterit tuaj. Edhe disa minuta pushim çdo orë janë të mjaftueshme për t’i dhënë trurit tonë njëfarë lehtësimi. Dhe herë pas here kaloni një pasdite ose mbrëmje larg teknologjisë.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 169

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top