Fillimi i shkollës për fëmijët tanë është diskutim i ditës. Fëmijët dhe prindërit bashkë me ta fillojnë të ndiejnë peshën e stresit, për sa u përket shumë aspekteve që kanë të bëjnë me fillimin e vitit të ri akademik. Duke u bazuar te mosha, stresi nuk është njësoj si për ata fëmijë që do të fillojnë për herë të parë, fëmijët që kalojnë nga cikli elementar në atë të mësimit apo në mosha më të rritura për të filluar ciklin e lartë universitar.
Si mund ta minimizojmë sadopak stresin për të pasur një kalim sa më të lehtë nga pushimet në vitin akademik që na pret?
Në radhë të parë, duhet të bisedojmë me fëmijët e moshave të reja, për fillimin e vitit të ri akademik. Duke folur me fëmijët, prindërit zbulojnë dëshirat e fëmijëve të tyre për shkollën, synimet, nevojat që ata kanë për të realizuar këto synime, të cilat mund të jenë materiale apo psikologjike. Është e rëndësishme që fëmija “të ngacmohet” nga pak gjatë pushimeve në subjektin “shkolla dhe fillimi i saj”, në mënyrë që jo çdo ngarkesë mendore të lihet për në fund. Në njëfarë mënyre prindërit duhet “të shfrytëzojnë” dëshirat e fëmijëve për materialet që ata pëlqejnë para fillimit të shkollës. Duke blerë librat e rinj, mjetet e reja, prindërit kombinojnë plotësimin e dëshirave të fëmijëve me bisedat rreth shkollës dhe përgatitjes akademike. Duke i blerë një çantë të re një fëmije mund t’i thuhet gjithashtu se ky vit shkollor do të jetë më shumë i ngjeshur dhe do të ketë më shumë libra. Me librat e rinj, fëmija gjithashtu nxitet që t’i hapë dhe t’i shohë materialet e reja me të cilat do të punojë në këtë vit shkollor.
Gjithashtu prindërit duhet t’i sigurojnë fëmijët që do t’i ndihmojnë në çdo hap për kryerjen e mësimeve dhe projekteve të shkollës. Në këtë mënyrë fëmijët do të ndihen më të sigurt dhe më konfidentë. Pjesa më e madhe e prindërve bën të pamundurën që të bashkëpunojë me fëmijët, jo vetëm në përgatitjen materiale për shkollë, por edhe atë psikologjike, siç e përmendëm më lart.
Për sa i përket moshës adoleshente, studentët janë më të shqetësuar për anën sociale. Duke qenë se në këtë moshë studentët janë të mësuar me rutinën e kalimit nga një nivel në tjetrin, ata shqetësohen për lidhjet e tyre sociale. A do të kenë mundësi të rrinë me të njëjtin grup shokësh që kishin një vit më parë? Po të bësh një vëzhgim me këtë grupmoshë, nxënësit janë të shqetësuar në një përqindje të madhe për lidhjet e tyre sociale, në një përqindje më pak të konsiderueshme ata shqetësohen për mësuesit e tyre dhe në fund fare ata shfaqin interes për programin shkollor apo librat.
Edhe mosha studentore shfaq shqetësimet e veta në kalimin nga shkolla e mesme në nivelin universitar. Këtu ndeshemi me stresin që shkakton përzgjedhja e shkollës dhe përballimi i saj financiarisht.
Dihet tashmë që në botë, sistemi arsimor po shtrenjtohet gjithmonë e më shumë. Shumë nga familjet nuk e përballojnë dot vitin shkollor dhe detyrohen të kërkojnë mënyra të ndryshme për t’ia dalë mbanë. Një zgjidhje tjetër është ndjekja e sistemit shkollor publik. Mirëpo po bëhet gjithmonë e më e vështirë të futesh në bankat e këtij sistemi për arsye përzgjedhjeje. Te gjitha moshat druhen pak për atë të panjohur që ofron viti i ri shkollor. Dhe është logjike, sepse nxënësi do të kalojë në një nivel më të lartë dijesh, të cilat duhet t’i asimilojë, duhet të investojë në marrëdhënie të reja, me shokë të rinj dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, duhet të punojë me mësues të rinj.
Për të minimizuar sadopak këtë stres, prindi duhet t’i rrijë sa më afër fëmijës, që ky i fundit të ketë vetëbesim dhe të jetë i bindur se çdo gjë do të shkojë mbarë. Për sa i përket stresit të vetë prindit, është pozitiv komunikimi me prindër të tjerë, që i kanë kaluar këto përvoja. Gjithashtu, ata duhet të krijojnë mundësi komunikimi me mësuesit e shkollës, të njohin programin dhe mbi të gjitha të mos harrojnë, të komunikojnë sa më shumë me vetë fëmijët.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.