FB

September 9, 2021 | 8:25

Shkollë me zarf apo me zotësi?

Një profesor i mjekësisë u ndesh me një situatë të vështirë një ditë kur një prej studentëve të tij, i la në tryezë një zarf me disa qindra-mijëra lekë si pagesë për të kaluar provimin. I erdhën ndër mend shumë prej miqve të tij pedagogë që kishin blerë nga dy-tre shtëpi dhe i kishin çuar fëmijët me studime jashtë, vetëm duke bërë korrupsione “të vogla” si këto…  Në momentin e parë u tundua t’i merrte, pastaj i ktheu mbrapsht e më pas, në sajë të insistimit, i mori paratë dhe studenti e kaloi provimin me fletore bosh.

Nga Edlira Çepani

Nga Edlira Çepani

Historia vazhdon pas pak vitesh, në një udhëtim ku profesori dhe gruaja e tij pësojnë një aksident dhe përfundojnë në gjendje të rëndë. Pas shumë mundimesh profesori shpëton dhe kërkon gruan të cilën, sipas infermierëve u ishte dashur ta fusnin në operacion dhe mes bisedash merr vesh se kirurgu ish një mjek me nam të keq, për paaftësi dhe korrupsion… Lutjet ndaj Zotit morën fund vetëm kur u hap dera dhe doli nga salla kirurgu i tronditur që nuk kish ditur si të vepronte me një komplikacion gjatë operimit dhe gruaja kish humbur jetën…

Profesori ngriti kokën dhe pa që mjeku ishte ish-studenti i tij… ai që kish paguar me zarfin plot lekë pikërisht lëndën që, nëse do e kish studiuar në mënyrë e duhur, do mund ta kish ndihmuar ta tejkalonte këtë lloj komplikacioni gjatë kirurgjisë… Situatë e njohur në auditorët e shkollat shqiptare, aq e njohur sa thuajse konsiderohet normalitet, ndaj nuk do çuditej njeri nga kjo histori… Sa herë na ka ndodhur që ngelësat e klasës, ata që çdo provim e merrnin me mik ose me lekë, t’i kemi parë pas pak kohësh në pozicione drejtuese, duke marrë vendime për jetët tona?

Doktori e ka jetën në duar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe ekonomistët, juristët, politikanët, policët, gjyqtarët, inxhinierët, arkitektët, të gjithë në një farë mënyrë na i kanë jetët në dorë. Sa siguri për jetën e për zhvillimin do të kishim nëse i gjithë sistemi do të ushqehej me studentë e nxënës që në vend të provimeve dorëzojnë zarfe apo fusin miq e me mësues e pedagogë që i pranojnë?

Në muajin shtator e tetor rifillojnë shkollat dhe universitetet. Rifillon përpjekja e pafundme për edukim, përmirësim, zhvillim. Por nga ana tjetër edhe përpjekja për të kaluar radhën, për të marrë ndonjë copë letër si diplomë e për t’u bërë pjesë e një sistemi ku shumë pak e shohin jetën profesionale me perspektivën se si po ndikojnë, jo vetëm për jetën e një brezi të tërë, por edhe për të tyren. Ndërkohë që shumë të tjerë, e shohin atë si një mënyrë për të bërë lekë të shpejta e pa lodhje, por mbi të gjitha me papërgjegjshmërinë se si po ndikojnë në botën e përbashkët, që rrotullohet shumë më shpejt nga ç’e mendojmë…

Është e thjeshtë të kalojmë radhën, të kalojmë provimin, të marrim zarfin, të pranojmë mikun, por sa e thjeshtë është të përballemi me rezultatet e këtyre veprimeve? Duket sikur bota është shumë e madhe që gjërat e mira apo të këqijat që bëjmë të na kthehen mbrapsht… por në të vërtetë është e vogël, dhe çdo veprim ka ndikim tek të tjerët e rrjedhimisht tek vetja.

Edukimi është procesi më i gjatë dhe i vështirë, por edhe më frytdhënësi përsa i përket, edhe zhvillimit të një vendi të tërë, por edhe jetës së gjithsecilit. Nëpërmjet çdo nxënësi, mësuesi, studenti apo pedagogu ku investojmë seriozisht, kemi bërë një investim të mirë për të ardhmen dhe e anasjella, çdo pikë ku çalojmë në arsim, do të çalojë më pas edhe në shoqëri, ekonomi, shëndetësi e kudo tjetër. Nëse një vend apo një njëri ka synim për t’u zhvilluar në mënyrën e duhur, atëherë investimi serioz që duhet të bëjë është tek arsimi.

Që nga kultivimi i kulturës së dijes e deri tek mbështetja e mësuesve, vizioni për edukim gjithëpërfshirës e deri tek infrastruktura për ata që duan të edukohen… Nuk ka as të tashme e as të ardhme pa edukim e kjo nuk ka si të jetë një klishe, ndërkohë që është e një e vërtetë e patjetërsueshme!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 159

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top