FB

July 5, 2021 | 8:40

Shkollimi është si një mal, sa më lart të ngjitesh aq më e gjerë është pamja

Blerina Mërtiri, mësuese

 

Jemi në një moment delikat për sa i përket maturantëve. Për pak ditë ata duhet të zgjedhin degët për të vazhduar studimet e larta. Të zgjedhësh një degë studimi gjithmonë e kemi menduar si një vendim shumë kompleks dhe të vështirë. Mundësitë e zgjedhjeve janë të shumta, por thjesht mendoni se cila do të ishte zgjedhja më e mirë për ju.

2

Pyesni veten:

-Cili është pasioni yt për të cilin do të studioje dhe punoje me përkushtim? Pasioni dhe puna duhet të jenë e njëjta gjë.

-Në cilën lëndë ti je më i aftë, aftësi të cilat janë shumë të marketueshme në tregun e punës?

-Cilat janë interesat dhe hobit tuaj?

-Shmangni ndikimin e pamenduar që vjen nga shokët e shoqet, dëshirat e pabaza të rrethit familjar, por edhe konceptet e një shoqërie konsumatore mbi mbivlerësimin e disa profesioneve “në modë” që do t’u siguronin një jetë më të mirë.

-Zgjidh një degë për të cilën Ti do të doje të punoje.

Pyetja që bëjnë shpesh kandidatët është:

-Në cilën degë është më lehtë të gjesh punë?

Nuk mund të gjesh një degë studimi në të cilën ti mendon se mund të marrësh shumë të ardhura. Asnjë diplomë nuk ta garanton atë. Përgjigja më e mirë është që ti duhet të studiosh shumë për diçka për të cilën ti je i apasionuar.

Një pyetje që shumë maturante ia bëjnë vetes është:

-Po sikur të bëj një vit pushim pas shkollës së mesme?

1

Ka shumë histori studentësh të cilët kanë bërë një vit pushim ose kanë ndërruar degët e tyre të studimit. Këshillimi gjithmonë është pozitiv. Po cilët janë personat e duhur për t’u këshilluar?

-Shumë persona mund të të ndihmojnë duke dhënë idetë e tyre. Por mënyra më e mirë është duke vizituar universitete në të cilat t’i mendon të marrësh informacionet e duhura. Mund të bëni konsulta me pedagogët, zyrat e këshillimit, se cila do të ishte zgjedhja e duhur për një maturant. Gjithashtu ekzistojnë mënyra online për të komunikuar dhe marrë informacionet e duhura.

Në faqet e universiteteve gjeni kurrikulat që të interesojnë dhe te të flasësh me personat e duhur. Ti po përcakton të ardhmen tënde prandaj merr kohën që të duhet.

Hannah Arend (shkrimtar kritik, filozof gjerman) thotë: Informacioni është fuqi.

Universiteti nuk mbaron me Bachelor, kemi mundësitë për të zgjedhur degë të tjera të Master-it pasi shkollimi nuk ka fund. Ndodh që një maturant të fitojë në shumë degë që ai ka aplikuar. Të parat duhet të jenë degët që ata preferojnë më tepër, ndërsa në preferencat e fundit degë që i duan më pak, por që kanë mundësi reale për të fituar njërën prej tyre. Më idealja do të ishte që, një i ri të zgjidhte atë degë që e pëlqen më shumë, drejt së cilës shkon në mënyrë të natyrshme, përmbajtja e së cilës i zgjon interes dhe ku rruga drejt saj do të zbulojë aftësitë e tij natyrale.

Por ka edhe kandidatë të cilët janë të vendosur në zgjedhjen e tyre.

-Unë dua të vazhdoj studimet për psikologji sepse më pëlqen të trajtoj probleme sociale. Familja më kanë lënë të lirë të zgjedh, por ama më kanë paralajmëruar duke më thënë: mendohu mirë, por kjo nuk më shqetëson.

-Më pëlqen të studioj Biologji sepse mendoj që është një degë që ka të ardhme. Familja ime e pëlqen këtë degë dhe nuk ka shprehur ndonjë kundërshtim deri më tani. Kjo është preferenca ime.

Sipas një vëzhgimi në shkollat e mesme, për të kuptuar më shumë se cilat janë preferencat e gjimnazistëve për profesionet e tyre, ajo që të bie në sy është se nuk gjykojnë në bazë të pasionit, por mbi të gjitha duan një profesion që t’ju sjellë të ardhura. Ky është kushti i parë. Dhe janë të shumtë ata që duan të ndjekin traditën familjare në mënyrë që të trashëgojnë biznesin e prindërve. Ata që gjenden në këtë pikë në njëfarë mënyre e kanë të ardhmen e garantuar për sa i përket profesionit pasi gjysmën e punës e kanë gati, u duhet vetëm të shkollohen.

Degët më të kërkuara nga të rinjtë e sotëm vazhdojnë të jenë ekonomiku, juridiku, arkitektura, farmacia, artet, mjekësia, etj. Maturantët kryesisht kërkojnë degë që janë në “modë”. Shumë të rinj sot janë shumë kaotikë në kërkimin e tyre dhe shpesh kjo i drejton ata drejt një “humnere” profesionale dhe tendencave të tregut. Procesi i globalizimit dhe ndryshimet e shumta në tregun e punës diktojnë nevojën për specialistë të kualifikuar në të gjitha fushat e edukimit e më gjerë.

G. Jung (psikoanalist), shkruan: “Talentet e mëdha janë shpesh frutat më të rrezikuar në pemën e njerëzimit. Ata varen në degë të brishta që mund të thyhen lehtë.” Prandaj çdo zgjedhje duhet të jetë e mirëmenduar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top