Para udhëtimit, njerëzit duhet të përgatisin jo vetëm valixhet, por edhe mendjen. Një sjellje agresive gjatë vozitjes rrit rrezikun për aksidente. Para pushimeve verore, kur rrugët mbushen me stres, lodhje, fëmijë, valixhe dhe nxitim, duhet të kujdesemi jo vetëm për makinën, por edhe për veten.

Muzika e qetë, vëmendja dhe vetëkontrolli mund të bëjnë dallimin mes një udhëtimi të sigurt dhe një tragjedie.
Pushimet verore po afrohen dhe mijëra familje nisen drejt rrugëve: drejt detit, vendlindjes, aeroportit, pushimeve apo takimeve familjare. Makina mbushet me fëmijë, valixhe, pritje, lodhje dhe shpesh edhe stres. Në këto momente nuk është vetëm makina ajo që duhet të jetë në gjendje të mirë. Edhe shoferi duhet të jetë në gjendje të mirë emocionale dhe mendore. Në trafik nuk drejton vetëm dora që mban timonin. Drejton edhe truri, vëmendja, sistemi nervor dhe aftësia jonë për vetëkontroll.
Kur njeriu bëhet nervoz në trafik, trupi hyn në gjendje alarmi. Rritet pulsi, shtohet tensioni, muskujt shtrëngohen dhe mendja fokusohet te “rreziku” ose “provokimi”. Në atë gjendje, njeriu mund të humbë aftësinë për të gjykuar qartë. Një parakalim, një frenim i papritur apo një shofer i ngadaltë mund të interpretohet si sulm personal. Dhe aty fillon rreziku.
Nga pikëpamja psikologjike, zemërimi ul vëmendjen dhe dobëson kontrollin e impulseve. Nga pikëpamja kriminologjike, agresiviteti në trafik mund të kalojë nga një reagim emocional në sjellje të rrezikshme ose edhe kriminale: kërcënim, sharje, ndjekje e makinës tjetër, drejtim i pakujdesshëm, rrezikim i jetës së të tjerëve, dëmtim prone apo dhunë pas konfliktit në rrugë.
Një sekondë zemërimi mund të sjellë pasoja për gjithë jetën. Këtu hyn një mjet i thjeshtë, por shumë i fuqishëm: muzika. Një artikull shkencor i publikuar në Health Psychology Review nga de Witte dhe bashkëpunëtorët, me titull Effects of music interventions on stress-related outcomes: a systematic review and two meta-analyses, tregon se ndërhyrjet me muzikë kanë efekt të rëndësishëm në uljen e stresit. Studimi përmbledh 104 studime të kontrolluara dhe 9 617 pjesëmarrës. Rezultatet treguan se muzika ndikon si në stresin psikologjik, pra ankthin, shqetësimin dhe tensionin e brendshëm, ashtu edhe në reagimet trupore si rrahjet e zemrës, tensioni i gjakut dhe hormonet e stresit.
Kjo ka shumë rëndësi për trafikun. Kur shoferi është i stresuar, trupi sillet sikur është në konflikt. Muzika e qetë mund t’i dërgojë trurit një mesazh sigurie: “Nuk je në luftë. Nuk ke nevojë të hakmerresh. Merr frymë! Vazhdo me kujdes!”

Muzika nuk është magji dhe nuk e zëvendëson përgjegjësinë. Ajo nuk të jep të drejtë të vozisësh shpejt, të përdorësh telefonin apo të bësh gabime. Por muzika mund të ndihmojë në vetërregullim emocional. Ajo mund të ulë tensionin, të qetësojë trupin dhe të ndihmojë shoferin të ruajë fokusin. Prandaj, para pushimeve verore, muzika në makinë nuk duhet parë vetëm si argëtim. Ajo mund të jetë pjesë e sigurisë.
Mos vendos muzikë që të nxit agresivitet, të shtyn të ecësh më shpejt apo të bën më impulsiv. Nëse je i lodhur, muzika nuk mjafton; duhet të ndalesh dhe të pushosh. Por nëse je i tensionuar, një muzikë e qetë, me ritëm të butë dhe volum të ulët, mund të ndihmojë që trupi të dalë nga gjendja e alarmit.
Bëj një listë me muzikë të qetë. Nisu më herët. Mos hyr në makinë pas grindjes pa u qetësuar. Mos u nis i pagjumë. Mos e përdor telefonin. Mbaj distancë. Mos iu përgjigj provokimeve. Mos garo me askënd.
Rruga nuk është betejë. Rruga është përgjegjësi. Para se ta ndezësh makinën, bëji vetes tri pyetje:
A jam i lodhur?
A jam i zemëruar?
A jam i shpërqendruar?
Nëse përgjigjja është po, ndalu! Merr frymë! Pi ujë! Dil pesë minuta nga makina! Vendos muzikë të qetë! Fol më butë me fëmijët! Mos e kthe makinën në vend tensioni!
Fëmijët mësojnë nga ne. Nëse ata na shohin duke sharë, duke kërcënuar dhe duke vozitur me nervozë, ata mësojnë se agresiviteti është normal. Nëse na shohin duke marrë frymë, duke mbajtur distancë dhe duke ruajtur qetësinë, ata mësojnë përgjegjësi.
Nga këndvështrimi i psikoterapisë, vetëkontrolli është aftësi emocionale. Nga këndvështrimi i kriminologjisë, parandalimi është më i rëndësishëm se dënimi. Më mirë të ndalesh pesë minuta për t’u qetësuar, sesa të ndalesh më vonë para policisë, ambulancës apo gjykatës.
Këtë verë, le ta marrim seriozisht trafikun. Jo vetëm si çështje rregullash, por si çështje jete. Një shofer i qetë nuk është shofer i dobët. Është shofer i pjekur, i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm.
Mesazhi im është i thjeshtë: Mos lejo që zemërimi të marrë timonin! Ruaj vëmendjen! Mbaj distancë! Mos u hakmerr! Vendos muzikën që të qetëson! Nisu me kohë! Pusho kur je i lodhur! Dhe mbi të gjitha: kthehu gjallë tek ata që të duan!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

