FB

July 9, 2026 | 13:00

Shumë e lodhur, por jo e dorëzuar për beteja të mëdha!

 

Sot ndihem sikur po fluturoj nga gëzimi. Jo sepse e pranova vetminë time dhe ajo nuk dhemb më, por sepse pranova realitetin. Ndonjëherë, hapi i parë drejt lirisë është të mos luftosh më me atë që nuk mund ta ndryshosh.

donila-pipa

Sot fillova të buzëqesh. Jo sepse nuk ndihem e braktisur, sikur më janë prerë ëndrrat dhe shpresat, por sepse u përballa me njerëz që kanë harruar të kenë shpirt e kanë zgjedhur të jenë vetëm interes.

Në një botë ku pothuajse çdo gjë blihet e shitet, kupton se pasuria më e madhe është të mbetesh njeri. Të mbetesh i ndershëm me ndërgjegjen tënde, që edhe nesër ta shohësh veten në pasqyrë pa turp.

Dje e pashë veten shumë të lodhur. Të njëjtët njerëz, të njëjtat situata dhe, përsëri, e vetme. Për një çast u ndjeva shumë e vogël për beteja parimesh, për luftën e normave dhe të shtetit të së drejtës. U pyeta nëse Shqipëria – edhe këtu – mund ta ndërtojë nesër të ardhmen e saj si pjesë e Bashkimit Europian pa e vendosur drejtësinë në themel të saj.

Por pikërisht atëherë mendja më shkoi te leksionet e së drejtës sociale europiane që u përgatisja studentëve. M’u kujtua çështja *Defrenne. Dhe buzëqesha.

E buzëqesha sepse historia na mëson se të drejtat nuk kanë lindur nga heshtja, por nga guximi. Kanë lindur nga njerëz që, edhe kur janë ndjerë vetëm, kanë zgjedhur të mos heshtin.

Prandaj, të dashura gra, mos hiqni dorë nga të drejtat tuaja. Luftoni për to, edhe kur ndiheni të vogla, edhe kur ju paragjykojnë, edhe kur ju shajnë. Sepse bota nuk ecën përpara falë atyre që pranojnë padrejtësinë, por falë atyre që besojnë te e drejta, te dinjiteti dhe te e vërteta.

Sot nuk ndihem më e vogël. Nuk ndihem as vetëm. Sepse pashë veten në pasqyrë dhe nuk më erdhi keq që fola. Nuk më erdhi keq që guxova të them atë që ndiej.

Ndoshta kjo nuk fiton gjithmonë betejat. Por të paktën të lejon të mos humbasësh kurrë veten.

 

*Gabrielle Defrenne ishte stjuardesë në kompaninë ajrore belge SABENA. Ajo u pagua më pak se kolegët meshkuj dhe u detyrua të dilte në pension më herët vetëm sepse ishte grua. Ajo e çoi çështjen në Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian. Në vitin 1976, gjykata vendosi se parimi i pagës së barabartë për punë të barabartë është një e drejtë që individët mund ta kërkojnë drejtpërdrejt para gjykatave kombëtare, duke e bërë barazinë gjinore një parim real dhe të zbatueshëm, jo vetëm një deklaratë politike.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top