Posta

September 28, 2016 | 8:01

Si ta shmang vetminë

Jam adoleshente. Në moshën 11-vjeçare ndërruam vendbanim dhe erdhëm nga Korça në Tiranë. Unë e përjetova shumë keq. U mbylla në vetvete, madje edhe një film ndikoi kur personazhi kryesor çmendej, duke besuar se dhe mua do të më ndodhte e njëjta gjë. Shikoja mirazhe njësoj si personazhi. Këtë gjendje e kalova, por tani duket se më janë rikthyer të gjitha kujtimet dhe rashë në dëshpërimin e atyre viteve duke parë mirazhe apo dëgjuar zëra. E di që të gjitha këto janë imagjinatat e mia dhe kam vënë re se më ndodhin kur jam vetëm. Më duket sikur kam parandjenja të këqija, sikur do t’i humbas personat e dashur.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Për të gjithë të rinjtë, të cilët zhvendosin jetën e tyre në një vend tjetër, ka vështirësi jo vetëm fizike, por mbi të gjitha emocionale, pasi është lënë pas historia e jetës suaj, miq e të dashur. Fundja, secili prej nesh krijon një stil jetese dhe nuk është e thjeshtë ta zhvendosësh atë, kërkon kohë dhe një vullnet psikoemocional. Vështirësia më e madhe është kur zhvendosja nuk vjen natyrale, për një çështje të drejtë e rritëse, por më së shumti për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe rritur cilësinë e jetës së fëmijëve. Jam e sigurt që familja juaj ka dashur të bëjë më të mirën për ju dhe njëkohësisht e kuptoj fare mirë se si jeni ndier ju në ato momente tranzicioni. Ju keni kaluar një periudhë deprimimi post tranzicion. Ju kishit një jetë nën kontrollin e rutinës së stilit të jetës që kryenit. Ajo u prish me ardhjen në Tiranë. Sigurisht, frika dhe ankthet e pranishme ju kanë shtyrë të mendoni se ndoshta kjo do të mund të çekuilibrojë shëndetin tuaj mendor, duke dëgjuar e parë rishtazi se ka ndodhur për njerëz të tjerë. Secili prej nesh është unik. Filmat janë të rëndësishëm për të na thënë të vërtetat e shumë prej episodeve të jetës sonë, por trillimi artistik i tyre e bën ngjarjen shumë bardhë e zi, pra, eliminohen për efekt të kohës ngjyrat e tjera që ndodhitë kanë dhe ne nxjerrim konkluzione të cekëta mbi këto histori. Prandaj ju inkurajoj që ta shikoni me rezerva për të kuptuar më shumë rreth vetes dhe historisë unike tuajën. Është e rëndësishme, sipas shenjave që ju përshkruani në këtë moment të dytë të jetës suaj, të kontaktoni një profesionist për të marrë shërbimin e duhur në mbështetje të vazhduar, pasi situata juaj psiko-emocionale tashmë ka disa kohë që është prezent dhe kërkon kujdes, sikurse çdo vështirësi që pengon funksionin në jetën e përditshme. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top