Këshilla & Arsye

November 23, 2015 | 13:18

Si të ndihmojmë në zhvillimin psiko-afektiv të fëmijëve?

blerta bodinakuNga: Dr. Blerta Bodinaku

Psikoterapiste

Përrallat janë pjesë e pandashme e botës së fëmijëve, duke i shoqëruar ata përgjatë gjithë rritjes së tyre. Përveçse ushqejnë fantazinë dhe zhvillojnë kreativitetin, përrallat kanë fuqi të jashtëzakonshme zhvillimore dhe pedagogjike. Ashtu padukshëm, përmes zërit të gjyshërve dhe prindërve, përrallat u ofrojnë fëmijëve një hapësirë të pafundme mendore dhe emocionale për t’u njohur me koncepte të rëndësishme jetësore, për t’u njohur me anët e tyre të forta dhe ato të brishta, për të zgjidhur sfida domethënëse të moshës, e për të mësuar aftësi të rëndësishme për funksionimin psikosocial. Të pajisura me këto cilësi, përrallat mund të kthehen në instrumente të fuqishme edukimi në duart e prindërve dhe edukatorëve, të cilët mund ti përdorin ato për të adresuar çështje të rëndësishme për mirëqenien dhe rritjen e shëndetshme të fëmijëve. Po ashtu, prindërit edhe edukatorët, përmes përrallave mund ta kenë më të thjeshtë të trajtojnë çështje të vështira për ata vetë, të tilla si vdekja apo divorci, duke bërë të mundur që këto tema të mos mbeten tabu si pasojë e frikës së prindërve, por të integrohen në natyrshëm në botën e fëmijëve. Kjo është arsyeja pse psikologët e zhvillimit kudo në botë janë gjithnjë e më të përfshirë në zhvillimin e programeve promovuese të shëndetit mendor përmes përrallave dhe leximit. Duke konsideruar edukimin e hershëm të vlerave të shëndetshme psiko-emocionale si mënyrën më të sigurt për promovimin e shëndetit mendor, Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Shëndetit Mendor në bashkëpunim me organizatën partnere nga Mali i Zi MOGUL dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, programi IPA Cross Border Cooperation, ka prezantuar së fundi një botim të fokusuar te nevojat dhe sfidat zhvillimore të fëmijëve parashkollorë. Ky libër është shkruar nga shkrimtarë të njohur për fëmijë si Adelina Mamaqi, Rovena Rozhani dhe Myzafer Çaushi. Të gjitha përrallat janë të hartuara në mënyrë të tillë, që të mund të adresojnë çështje të rëndësishme për zhvillimin emocional dhe shoqëror të fëmijëve. Me titullin tërheqës “Kush e shëroi Elefantushin”, përrallat janë shqyrtuar me imtësi nga një grup ekspertësh të zhvillimit të fëmijëve. Çdo përrallë shoqërohet me informacion konciz për prindërit/edukatorët në lidhje me aspektet psikologjike të temës që trajtohet. Po ashtu, në fund të çdo përralle, ekspertët kanë hartuar një listë me pyetje për fëmijët, të cilat do t’i ndihmojnë prindërit/edukatorët të stimulojnë fëmijët për të kuptuar thelbin e mesazheve zhvillimore. Botimi përfaqëson metodologjinë më bashkëkohore, rekomanduar nga OBSH për edukimin e fëmijëve në mënyrë të shëndetshme, duke kontribuar në parandalimin e problemeve të shëndetit mendor në të ardhmen. Libri është i organizuar sipas tri temave: vetja, familja dhe komuniteti. Çështjet e trajtuara në këto tema janë zgjedhur bazuar jo vetëm në literaturën e zhvillimit emocional dhe shoqëror të fëmijëve, por edhe në rezultatet e analizave të ndryshme të situatës së zhvillimit të fëmijëve dhe të nevojave arsimore specifike në Shqipëri.

“Vetja”: njohja dhe shprehja e emocioneve; tejkalimi i frikës nga të qenit vetëm; përballimi i dështimit; sjelljet e sigurta; kujdesi për higjienën, të ushqyerit e shëndetshëm dhe ushtrimet gjimnastikore.

“Familja”: përgjegjësitë në familje; familjet me një prind; përballimi i humbjes në familje; fëmijët që rriten me njërin prind në emigracion; rëndësia e mosmbajtjes së sekreteve në familje; ndërveprimi me motrat dhe vëllezërit.

“Komuniteti”: dallimi dhe përkujdesja ndaj emocioneve të të tjerëve; empatia; të drejtat dhe përgjegjësitë; dashuria dhe kujdesi për natyrën, kafshët dhe bimët; tejkalimi i dëshirës për t’u hakmarrë; sjelljet e mira dhe etike; bashkëpunimi, ndarja dhe loja së bashku; larmia kulturore dhe fetare; përkatësia në komunitet.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top