Marrëdhënie

February 8, 2020 | 8:04

Si t’i falim gabimet në martesë, aftësia e të debatuarit dhe e grindjes

Martesa është një marrëdhënie dhe lidhje, kryesisht midis një burri dhe një gruaje, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në ekzistencën dhe në mbarëvajtjen e familjes. Përcaktimi i saktë i martesës ndryshon historikisht, si midis, ashtu edhe brenda kulturave, por sidoqoftë ruhet koncepti bazë i saj si një lidhje shoqërore e sanksionuar në një marrëdhënie të caktuar seksuale.

1Shumë njerëz martohen, sepse pretendojnë se kanë rënë në dashuri. Kjo nënkupton raportet emocionale midis dy të martuarve, të cilët duan ta ndajnë kënaqësinë personale duke jetuar pranë njëri-tjetrit. Ata duan një të dashur, një shok, një person që mund ta ndiejnë pranë vetes, mund të flasin me të, të ndajnë mendimet, ndjenjat intime, gjendjet emocionale, problemet personale, kohën dhe hapësirën, t’i besojnë botën e tyre vetjake. Një nga veçoritë dalluese të martesave të suksesshme nga ato të dështuarat është aftësia e të debatuarit dhe grindjes. Realisht martesa është eksperimenti i parë i vërtetë social. Hapat që ndërmarrim në fushën e socializimit në lagje, shkollë apo punë nuk janë të njëjtë me ato të martesës. Sepse para martesës, me njerëzit me të cilët diskutonit apo kishit ndonjë mosmarrëveshje vendosnit një distancë ose përpiqeshit të vazhdonit marrëdhëniet duke marrë frymë thellë dhe duke menduar për çështjet rreth të cilave kishit të njëjtin mendim. Kur ju dhe bashkëshorti grindeni, shpesh nxirrni gjithë hatërmbetjet e vjetra, të cilat duheshin sheshuar kohë më parë. Ku qëndron problemi? Njëri ose të dy mund të mos dijë si të falë. Por mund të mësosh. Prandaj është mirë që në fillim të analizosh shkakun që ka sjellë këtë situatë agresive në çift dhe që s’mund ta falin njëri–tjetrin.

Disa arsye që çojnë në debate të forta çiftin janë:

Tradhtia: Njëri nga partnerët gjen kënaqësi në seksin jashtëmartesor.

Pushteti: Disa burra dhe gra nuk falin që të kenë njëfarë pushteti mbi bashkëshortin. Kështu, kur lind një debat, përdorin një ngjarje të së shkuarës si pretekst për ta marrë situatën në kontroll.

Mëria: Vragat e së shkuarës mund të kërkojnë kohë që të shërohen. Njëri nga bashkëshortët mund të thotë të kam falur, por mban mëri për atë që ka ndodhur, ndoshta duke pritur të marrë hak.

Zhgënjimet: Disa martohen të bindur se martesa do t’u shkojë si në përralla. Kur lindin mosmarrëveshje, ngulin këmbë t’u dalë e vetja dhe habiten si është e mundur që njeriu ideal i jetës mendon ndryshe. Kur pretendojmë gjëra përtej realitetit, priremi më shumë të gjejmë të meta sesa të falim. Keqkuptimet: Shumë çifte nuk falin, sepse keqkuptohen. Gjithsesi të falësh mund të jetë e vështirë, sidomos në lidhjen e ngushtë burrë e grua.

Ç’mund të bëni në këto situata?

Kuptoni çfarë përfshin të falësh! Në disa raste, “të falësh” do të thotë “të lësh të kalojë”. Prandaj falja nuk nënkupton gjithnjë se duhet të harrosh çfarë ndodhi ose ta zvogëlosh gabimin. Ndonjëherë do të thotë thjesht ta lësh të kalojë një çështje, për të mirën tënde dhe të martesës.

Kuptoni pasojat kur nuk falni!

Disa studiues të huaj thonë se, kur mban mëri, vihesh nën rrezikun e një sërë problemesh fizike dhe emocionale, përfshirë depresionin dhe tensionin e lartë të gjakut, pa përmendur dëmin që i sjell martesës.

Kuptoni dobitë kur falni!

Nëse je i gatshëm të falësh nuk do të dyshosh për motivet e tjetrit dhe nuk do të mbash inat. Nga ana tjetër, kjo do të të ndihmojë të krijosh një ambient që e mban nën fre mërinë dhe e lejon dashurinë të lulëzojë.

Tregohuni realistë!

Do të jetë më e lehtë të falësh, po ta pranosh bashkëshortin për atë që është, me të mirat e të këqijat.

Jini të arsyeshëm!

Kur është e nevojshme, fol. Me qetësi shpjego çfarë të lëndoi dhe pse. Mos i vish motive të këqija ose mos bëj pohime të forta, pasi kjo vetëm sa do ta vinte bashkëshortin në mbrojtje. Mjafton të shpjegosh si je ndier nga veprimet e bashkëshortit.

Llogariteni mirë kohën!

Mos flisni me bashkëshortin rreth temës për të cilën grindeni në momentin e grindjes. Prisni pak sa të qetësohen gjakrat.

Gjeni vendin e duhur!

Mos flisni me bashkëshortin nëse jeni duke bërë apo parë diçka, duke larë enët apo nëse është edhe dikush tjetër pranë jush. Mos e kritikoni bashkëshortin në prani të të tjerëve. Bashkëshorti le ta kuptojë vetë se çfarë doni të thoni dhe në këtë mënyrë do të përforconi anën mbrojtëse para fillimit të sulmit.

Kontrolloni ritmin tuaj!

Nuk jeni duke bërë një ndeshje tenisi. S’jeni të detyruar ta gjuani edhe më fort topin nga ana e nevrikosur. Kini kujdes dhe përpiquni të zbusni topat, të vazhdoni diskutimin brenda një ritmi të caktuar dhe të masni mirë fjalët. Në shumicën e rasteve, në martesë fjalët e përdorura gjatë një diskutimi mund të krijojnë një problem më vete.

Bëhuni gati të dëgjoni!

Përpiquni të jeni një dëgjues i mirë dhe të mos flisni shumë. Mos harroni, nuk ka fare rëndësi përkufizimi i fjalive. Kur bashkëshorti të marrë fjalën harroni çfarë keni për t’i thënë dhe vetëm dëgjojeni. Për të dëgjuar ndjenjën e pasqyruar në tonin e fjalëve keni nevojë për qetësi dhe përqendrim.

Mos ndryshoni temë!

Çdo herë flisni vetëm për një temë. Mos përdorni gjërat që keni bërë gjatë fejesës apo pushimeve për të përforcuar sulmin. Ndërkohë që përpiqeni të zgjidhni një çështje shoqëruar me një diskutim të mirë mund të gjendeni përballë 1000 çështjeve të pazgjidhura dhe e gjithë kjo vetëm për të thënë që keni të drejtë. Ndani një kohë të caktuar për secilën çështje që keni nevojë të diskutoni.

Flisni shkurt!

Mos e zgjatni shumë fjalën dhe prisni që problemi të zgjidhet në atë moment. Nëse para se të flisni keni arritur ta kuptoni më mirë bashkëshortin, kjo do të thotë që keni debatuar mirë. Ndonjëherë gjëja më e mirë është që zgjidhjen t’ia lëmë kohës. Bëni një mbyllje të përzemërt e plot dashuri dhe gjatë jetës së përditshme mos dërgoni sinjale drejt temës së diskutuar.

Përgatiti Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top