28 Nëntori është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët në mbarë botën, sepse në këtë datë të vitit 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemali në Vlorë. Këtë vit Shqipëria feston 109-vjetorin e Pavarësisë së saj.
28 Nëntori jo rastësisht është zgjedhur si datë fatlume për shqiptarët.
28 Nëntori i parë arbëror ishte ai i vitit 1443, kur Kryeheroi ynë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e ngriti për herë të parë në historinë e këtij kombi, Flamurin me Shqiponjën Dykrenare dhe me yllin gjashtëcepësh në mes dy krenash në Kalanë e Krujës, ku valoi plot 25 vjet.
Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë, për shkak se kombi shqiptar ishte i rrezikuar nga vendet fqinje, sepse kishte një vlerë të madhe gjeografike dhe strategjike.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.