Mirëqenie

November 9, 2020 | 8:14

Suksesi ynë në jetë dhe punë varet 80% nga Inteligjenca Emocionale

 

Për të qenë i suksesshëm, inteligjenca emocionale ka një rëndësi më të madhe sa inteligjenca matematikore. Prandaj, punëdhënësit gjithnjë e më shumë po kërkojnë më shumë njerëz me inteligjencë emocionale të lartë. Studiuesit (Goleman, 1998; Cotru. A. et al.; Çitaku, 2019) kanë treguar se suksesi ynë në punë ose në jetë varet nga Inteligjenca Emocionale 80% dhe vetëm 20% nga intelekti. Derisa intelekti ynë na ndihmon të zgjidhim problemet, të bëjmë llogaritjet ose të përpunojmë informacionin, Inteligjenca emocionale (EQ) na ndihmon të jemi më krijues dhe të përdorim emocionet tona për të zgjidhur problemet tona dhe ato rreth nesh.

Prof. Dr. Fadil Çitaku, drejtor i Academy of Leadership Sciences Switzerland World Trade Center Leutschenbachstrasse 95 CH-8050 Zürich Switzerland Email: info@alss-edu.ch

Prof. Dr. Fadil Çitaku, drejtor i Academy of Leadership Sciences Switzerland
World Trade Center
Leutschenbachstrasse 95
CH-8050 Zürich
Switzerland
Email: [email protected]

Çfarë është Inteligjenca Emocionale?

Inteligjenca emocionale nënkupton aftësinë e individit për të monitoruar emocionet e veta dhe të të tjerëve, për t’i diferencuar ato, si dhe aftësinë për ta përdorur këtë njohuri si udhërrëfyes të të menduarit dhe të vepruarit të tij.

Sipas Goleman, 1998; Boriçi Begani, 2017; Çitaku, 2019 inteligjenca emocionale përbëhet nga 5 komponentë të cilët janë:

1) vetëdija vetjake,

2) vetë-rregullimi,

3) vetë-motivimi,

4) empatia (ndjeshmëria) dhe

5) aftësitë shoqërore.

Kushdo që gëzon një nivel të lartë të secilit prej komponentëve të sipërpërmendur mund të thuhet që zotëron inteligjencë të lartë emocionale.

Vetëdija vetjake: nënkupton që individi njeh shumë mirë emocionet e veta, pikat e forta e të dobëta të tijat, si dhe nevojat, stimujt që e shtyjnë përpara. Njerëz që zotërojnë një nivel të lartë të vetëdijes vetjake janë të zotët të kuptojnë se si ndjenjat e tyre ndikojnë tek ata vetë, tek të tjerët dhe tek performanca në punë (Goleman, 1998; Boriçi Begani, 2017; Çitaku, 2019).

Vetë-rregullimi: përfaqëson komponentin e dytë të inteligjencës emocionale, që nënkupton aftësinë e individit për të menaxhuar gjendjet e impulset e tij brenda vetes, si dhe atë për të menaxhuar burimet e veta. Ai i përngjet një bisede të vazhdueshme të individëve me vetveten, ku këta të fundit humorin dhe impulset emocionale negative i ndjejnë njëlloj si të gjithë të tjerët, por në ndryshim prej tyre janë më të zotët për t’i kontrolluar e madje për t’i përdorur ato në mënyrë të dobishme (Goleman, 1998; Boriçi Begani, 2017; Çitaku, 2019).

Vetëmotivimi: përbën kompetencën e tretë që duhet të zotërojë një individ për t’u konsideruar emocionalisht inteligjent. Ai përfaqëson kontrollin e tendencave emocionale të cilat çojnë ose lehtësojnë arritjen e qëllimeve (Goleman, 1995). Individët që zotërojnë këtë kompetencë nuk motivohen nga një pagë apo një status më i lartë si shumica e njerëzve, përkundrazi ata i motivon pasioni për punën dhe tendenca për të arritur rezultate sa më të larta, përtej pritshmërive të tyre dhe të të tjerëve. (Goleman, 1998; Boriçi Begani, 2017; Çitaku, 2019).

Empatia: nënkupton të qenurit i vetëdijshëm për ndjenjat, nevojat dhe shqetësimet e të tjerëve (Goleman, 1998) dhe aftësinë për t’i trajtuar njerëzit bazuar në reagimet e tyre emocionale (Goleman, 1998). E parë nga këndvështrimi i një lideri kjo do të thotë të marrësh në konsideratë ndjenjat e njerëzve krahas faktorëve të tjerë teksa merr vendime inteligjente (Goleman, 1998; Boriçi Begani, 2017; Çitaku, 2019).

Aftësitë shoqërore: Njerëzit që e zotërojnë këtë kompetencë kanë shumë njohje, përpiqen të gjejnë pika e interesa të përbashkëta me të tjerët dhe besojnë në bindjen se gjërat nuk mund të bëhen vetëm. Për këtë ata ndërtojnë marrëdhënie të mira me të tjerët, gjë që më pas i ndihmon të udhëheqin të tjerët në drejtimin e dëshiruar (Goleman, 1998; Boriçi Begani, 2017; Çitaku, 2019).

2Duhet theksuar gjithashtu që, katër komponentët e përmendur më lart të inteligjenës emocionale, ndikojnë pozitivisht në zgjerimin e aftësive sociale të një individi. Secili prej nesh, që arrin të kuptojë dhe kontrollojë emocionet e veta e të të tjerëve, që është i ndjeshëm ndaj tyre dhe njëkohësisht është i vetëmotivuar, ka shanse më të mëdha për të krijuar dhe mbajtur marrëdhenie të mira me të tjerët (Goleman, 1998; Boriçi Begani, 2017; Çitaku, 2019).

Si ta rrisim Inteligjencën Emocionale? 

Për ta rritur Inteligjencën Emocionale, në radhë të parë ne duhet ta bëjmë vetëvlerësimin, që të kuptojmë se cilat kompetenca zotërojmë deri diku dhe cilat më pak. Më poshtë gjeni vetëm një pjesë të instrumentit të vetëvlerësimit që Dr. Goleman (1995) zbuloi, dhe u përshtat në gjuhën shqipe nga Prof. Dr. Çitaku në 2020.

Ky instrument përmbanë 93 kompetenca në tetë faqe, ndaj për shkak të volumit të madh nuk mund të botohet i tëri në këtë medium. Autori i këtij artikulli, Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, e dhuron këtë instrument falas për të gjithë ata qe janë të interesuar, kontakti përmes e-mail-it është:

[email protected]

Ku mund ta mësojmë Inteligjencën Emocionale? 

Natyrisht Inteligjenca Emocionale, mund të mësohet. Academy of Leadership Sciences Switzerland (Akademia e Shkencave të Lidershipit në Zvicër www.alss-edu.ch), më bashkëpuntorët e vet, shkencëtar dhe profesor eminent nga e tërë bota, është duke luajtur një rol kyç në arenën nderkombëtare për të avancuar mësimet e Lidershipit dhe të Inteligjencës Emocionale, të bazuara në të gjeturat më të reja shkencore nga Neuroshkenca dhe Neurolidershipi. Kjo Akademi përveç aktiviteteve të saj në fushën akademike (nga kurset e avancuara deri në programet e doktoratës në bashkëpunim me institute dhe universitete ndërkombëtare), dhe atyre shkencore ofrone këshilla dhe kurse të shkurtëra 100% online në gjuhën Angleze që gjashtë vite. Kohëve të fundit Akademia e Shkencave të Lidershipit në Zvicër ofron kurse të shkurtëra të fokusuara në Lidership dhe Inteligjencë Emocionale, 100% online edhe në gjuhën shqipe, më profesorëdhe ekspertë, që kanë rrënjët shqiptare dhe kanë arritur majat e suksesit në arenën ndërkombëtare. 

 

Referencat:

  1. Boriçi Begani A. (2017). INTELIGJENCA EMOCIONALE SI FAKTOR NDIKUES NË SUKSESIN E MENAXHERËVE NGA VENDI AMË – RISHIKIM LITERATURE. Seria e shkencave ekonomike. Buletin shkencor 2017.
  2. Cotru. A. et al. / Procedia – Social and Behavioral Sciences   46 (2012 )  5211 – 5213
  3. Çitaku, F. (2019) Shpresa e avansimit të Kombit Shqiptar është investimi në Lidership dhe Inteligjencen Emocionale. https://prointegra.ch/shpresa-e-avansimit-te-kombit-shqiptar-eshte-investimi-ne-lidership-dhe-inteligjencen-emocionale/ (06.11.2020)
  4. Goleman D. (1995) Emotional intelligence, Random House Inc., New York.
  5. Goleman D. (1998). Working with emotional intelligence, Random House Inc., New York.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top