Këshilla & Arsye

December 3, 2015 | 13:33

Të heqim dorë nga rrjetet sociale

E keni vënë re se sa Facebook-u apo rrjetet sociale në përgjithësi janë bërë qendra e jetës sonë? Nuk ka një ngjarje publike, private apo një gjendje shpirtërore që të mos ndiejmë nevojën ta ndajmë me miqtë virtualë apo ndjekësit e faqes sonë. Duket e pamundur që, deri disa vite me parë, nuk ekzistonin “like”-et, tweet-et, mesazhet që tani na duken kaq të rëndësishme dhe për të cilat vrapojmë me rastin më të parë t’i kontrollojmë në kompjuter, tablet apo telefon. E, në këtë pikë, pyetja vjen spontanisht: a jemi të gjithë “të helmuar” nga Facebook-u?

Varësia nga rrjetet sociale ka hyrë së fundmi ndër patologjitë mendore si fiksimi, njësoj si kumari, alkooli, si ushqimi në problemet me ushqyerjen, si drogat.

Dhe pikërisht si një drogë, nga e cila krijon varësi, edhe tendenca kompulsive për të kontrolluar vazhdimisht profilet, mund të marrë ngjyresa obsesioni.

Le të shohim sesi mund ta largojmë varësinë nga rrjetet sociale, para se të bëhemi skllevër dhe të humbasim plotësisht kontaktin me realitetin “e vërtetë”. Sipas një studimi të fundit, predispozita jonë për të rënë “viktima” të mekanizmit të Facebookut apo rrjeteve sociale lidhet me vetëbesimin. Sa më i ulët të jetë ai, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për t’u bërë të varur nga instrumentet që Facebook apo Twitter vënë në dispozicion për të lejuar kontaktin mes përdoruesve. Për shembull: e keni vënë re se sa rëndësi u japim pëlqimeve apo komenteve në postimet që bëjmë? Sa ndikon në humorin e mirë, mbi ndjenjën e realizimit personal të qenit “popullor” në rrjetet sociale? Brenda vetes e dimë se, në të vërtetë, bëhet fjalë për një popullaritet jetëshkurtër, e megjithatë, nëse jeta jonë “e vërtetë” sociale është e mjerueshme dhe e pakënaqshme, nëse marrëdhënia me partnerin është në krizë apo nëse ekzistenca jonë është e kursyer nga kënaqësitë, ndërkohë që zhgënjimet dhe frustrimet shumëfishohen, atëherë komuniteti virtual na ofron një strehëz të brishtë, një rehati sipërfaqësore, një ngrohtësi njerëzore të gënjeshtërt.

Ka shumë arsye që mund të na çojnë të bëhemi të varur nga Facebook-u, por gjithashtu ekziston dhe mënyra për t’ia dalë mbanë, njësoj si për çdo lloj tjetër varësie. Para së gjithash, duhet të kemi forcën për të pranuar se kemi një problem. Duhet të flasim për këtë gjë me të afërmit dhe ata që i kemi për zemër. Vullneti i pathyeshëm për të dalë nga ky rreth vicioz bën që të flasim dhe të konsultohemi me një profesionist, një psikolog.

Duke qenë se kjo lloj varësie është kthyer në një patologji të mirëfilltë, sigurisht që edhe psikologët i kanë instrumentet e duhura për të na ndihmuar që të rigjejmë ekuilibrin e humbur nëpërmjet terapive, të cilat parashikojnë si mbështetjen psikologjike, ashtu edhe kurën me ilaçe për të minimizuar pasojat e kësaj varësie si depresioni, ankthi, pagjumësia apo dhimbja e kokës.

Por, para se të arrijmë deri në këtë pikë, le të ngremë shikimin nga ekrani i kompjuterit apo nga telefoni dhe të vëzhgojmë botën që na rrethon, atë të vërtetën, dhe njerëzit, ata “të vërtetët” që na duan pa iu dashur ta shprehin nëpërmjet një “like”. Ndryshimi i këndvështrimit, është hapi i parë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top