Editorial

December 3, 2015 | 14:07

Qytetari

Nga Orjona Tresa

E kush nuk u gëzua nga kualifikimi i Kombëtares për në “Euro 2016”, edhe unë që nuk e ndjek futbollin. Por ndeshjet e fundit të ekipit tonë i kam parë, e sidomos golat me Armeninë më dhanë emocione të paparashikuara. Me po të njëjtat emocione shihja tifozët e veshur kuqezi, që kishin të ngjyrosur shqiponjën në fytyrë, me adrenalinë të pashoqe, të gjithë mbledhur në shesh e të bërë bashkë më shumë se kurrë drejt një fitoreje të shumëpritur. Minutat e flakta dhe një lojë “agresive” i dhanë besimin kuqezinjve se pas 85 vitesh krijim të futbollit shqiptar, do të mund të përfaqësoheshim për herë të parë në një garë të rëndësishme, si ajo e kampionatit evropian.

Arti është fenomeni magjik që zbut shpirtin, që lidh jo vetëm kulturalisht kombet, por na bën të ulim tensionet, gjuhën e urrejtjes dhe të bashkohemi qoftë dhe me “armiqtë” që veç i kemi në mendje si të tillë.Këtë ndjesi ma fali këtë herë një top futbolli, veshjet sportive, flamuri kuqezi, stema dhe simbolet. Mbarë shqiptaria përjetoi gati një datë historike me këtë fitore, ndryshe nga të tjerat. Shumë u fol e u përfol rreth saj, për mirë natyrisht, aq sa gjithkush, madje dhe vetë ndërkombëtarët, të stacionuar në Tiranë apo në Kancelaritë e Evropës, iu bashkëngjitën gëzimit tonë për ditë me radhë.

Na vlen ky gëzim legjitim.

Prej vitit 1992 Shqipërisë i janë shtuar festat. Me sa duket do të vazhdojnë t’i shtohen. Kjo duhet pranuar edhe si mundësi e krijimit të një lloji tjetër atmosfere. Pra, na jep më shumë adrenalinë dhe jo vetëm për t’u shkëputur nga procesi dhe ngarkesat e një dite monotone. Kam dëgjuar shpesh prej emigrantëve të rinj që kanë kaluar oqeanin, se Amerika i gëzohet datave të shënuara kombëtare dhe jo vetëm, sepse atje festohet jo vetëm krijimi i shtetit, por dhe krijimi i shkollave, shenjtërime klerikësh… e kështu me radhë. Po edhe Evropa, ky kontinent i vjetër e me më shumë histori, mban në vëmendje dhe u jep rëndësi përkujtimoreve traditë, duke konsideruar të vlefshme për ceremoni ndezëse e plot emocion edhe festat lokale të secilës komunë. Dhe e dini se si mendojnë njerëzit? Të paktën ashtu siç më kanë thënë të afërmit e mi që i përjetojnë nga afër këto festa: se nuk ka motivim më të veçantë dhe frymëzues. Pas një dite të tillë dëfryese, të gjithë karikohen me energji pozitive, janë gati të marrin përsipër për të bërë shumë gjëja të reja, falin më shumë, bëhen më të mirë me shoqi-shoqin, dhurojnë emocione të gëzueshme, e natyrisht kanë më shumë buzëqeshje në fytyrë.

Një gjë e tillë u vu re edhe në Shqipëri. Pikërisht nga emocionet që solli kombëtarja jonë e futbollit, pashë më shumë se kurrë, paqe e dashuri mes njerëzve. Gëzimi i përjetimit u derdh lumë. Pasionet politike nuk pinë ujë në një rast të tillë. Pavarësisht se në vendin tonë mendësia dhe qytetaria e disave nuk të lë të shijosh, djalli ta marrë, atë ditë ia vlente të gëzonim, të hidheshim përpjetë sa të donim, e të mendonim në mënyrë të shfrenuar se një ditë do mund të dalim kampion bote.

Motivimi është vlerë për të gjithë shoqërinë. Kohët e fundit është ndjerë shumë kjo gjë, natyrisht dhe është shprehur pas fitores historike të futbollit shqiptar. Sa shumë nevojë kemi për të! Por duhet ruajtur fitorja, me fanatizëm madje. Që të kemi mundësi sërish të gëzojmë e të bëhemi më të mirë se kaq.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top