Marrëdhënie

May 4, 2018 | 13:06

Të punosh me partnerin

Të punosh bashkë me partnerin, a i bën mirë çiftit dhe cilat janë të gjithë të mirat dhe të këqijat e një situate të tillë? Shumë çifte ndajnë punën, por nuk është gjithmonë kaq e thjeshtë të shkosh mirë, pasi në marrëdhënie ndërhyjnë disa rreziqe, veçanërisht nëse hapin një aktivitet së bashku. Ja të gjitha të mirat dhe të këqijat kryesore të atyre që zgjedhin të ndërmarrin këtë udhë…

Studimi

Studimi i bërë nga Universiteti i Bedfordshire, ka marrë në konsideratë 291 çifte, të cilat punojnë në universitet dhe 350 punonjës, ku partnerët punojnë në ambiente të ndryshme. Studiuesit analizuan aftësinë për të bashkërenduar punën me jetën private, ndikimin e jetës së punës në familje, numrin e orët të punës, përkushtimin në punë dhe mbështetjen organizative.

Studimi nxori në dritë që ndarja e një së njëjtës hapësire në punë përkeqëson kufirin mes sferës profesionale dhe private. Por kufiri i këtij studimi, është se studiuesit hetuan në një fushë të vetme. Në fakt, duhej të konsideronin edhe dinamikat që gjenerohen nga puna e përbashkët, të cilat mund të jenë të ndryshme nga variacioni i punës dhe i çiftit.

Si të shpëtosh marrëdhënien

Është mjaft e vështirë të mund të japësh këshilla, sepse çdo situatë është e ndryshme dhe duhet vlerësuar si e tillë. Por në vija të përgjithshme, janë të vlefshme disa këshilla:

  • Evitoni të mbingarkoni rolin profesional dhe personal, sidomos nëse njëri prej partnerëve është eprori.
  • Evitoni simbiozat: çifti është i përbërë nga dy individë të ndryshëm, të cilët duhet të caktojnë rregulla dhe të ndajnë përgjegjësi, me respekt reciprok.
  • Vendosni kufij që ta ruajnë çiftin. Nuk duhet të bëheni një gjë e vetme në punë e në shtëpi. Jeni të ndryshëm, me interesa të ndryshme.
  • Kini vetëdijen për veten, vëzhgoni veten nga jashtë dhe shihni se si po silleni me partnerin.
  • Për aq kohë sa gjërat të shkojnë mirë, ndani rregullat e përgjegjësitë
  • Gjeni kohë vetëm për veten tuaj.

Të punosh me bashkëshortin apo të fejuarin ka disa përparësi, veçanërisht për ata që dëshirojnë të kalojnë sa më shumë kohë bashkë me të dashurin. Sepse nëse për disa individë, femra e meshkuj, është e paimagjinueshme të kalojnë ditë të tëra pranë partnerit, për të tjerë vlen rregulli i kundërt.

Por cilat janë këto përparësi? Pa dyshim, koha e kaluar së bashku dhe mundësia për të ndihmuar njëri- tjetrin, duke ofruar mbështetje në momente të vështira. Të këqijat e të punuarit së bashku, i përkasin faktit se mund të sillni punën në shtëpi, duke folur vetëm për të dhe debatet profesionale që mund të shndërrohen më lehtësisht në debate private. Një tjetër aspekt kontrovert, sipas disa çifteve, është fakti që nuk mund të jetojnë një individualitet personal, duke humbur kështu hapësirat personale.

Të punoni mirë së bashku

Si të punoni mirë së bashku? Kush zgjedh këtë mundësi, nuk duhet të harrojë disa gjëra: para së gjithash të ketë respekt për tjetrin dhe sidomos ta dëgjojë, edhe kur ka përshtypjen se e di se çfarë do të thotë. Është gjithashtu e nevojshme të kujtoni të ndani jetën private me atë profesionale. Nuk duhet të mungojnë as këshillat reciproke për të përmirësuar gjërat, duke evituar krahasimin e duke iu larguar garës me njëri-tjetrin. Duhet të ofroni sinqeritet, ndershmëri, përgjegjësi.

Asnjëri nga të dy partnerët nuk duhet të punojë më shumë se tjetri, vetëm nëse është një zgjedhje për të cilën kanë rënë dakord të dy së bashku. Dhe në fund, nuk duhet të mungojnë inkurajimet dhe komplimentet e ndërsjellta.

Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top