FB

May 11, 2022 | 8:00

Të rrëmbyer nga arsyetimi emocional / Pse ndodh kjo tek disa njerëz?

 

Mendoni pak veten tuaj  kur komunikoni me dikë në mesazhet e messenger apo what’sapp: arrini të shpreheni më lirshëm e të jeni vetvetja, por kur e keni përballë personin,  shumë emocione ju bëjnë të shndërroheni dikush tjetër e nuk arrini të thoni fjalët e duhura. Pse ndodh kjo?

 

rudina

Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike

Sepse emocionet janë më të larta kur e keni përballë personin dhe i menduari juaj mjegullohet duke u komanduar nga emocionet. Në momentin kur dominohemi nga emocionet, arsyetimi është në plan të dytë. Ky fakt ndodh kur përjetojmë të gjitha emocionet, qofshin ato negative qofshin pozitive; një i dashuruar bëhet qesharak kur ka pranë personin që dashuron e nuk gjen dot fjalët e duhura, të cilat megjithëse i ka përgatitur në mendje, përfundon të thotë “sa kohë e bukur sot”.

Por kur vjen puna e përjetimit të emocioneve negative që na dominojnë, situata bëhet pak më e komplikuar.

Kur kthehemi në shtëpi duke u ndjerë të stresuar, të rraskapitur dhe të zemëruar dhe partneri ynë bën një koment të papërshtatshëm, ne përfundojmë duke e sulmuar atë për shkak të të gjitha emocioneve tona negative që mbartim nga puna duke menduar me vete se “të gjithë po kërkojnë të  na mërzisin”.

0

Në të gjitha këto raste kemi të bëjmë me arsyetimin emocional, i cili nënkupton një proces mendor me anë të të cilit ne formojmë një ide ose një besim bazuar në mënyrën se si ndihemi.

Pse ndodh kjo tek disa njerëz?

Parë përmes  teorisë së Paul MacLean për Trurin Triun, arsyetimi emocional është  një mekanizëm shumë primitiv. Sipas MacLean, truri është i ndarë në tre pjesë: pjesa reptiliane me instinktet e mbijetesës, sistemin limbik përgjegjës i emocioneve dhe pjesa e neokorteksit që është përgjegjëse për të menduarin, arsyetimin.

I menduari emocional lidhet me pjesën e dytë të trurit: sistemin limbik që kontrollon dhe formon sjelljen tonë emocionale. Për shumë njerëz, është sistemi limbik ai që rregullon proceset bazë siç janë kushtëzimi klasik ose kushtëzimi operant. Është gjithashtu ai që ndonjëherë na bën të sillemi në mënyrë të paarsyeshme dhe madje irracionale duke u bazuar në emocionet tina dhe jo në arsyetimin tonë.

Megjithatë, është e rëndësishme të kihet parasysh se ky nuk është një model solid për neuroshkencën. Kjo për shkak se truri ynë është në fakt një strukturë unike, e ndërlidhur dhe e sofistikuar ku nuk ka asnjë zonë specifike që mund të marrë papritur kontroll ekskluziv.

Sidoqoftë, ajo që është e pamohueshme është se shumicën e kohës ne lejojmë që emocionet tona të marrin kontrollin dhe të arsyetojnë për ne. Shpesh biem në atë grackën primitive ku forca e një ndjenje formon një bindje që nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

“Nëse të menduarit tonë ngërthehet nga kuptimet simbolike të shtrembëruara, arsyetimi i palogjikshëm dhe interpretimet e gabuara, ne vërtet bëhemi të verbër dhe të shurdhër.” -A. Beck

Arsyetimi emocional na çon në kaosin absolut të mendimeve të shtrembëruara ku rrallë dalim të padëmtuar. Kur dominohemi nga emocionet ne lëmë mënjanë aftësinë tonë për analizë, reflektim, induksion dhe logjikë. Ne harrojmë logjikën që është e nevojshme për të qenë në gjendje të krijojmë marrëdhënie solide dhe të kemi zhvillim efektiv në çdo situatë të caktuar.

Arsyetimi emocional është një nga themelet e terapisë kogniktive, e cila u themelua nga Aaron Beck në vitet 1970. Teoritë dhe qasjet e tij janë shumë të dobishme për të kuptuar më mirë këtë mekanizëm jo të shëndetshëm.

Sipas Beck emocionet tona dhe realiteti rreth nesh nuk janë të njëjta.

“Ata që tërhiqen nga impulset e tyre emocionale do të përfundojnë të rrëmbyer nga një frikë që turbullon dhe shtrembëron gjithçka. Do të shohim zjarre aty ku ka vetëm livadhe të qeta. Për më tepër, ky fenomen formon atë që Aaron Beck e përcaktoi në atë kohë si një lloj sabotimi i luajtur nga vetë mendjet tona. Një lloj shtrembërimi kognitiv ku ne e lejojmë veten të udhëhiqemi ekskluzivisht nga ekstremet më të pafavorshme të emocioneve tona negative.”A. Back

Shumica prej nesh nuk i kushtojnë shumë vëmendje asaj se si ndihemi. As nuk pyesim veten se nga vijnë reagimet tona. Pothuajse pa e kuptuar fare, ne lejojmë që mendimet automatike të marrin kontrollin e plotë.

Disa nga mekanizmat negativë që pengojnë arsyetimin tonë logjik janë mospërballja me atë që na shqetëson duke e shtyrë e shtyrë vazhdimisht,  si dhe gjykimi i të tjerëve bazuar në atë se si ndihemi ne në atë moment.

Arsyetimi emocional e bën stresin më keq, depresionin më të thellë dhe ankthin më lëndues. Prandaj, është jetike që sa herë që përjetojmë një emocion negativ, të ndalojmë të reflektojmë mbi të: ta identifikojmë, të analizojmë  mendimet që na kanë shtyrë të krijojmë atë ide ose vlerësim të veçantë.

Ju që mendoni se keni një arsyetim emocional, pyesni pak veten nëse jeni në gjendje të mendoni për situatën aktuale nga një këndvështrim tjetër. Për shembull, nëse i themi vetes se jemi naivë për t’i besuar dikujt që na ka zhgënjyer, mund të përfundojmë në përfundimin se “nuk mund t’i besosh askujt”.

Në vend të kësaj, ne duhet të mendojmë se “nuk jemi naivë. Sot kemi mësuar një mësim të rëndësishëm. Ne nuk do të biem përsëri në të njëjtën gjë.”

Marrja e  kontrollit të universeve tona emocionale ndihmon në marrjen e kontrollit të Vetes Tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top