Një ëndërr e nisur në vitin 2002 nga Lushnja drejt Amerikës u kthye në një dhimbje të pakufishme për një familje shqiptare. Më shumë se dy dekada pasi u larguan në kërkim të një jete më të mirë, familja Manati u përball me një tragjedi të rëndë në Florida, ku tre prej fëmijëve të tyre nuk mundën të shpëtonin nga zjarri që përfshiu banesën në orët e para të mëngjesit.

Një familje shqiptare, me origjinë nga Lushnja, është përballur me një tragjedi të rëndë në Florida, SHBA, pasi zjarri përfshiu banesën e tyre në orët e para të mëngjesit të 26 gushtit.
Familja e Gentian Manatit, e cila para emigrimit jetonte në lagjen “18 Tetori” në Lushnjë, u zhvendos në Shtetet e Bashkuara në vitin 2002, pasi fitoi lotarinë amerikane. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:13 në një banesë në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, në zonën e Mandarin. Ekipet e emergjencës mbërritën brenda pak minutash, por banesa ishte përfshirë nga flakët dhe tymi. Në banesë ndodheshin dy prindërit dhe katër fëmijët e tyre. Tre prej fëmijëve, binjakë 11-vjeçarë dhe një 2-vjeçar, nuk mundën të mbijetonin. Dy prindërit dhe dy fëmijët e tjerë, një 9-vjeçar dhe një foshnjë dymuajshe, u transportuan në spital, ku raportohen në gjendje të rëndë.

Sipas dëshmive të një fqinji, një foshnjë dhe një i rritur u nxorën nga dritarja e katit të dytë dhe u ndihmuan nga personat që ndodheshin jashtë banesës. Ekipet zjarrfikëse arritën ta lokalizonin zjarrin rreth orës 05:38.
Ngjarja ka tronditur edhe Lushnjën, ku familjarë, të afërm dhe banorë të lagjes “18 Tetori” kanë mësuar me dhimbje për tragjedinë e familjes që më shumë se dy dekada më parë u nis drejt SHBA-së për të ndërtuar një të ardhme të re.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

